Home / Rajoni / Maqedonia / Maqedoni, Hahn: Qeveria, sa më shpejt. Të respektohen shqiptarët

Maqedoni, Hahn: Qeveria, sa më shpejt. Të respektohen shqiptarët

“Askush nuk duhet të tundohet që të luajë me zjarrin! Jemi thellësisht të shqetësuar nga tensionet dhe gjuha e urrejtjes në vend. Liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore në shoqëritë demokratike, por ato vijnë bashkë me përgjegjësitë”.

Deklarata e përbashkët e Komisionerit të Zgjerimit, Johannes Hahn me 3 eurodeputetët Ivo Vajgl, Eduard Kukan dhe Knut Fleckenstein në fund të ndalesës së tyre në Shkup ishte e fortë dhe e drejtpërdrejtë.

“Inkurajojmë presidentin Ivanov ta rishikojë me urgjencë pozicionin e tij, sepse nuk ka kohë për të humbur. Bëjmë thirrje për krijimin e shpejtë të qeverisë së re, e cila të jetë e përkushtuar në implementimin e reformave. Partitë dhe ekzekutivi duhet të vazhdojnë me zbatimin e të gjitha pjesëve të Marrëveshjes së Përzhinës”, thuhet në deklaratë.

Të gjitha palëve, nga ana tjetër, u kërkohet të përmbahen nga çdo lloj veprimi që mund të shkaktojë tensione ndëretnike apo të përkeqësojë marrëdhëniet me fqinjët.

“Retorika negative drejtuar bashkësisë ndërkombëtare dhe organizatave joqeveritare është plotësisht kundërproduktive dhe varros imazhin ndërkombëtar të vendit tuaj”, theksoi Hahn, duke pritur që ditëve të ardhshme të ketë seriozitet dhe përgjegjësi udhëheqjeje nga ana e institucioneve të caktuara, të cilat duhet të mundësojnë formimin e shpejtë të një koalicioni të ri dhe solid.

Nga ana tjetër, në një intervistë të dhënë për një media vendase, zyrtari i lartë europian përsëriti në mënyrë të vazhduar nevojën për angazhim ndaj Kushtetutës.

“Jam plotësisht i ndërgjegjshëm mbi traditën që ekziston në këtë vend prej 8 apo 9 vitesh, por gjërat mund të ndryshojnë. Kushtetuta vjen mbi të gjitha dhe ajo flet për një shumicë të nevojshme. Në një demokraci, pas zgjedhjeve, fituese mund të jetë partia që del e para, por mund të jenë edhe ato parti që kanë siguruar më shumë vende në Parlament. E rëndësishme në fund është se cili formacion arrin të ketë një shumicë të besueshme, sepse pas gjithë këtyre vite debatesh të brendshme dhe përqëndrimit te krizat politike, mendoj se duhet kaluar në fazën e kujdesit për fatin e vendit dhe perspektivës së tij euroatlantike. Ajo që i nevojitet Maqedonisë është një qeveri e qëndrueshme, e cila të jetë e përkushtuar ndaj axhendës së reformave”, tha Hahn.

Edhe zgjidhjen e krizës, komisioneri e gjen pikërisht te dokumenti themeltar.

“Të respektohen rregullat dhe standardet europiane, të cilat le të themi janë të shkruara në Kushtetute, e kjo do të thotë se shumica qeverisëse, nga cilado palë, duhet respektuar nga të gjithë. Ka të bëjë me zhvillimin e mëtejshëm të këtij vendi, shoqërisë së tij, pjekurisë së tij demokratike. Kjo është pjesë e rrugës drejt BE-së”, tha Hahn.

Leave a Reply

%d bloggers like this: