Ekonomia

Vendet e rajonit konkurrojnë me teknologji, Shqipëria i kthehet bujqësisë

Sektori i bujqësisë ka rritur peshën në strukturën e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) duke zënë 20.32 % të totalit të PBB, pas një rënieje domethënëse që sektori shënoi në vitet 2008-2009.

Teksa vendet e rajonit janë duke zhvilluar fort industrinë automative dhe shërbimet e teknologjisë së informacionit, ekonomia e Shqipërisë është zhvendosur drejt bujqësisë duke mos mundur të përparojë me teknologjinë.

Rreth 9 vite më parë pesha e bujqësisë në PBB ishte 16-17 për qind, sektori i ndërtimit po avanconte duke zënë 15 % të strukturës së ekonomisë.

Me përfshirjen e vendit nga kriza ekonomike e vitit 2008, sektori i ndërtimit që gjithnjë e më shumë po merrte peshën kryesore ne ekonominë e vendit ra me të shpejtë, teksa bizneset e sektorit u gjeten të papërgatitura për tu diversifikuar në sektorë të tjerë me vlerë të lartë të shtuar. Ndaj shumë biznese të ndërtimit u turrën drejt fermave, duke ndërtuar ferma kafshësh dhe sera, pa ditur se, Shqipëria nuk mund të eksportoje prodhimet e saj blegtorale në BE.

Megjithë këtë tendence sektori i bujqësisë është tërësisht në informalitet, teksa të dhënat statistikore për sektorin mungojnë. Edhe Kosova ka më shumë se 4 indekse çmimesh për imputet dhe prodhimet bujqësore dhe publikon çdo tre muaj të dhëna të detajuara për bujqësinë dhe bizneset e sektorit.

Në vendin tone, bujqësia kontribuon 43 për qind në punësim, mbi 20 për qind te strukturës se ekonomisë së vendit, por inventarët për ecurinë e sektorit mungojnë totalisht.

Shqipëria mbetet vendi me peshën më të lartë të bujqësisë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) në Europë dhe gati sa dyfishi i rajonit, ndërkohë që paradoksi qëndron në faktin se vendi vijon të jetë importues neto i prodhimeve bujqësore.

Në Maqedoni, bujqësia zë 10.2% të peshës në totalin e PBB-së; në Malin e Zi zë vetëm 10% të PBB-së; në Bosnjë, vetëm 7.8% të PBB-së; në Serbi zë 9.7%; në Ukrainë 11.8% dhe në Rusi vetëm 4%. Në vendet e zhvilluara të BE, bujqësia zë rreth 2% të PBB-së. Teksa sektori ka pozitë dominuese në ekonominë shqiptare, vendi vijon të importojë produkte ushqimore 4.7 herë më shumë se sa eksporton.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button