Home / Parlamentare / Kuvend, Luan Rama: Narkotikët? Nuk kemi bërë si duhet detyrën

Kuvend, Luan Rama: Narkotikët? Nuk kemi bërë si duhet detyrën

Nënkryetari i LSI, Luan Rama, në seancën plenare të kësaj të enjteje ka prekur sërish çështjen e narkotikëve, e kthyer së fundmi në një kontest mes tij dhe ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Në fjalën e tij, Rama ka deklaruar se Kuvendi nuk po ndjek zbatimin e ligjeve për të luftuar kultivimin e lëndëve narkotike, fenomen për të cilin edhe institucionet ndërkombëtare kanë shprehur shqetësim.

“A ka vend këtu për të qenë krenarë se ne e paskemi bërë detyrën tonë dhe se zëdhënësi i LSI e paska lexuar gabim raportin e Departamentit të Shtetit? Dhe se hienat kanë dalë nga zyra e LSI-së? Ky është realiteti?”, është shprehur Rama.

Një problem tjetër shumë i rëndësishëm, sipas tij, është edhe asgjësimi i lëndëve narkotike të sekuestruara, që është kryer në shkelje me ligjin.

“Ligji e thotë qartë se asgjësimi bëhet në prani të prokurorit, të oficerit të policisë gjyqësore dhe personit të caktuar nga gjykata. Dhe për dokumentimin e këtij veprimi mbahen 3 proces-verbale. Kemi të paktën 13 raste të asgjësimit ku nuk ka qenë prokurori dhe nuk ka pasur proces-verbale dhe një pjesë e të arrestuarve kanë mbetur nëpër gjykata pasi nuk ka prova për lëndën narkotike. Edhe droga që sekuestroi policia në Lazarat është asgjësuar në shkelje me ligjin”, ka thënë Rama.

Ai ka shtuar më tej se, “është e rëndësishme të reflektojmë dhe të vëmë në punë strukturat që parashikon ligji” për t’i bërë kontrast fenomenit kriminal.

Leave a Reply

%d bloggers like this: