Teknologji

Kibernetikë, si u vodhën fotot private të VIP-ave?

foto-320x213Pasditen e së dielës së një jave më parë, një haker tronditi botën e shoubizit. Ai publikoi fotot private të VIP-ave

Interneti u ngarkua shumë nga kërkesat e larta për të parë fotot nudo të femrave fatale të kinematografisë dhe jo vetëm

“OriginalGuy” është emri i hakerit që fshihet pas fotove të vjedhura dhe të ekspozuara. Ai vendosi ta ndajë koleksionin e tij disamujor me të tjerët

Kompania Apple është shkaktarja e rrjedhjes së fotove, me sistemin e saj iCloud. Hakerët kanë marrë llogaritë e ‘viktimave’ dhe kanë depërtuar në sistemin e fotove të fshira të tyre

Një punë disamujore dhe e lodhshme, që kërkoi angazhimin e një grupi hakerësh, rezultoi të ishte një tronditje madhore për të gjithë ata që konsiderohen si shembujt e suksesit të shoubizit

Pasi u publikuan online fotografitë private të disa prej femrave më të njohura në botë, gazetarët, prezantuesit dhe përdoruesit kureshtarë të internetit u përpoqën të kuptojnë sesi një haker anonim kishte fituar të drejtë hyrjeje në celularët e të famshmëve dhe të pasurve.

Kur përdoruesit e shokuar të internetit hynë në forume për të gjurmuar personin që besohet se është përgjegjës, shpjegimi i tij ishte shumë i thjeshtë: iCloud.

Fillimisht u dyshua se hakeri kishte fituar lirihyrje në shërbimin online të Apple. Shërbimi i ruajtjes dhe rikthimit të materialeve të gjigantit të teknologjisë, është vlerësuar prej kompanisë për thjeshtësinë dhe faktin që funksionon.

Piratimi nuk mund të kishte ndodhur në kohë më të keqe për Apple, i cili të martën do të lançojë smartfonin e ri iPhone 6, një orë dore dhe një sistem të ri operativ për Mac, të gjitha këto shërbime që do të lidhen me iCloud.

Teksa fotot vazhdojnë të postohen online, teoritë për burimin vazhdojnë. Disa thonë se duhet fajësuar një “forcë e errët” piraterie që është zbuluar së fundmi nga kërkuesit rusë të sigurisë, teksa komentuesit në internet pyesin nëse është kompromentuar lidhja Wi-Fi e çmimeve Emmy.

Por e vërteta është akoma më shqetësuese: fotot e rrjedhura të të pasurve nuk e kanë origjinën nga një piratim i vetëm, por ato janë mbledhur me kalimin e kohës përgjatë muajve përpara se hakeri të vendoste t’i postonte online.

Kjo është historia e koleksionuesit, i cili mban emrin e koduar “OriginalGuy”.

AnonIB: Dega e Komunitetit të Hakerëve

Forumi anonim AnonIB nisi postimet në majin e vitit 2006 si një degë e famëkeqit 4chan. Nga mesi i vitit 2006, forumi famëkeq i 4chan ishte bërë një rrëmujë e gjallë e pornografisë së fëmijëve, hakerëve anonimë dhe talljeve online. Më 23 gusht, 4chan ra prej një sulmi DDoS nga vetë përdoruesit e tij, dhe postuesit e shpeshtë e braktisën sajtin në kërkim të alternativave të tjera. Një grup i postuesve jetëgjatë të 4chan arriti në AnonIB, që ofronte pothuajse të njëjtin shërbim.

Teksa popullariteti i AnonIB rritej, administratorët e faqes vunë rregullat. Pornografia e fëmijëve dhe përmbajtje të tjera ilegale postoheshin shpesh në AnonIB, gjë që çoi në një seri bastisjesh nga FBI-ja të serverëve dhe administratorëve. Pas vitesh trazira, faqja u shfaq në fillim të këtij viti dhe përdoruesit iu kthyen postimeve.

Rrethi i hakerëve të iCloud

Një sajt me shumë pornografi, AnonIB është edhe një rreth i hakerëve të talentuar, të cilët kanë mësuar si të zaptojnë foto të femrave nudo, duke hyrë në llogaritë e tyre në iCloud. Bordi “stol” në AnonIB, që nënkupton foto të vjedhura, shërben si një takim global për hakerët e iCloud. Duke përdorur mjete të specializuara për thyerjen e fjalëkalimeve dhe duke hamendësuar pyetjet e sigurisë së atij që do të vidhet, hakerët shfrytëzuan formën që kthen nga e para fjalëkalimet, duke hyrë në llogaritë e përdoruesve të iCloud vetëm nëpërmjet adresës së postës elektronike.

Me të hyrë brenda, hakerët fillonin të punonin me nxjerrjen e fotove sa më shpejt të ishte e mundur, duke përdorur softuerë për rikthimin e dokumenteve për të shkarkuar fotot e marra mbrapsht.

“OriginalGuy”, koleksionuesi i pornos

Emri i përdoruesit që piratoi fotot e VIP-ave është “OriginalGuy”, por ende nuk dihet identiteti i vërtetë i piratit. Rrjedhjet e fotove janë rezultat i një periudhe të gjatë të penetrimit në sistemet e personave të famshëm. Hakeri është i njohur për shpërndarje pornoje në forume.

Në një postim në AnonIB, pas rrjedhjes madhore të fotove, “OriginalGuy” shpjegoi se si kishte ndërtuar një koleksion fotosh aq shpërthyes sa ishte e vështirë të kontrolloje shikuesit e faqes.

Sipas tij, fotot u mblodhën nga një grup hakerësh, të cilët ishin të specializuar në fotot pornografike të të famshmëve. Të martën Apple nxori një deklaratë që duket se pohon se ishin piratuar llogaritë e iCloud të personave të ekspozuar.

Apple fajësoi një sulm të thelluar në emrat e përdoruesve, fjalëkalimet dhe pyetjet e sigurisë, që është një praktikë e përhapur në internet.

Përse u nda koleksioni i fotove?

Një nga pjesët më intriguese të ngjarjes është pyetja se përse “OriginalGuy” vendosi ta ndajë koleksionin e tij me të tjerët. Ai u shpreh se kishte shpenzuar shumë para për të siguruar fotot, përse t’i ndante falas me të tjerët në një të diel pasdite?

Koleksionuesit e mbajnë koleksionin e tyre privat nëse mendojnë se ka vlerë të madhe, por “OriginalGuy” vendosi ta ndajë të vetin, sepse ndoshta ai kuptoi se nuk kishte ndonjë vlerë kushedi sa të madhe.

Teksa “OriginalGuy” i dha fund koleksionit të tij privat duke e shpërndarë me të tjerët, Apple i është futur punës për të përmirësuar sistemin e vet të kthimit të fjalëkalimeve. Ndërsa hakerët e tjerë, shumë të sfiduar prej ngjarjes, po shtrydhin gishtërinjtë në tastierat e kompjuterëve të tyre për të hyrë sa më thellë botës së errët private të atyre që bota i konsideron si shembullin e vet të suksesit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button