Bota

Europa në ankth, po voton Holanda

Holandezët kanë nisur të hedhin votën e tyre në të parat e 3 zgjedhjeve kyçe për Eurozonën këtë vit. Gara dominohet nga dy forca diametralisht të kundërta, partia e qendrës së djathtë e kryeministrit Mark Rutte, si dhe ajo e Geert Wildersit e mbështetur fort te platforma kundër emigrantëve.

Rutte i cilësoi zgjedhjet parlamentare si një mundësi që u jepet votuesve “për të goditur populizmin e gabuar”. Wildersi, që zotohet ta nxjerrë Holandën nga Bashkimi Europian, të mbyllë xhamitë e të ndalojë Kuranin, thotë se Partia e tij Nacionaliste për Lirinë e ka lënë shenjën e saj në këtë proces zgjedhor.

“Të gjithë po flasin për çështjet që ne i kemi parashtruar këto 5 vitet e fundit. Nuk është fjala aq shumë për pushtetin, por për ndikimin tonë që rritet thuajse dita-ditës. Sigurisht, shpresoj që të jemi një prej partive të mëdha, por edhe nëse kjo nuk ndodh, ne sërish patëm një fushatë të shkëlqyer”, tha Geert Wilders, udhëheqës i “PVV”-së, Partia Nacionaliste për Lirinë.

Franca shkon në votime muajin e ardhshëm, ndërsa Gjermania i mban zgjedhjet e përgjithshme në shtator. Analistët mendojnë se një triumf i Wildersit në Holandë mund të paralajmërojë një fitore të Marine Le Penit, e cila gëzon që tani mbështetje të gjerë mes zgjedhësve francezë.

Në Gjermani, një tjetër parti e ekstremit të djathtë, “AfD” pritet të sigurojë për herë të parë vende në Parlament. Por, ndonëse një baticë populiste është vërtet e mundur në zgjedhjet holandeze, edhe një grup partish të tjera mund të dalin mirë, gjë që do ta linte të copëtuar politikën vendase.

Por përsa kohë asnjë forcë politike nuk dëshiron të hyjë në koalicion me Wildersin, mundësitë që ai të bëhet pjesë e qeverisë nuk janë shumë të mëdha.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button