Home / Ekonomia / Mësuesit që do të lidhin të parët kontratën 1-vjeçare të punës

Mësuesit që do të lidhin të parët kontratën 1-vjeçare të punës

Mësuesit me pikët më të larta të siguruara nga testimi me shkrim dhe vlerësimi i dosjes, janë të parët që ftohen nga drejtoritë rajonale të arsimit për të përzgjedhur shkollën ku do të lidhin kontratën 1-vjeçare të punës sipas profilit lëndor për të cilin janë testuar.

E në rast se në përfundim të vitit të provës, vlerësimet e dhëna nga nxënësit, prindërit dhe drejtuesit e shkollave janë pozitive, mësuesi ka të drejtë që të sigurojë edhe emërimin.

Pas vlerësimit të ankesave të paraqitura nga arsimtarët e pakënaqur me  rezultatin e pikëve, autoritetet e Drejtorisë Rajonale të Arsimit për Qarkun e Tiranës, kanë shpallur listën me renditjen përkatëse që zë çdo mësues (i identifikuar sipas ID) që është pjesë e garës për punësimet e reja të vitit mësimor 2016-2017.

Në tabelën bashkangjitur shkrimit gjendet i plotë rezultati i pikëve që çdo mësues ka marrë nga vlerësimi i dosjes së dokumenteve profesionale, pikët e provimit me shkrim, si dhe pikët finale të cilat përcaktojnë edhe radhën e pritjes për secilin mësues deri në lirimin e një vendi pune.

Në varësi të vendeve të lira të raportuara nga secila prej shkollave të arsimit 9 vjeçar, si dhe gjimnazeve, autoritetet e drejtorisë së arsimit thërrasin mësuesit që janë në krye të listave për të nënshkruar kontratën 1-vjeçare të punës.

Ndërsa mësuesit e tjerë do të qëndrojnë në listat e pritjes deri në lirimin e një hapësire tjetër punësimi.“ Nëse në përfundim të kësaj kontrate, këshilli i prindërve, mësuesve dhe nxënësve, do të vlerësojë me nota pozitive punën e bërë nga mësuesi përgjatë vitit të provës, atëherë drejtori i shkollës do të emërojë definitivisht mësuesin në postin e fituar.

Sipas kritereve të përcaktuara, kandidatët fitues nuk mund të refuzojnë më shumë se tri vende pune të lira, në tri njoftime të njëpasnjëshme të komisionit.

Në rast se kjo ndodh mësuesi hiqet nga lista e renditjes, duke i lënë vendin e përzgjedhjes një tjetër kandidati.

Ndërsa në rastet kur vlerësimi i dalë nga këshilli i prindërve, si dhe komisionit të shërbimit psikosocial është negativ, për cilësinë e shërbimit arsimor të ofruar nga mësuesi gjatë periudhës një vjeçare të provës, kandidati e humbet vendin e punës që fitoi nëpërmjet testimit dhe konkurrimit me dosje”, përcaktohet në udhëzimin zyrtar të MAS.

Ky udhëzim dikton më tej, se: “Për një vend të lirë pune me ngarkesë të plotë mësimore dhe të përhershme, komisioni i ekspertëve në drejtoritë e arsimit është i detyruar që në përzgjedhje të ftojë të parët kandidatët për mësues që janë të punësuar në një vend pune me ngarkesë të pjesshme, apo të përkohshme. Mosofrimi i vendeve sipas këtij kushti, e bën të pavlefshme kontratën e punës të lidhur me kandidatët e tjerë”.

Ndërsa për vendet e lira me ngarkesë mësimore të pjesshme, apo të përkohshme, lidhet kontratë e përkohshme. Kandidati i punësuar në këto kushte nuk e humbet të drejtën për t’u njoftuar dhe për t’u përzgjedhur edhe në procedurat e mëtejshme të emërimeve.

Gara më e ashpër për punësimet e reja në shkollat e Qarkut të Tiranës pritet të jetë në profilet lëndore të gjuhës shqipe dhe letërsisë, arsimit fillor, gjeografisë, historisë dhe kimisë, ku numri i pjesëmarrësve është edhe më i lartë. Ndërkohë, në të njëjtën formë do të veprojnë edhe drejtoritë rajonale të rretheve të tjera, ku në varësi të hapësirave të lira të evidentuara në shkolla, do të lidhin edhe kontratat e reja të punës.

Ndërsa për lëvizjet e mësuesve në shkolla, udhëzimi saktëson se të gjithë mësuesit që mbeten pa ngarkesë mësimore, duhet të bëjnë një kërkesë për lëvizje të detyrueshme paralele. Kërkesa duhet të shoqërohet edhe me dokumentacionin e kërkuar.

Në rastet kur mësuesit dëshirojnë të kryejnë lëvizje paralele brenda të njëjtës njësi arsimore vendore, duhet që kërkesën me shkrim të paraqesin pranë drejtorive që mbulojnë arsimin në zonën e tyre, brenda muajit maj të këtij viti. Edhe në këtë rast kërkesa duhet të shoqërohet me dokumentacion përkatës.

Leave a Reply

%d bloggers like this: