Politika

Një letër për njerëzit e vegjël që nuk e duan Europën

Nga Majlinda Bregu

Sot në Romë kujtohet 60 vjetori i Traktatit të Romës, zanafilla e krijimit të Bashkimit Europian.

Burrave te mencur të asaj kohe iu deshën 10 vjet negociata e plane për të ngritur mbi rrënojat e Europës së pasluftës, Bashkimin e Paqes.

Ishte fjalimi historik i Churchill në 1946 i cili me qartësi e vizionin ndërtues, prej Universitetit të Zyrich shpalli atë që do të ndodhte: “Ju paraqes idenë e një Europe të bashkuar ku Britania e Madhe do të ketë një rol vendimtar si anëtar i familjes Europiane.”

Sigurisht ai nuk mund të parashikonte që në 1946,se Britania e Madhe do të kishte si për ironi të parin Kryeministër që projekton Bashkimin e Europës dhe 70 vjet më pas, të parin Kryeministër që i ikën Europës!

Gjenialiteti i vizionarëve si Churchill, Monnet, Schuman, Spinelli, Adenauer, De Gasperi e Church ndoshta nuk e vizatoi dot tërësisht rrugën që duhej të ndiqte Europa e Bashkuar, por pasioni dhe vizioni se luftërat, vrasjet e dhunimi i kombeve, urrejtja e shkatërrimi duhet të merrnin fund, iu mjaftuan për të nisur një përpjekje gjigande të afrimit, paqes, sigurisë, stabilitetit dhe një tregu të përbashkët në kontinent, për të provuar bashkimin si fuqi të transformimit.

Sot, po të ishin gjallë, do të ishin ndjerë të keqkuptuar.

Se si ngrihet një projekt-altar për të mos dënuar brezat, mes ngjitjeve e zbritjeve herë pas here në shkallare të lagështa të frikës se kush do t’ia niste i pari luftës së re, si e fundmja ngjarje që përcaktonte kush ishte më i fortë e kush më pak i dobët, na e bënë dhuratë ata burra të mençur.

Nuk di se cili ishte më brilant e shkëlqente në pasionin për t’i dhënë formë bashkimit e jo ndasisë së Europës që nëpër labirintet e ndarjes të mos ecte më askush nga popujt, dhe nën një qiell të përbashkët të ndihej tejendanë siguria e kësaj përpjekjeje aq të bukur e të vështirë, por pa dyshim ishin burra që patën kurajën të ndanin së bashku një ëndërr.

Cfaredo të thuhet sot në Romë nuk do të jetë kaq madhështore sa vendimi i 60 viteve më parë.

Madje ende sot ka plot që, mbase pa kuptuar ushqejnë shpresa të fajshme se ky projekt duhet thërrmijëzuar që të bëhet më i mirë, copëzuar që të jetë më i qëndrueshëm.

Njerëz të vegjël ka kurdoherë. Në këtë rast kanë rëndëkuptuar vlerën e urtësisë së themeluesve të Europës së Bashkuar.

Prestigji dhe fuqia e këtij projekti nuk shpërbëhet prej mendimeve të kundërta mbi kufinjtë e Europës por prej nacionalizmit të sëmurë që kombet e shoqëritë i kthen kundër njëri tjetrit; prej populizmit manipulues; prej pushteteve që janë aq poshtërues e të pazotë për t’ ju dhënë përgjigje problemeve të përditshme dhe prej keqkuptimit të idesë madhështore se Europa, nëse nuk është e bashkuar dhe nuk lufton për vlerat mbi të cilat u ngrit, nuk është më Europë.

Related Articles

Nje koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button