Ekonomia

Tatimet u kujtojnë bizneseve, individëve e të huajve, deklaroni të ardhurat

Drejtoria rajonale e tatimeve e Tiranës, u ka nisur një njoftim të gjithë tatimpaguesve, ku I kujton afrimin e afatit për deklarimin e të ardhurave vjetore mbi 2 milion lekë.

Tatimpaguesit individë, rezidentë në Republikën e Shqipërisë, që realizojnë të ardhura të tatueshme në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe jashtë saj, ne Shumen  2 MILION  leke , kanë detyrimin ligjor të dorëzojnë online deklaratën individuale të të ardhurave vjetore. Deklarues  i të  ardhurave individuale vjetore janë edhe tatimpaguesit jorezidentë, të cilët krijojnë të ardhura të tatueshme me burim në Republikën e Shqipërisë. Ju kujtojme se  deklarata  individuale vjetore e  të ardhurave per vitin 2016 dorezohet jo me vone se  data 30 prill  2017”, thuhet në njoftimin e tatimeve.

Që kur ligji hyri në fuqi, deklarimet janë shtuar me nga 11% në vit, duke e çuar numrin e raportimeve në 6341 gjatë 2016-s, sipas të dhënave të mëparshme nga tatimet.

Si bëhet vetëdeklarimi

Ekspertët në tatime sqarojnë se, individët rezidentë në Republikën e Shqipërisë, që realizojnë të ardhura të tatueshme, shuma e përgjithshme e të cilave është mbi 2 000 000 lekë, janë të detyruar të dorëzojnë Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave. Në shumën e përgjithshme të të ardhurave të paraqitura në deklaratë, përfshihen të ardhurat e realizuara në territorin e Shqipërisë si dhe ato të përftuara jashtë saj.

Gjithashtu, edhe personat jorezidentë (të huaj), për të ardhurat e tatueshme të krijuara me burim në Shqipëri, kur shuma e përgjithshme e tyre, është mbi 2 000 000 lekë, janë të detyruar të deklarojnë këto të ardhura, duke dorëzuar Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave për individët e huaj.

Të njëjtët ekspertë kanë bërë me dije se nuk është më në përdorim një format print i deklaratës së të ardhurave. Deklarata dorëzohet vetëm në rrugë elektronike, adresuar administratës tatimore qendrore, jo më vonë se data 30 prill e vitit që pason periudhën tatimore, për të cilën bëhet deklarimi.

Pra brenda datës 30 prill të vitit 2017, duhen deklaruar të ardhurat e realizuara gjatë vitit 2016.

Procedurat

Procedurat janë të thjeshta. Sistemi elektronik i tatimeve efiling.tatime.gov.al i mundëson çdo individi tatimpagues, të regjistrohet dhe të bëjë dorëzimin në rrugë elektronike të deklaratës, pa qenë nevoja të paraqitet te sportelet e Drejtorive Rajonale Tatimore. Së pari, individi deklarues regjistrohet duke përdorur numrin e identifikimit personal ID, që gjendet në letërnjoftim si për individët rezidentë, ashtu edhe për individët jorezidentë. E njëjta ID dhe fjalëkalim do të jenë të vlefshëm edhe për deklarimet e viteve të ardhshme për individin. Menjëherë pas kësaj, në hapësirën Deklarata, Tatimi mbi të Ardhurat Personale, individi klikon Krijo Deklaratë për vitin për të cilin do të kryejë deklarimin. Pasi është krijuar deklarata hapet formulari elektronik, i cili është i shoqëruar edhe me udhëzimet përkatëse për plotësimin korrekt të tij.

Ky është një proces deklarativ dhe pa pasoja financiare për individin deklarues në qoftë se, për çdo kategori të të ardhurave të përftuara, ai e ka paguar tatimin respektiv, në momentin që ka përftuar të ardhurat. Në rast të kundërt, pra kur nuk është mbajtur apo paguar tatimi në momentin e përftimit të të ardhurave, sistemi elektronik gjeneron urdhërpagesën, dokument i vlefshëm, për të bërë pagesën e tatimit.

Administrata tatimore ka të drejtën e verifikimit të të dhënave deklaruar nga individi tatimpagues ndaj, individët deklarues duhet të tregohen të kujdesshëm, në ruajtjen e dokumentacionit, çdo pjese justifikuese të të ardhurave dhe shpenzimeve, për një periudhë 5- vjeçare.

Të ardhurat e tatueshme

-pagat, shtesat mbi to e shpërblimet lidhur me marrëdhëniet e punësimit

-të ardhurat nga dividenti për pjesëmarrje në shoqëri tregtare apo nga veprimtaritë e biznesit

-të ardhurat nga qiraja;

-të ardhurat nga interesat bankare;

-fitimet nga lotaritë apo lojërave të fatit;

-të ardhurat bruto nga pasuria intelektuale, licencat, të drejtat ekskluzive;

-të ardhura që lindin nga përdorimi apo e drejta për të përdorur të drejtat e autorit në letërsi, art, muzikë apo shkencë

-fitimi kapital nga dhurimi

-të ardhura të realizuara jashtë territorit shqiptar

Dokumentet

Ndër dokumentet justifikuese për çdo kategori të të ardhurave, sipas rendit të të ardhurave mund të përmendim:

-vërtetimin e punëdhënësit lidhur me pagën, si dhe tatimin e mbajtur mbi të

-kopje të vendimit të asamblesë së shoqërisë tregtare për miratimin e rezultatit financiar dhe destinimin e fitimit

-kopje të kontratës së qirasë

-dokumentin bankar që vërteton të ardhurat nga interesat

-vërtetim të organizatorit të lojërave të fatit apo lotarisë, për shumën e fituar

-kopje të licencave/lejeve etj., lidhur me të ardhurat nga të drejtat

-kopje të kontratës së dhurimit, si dhe çdo dokument vërtetues për justifikimin e origjinës së të ardhurave me burim jashtë vendit.

-Çdo dokument justifikues, krahas vërtetimit të të ardhurave, tregon edhe tatimin e mbajtur për secilën kategori të të ardhurave.

Për sa i takon shkallës tatimore, përveç tatimit mbi pagat, të cilat i nënshtrohen një shkalle progresive të taksimit, të gjitha llojet e tjera të të ardhurave, taksohen me shkallën prej 15%.

Shpenzimet e zbritshme

Lidhur me shpenzimet, ligjërisht njihen si të zbritshme (reduktojnë të ardhurat), janë:

-shpenzimet për shumat e interesit bankar të kredisë të marra për shkollim, për vete apo për fëmijët, justifikuar me kopje të kontratës me bankën dhe kopje të mandatpagesave të interesave të paguara gjatë vitit.

-shpenzimet për mjekim, për vete apo për fëmijët dhe personat në kujdestari, për pjesën e pambuluar nga sigurimi shëndetësor, justifikuar me kopje të faturave e pagesave deri në shumën e përcaktuar në një vendim qeverie.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button