Home / Politika / Shqipëria nuk ka qenë kurrë kaq afër bashkimit me Europën

Shqipëria nuk ka qenë kurrë kaq afër bashkimit me Europën

Më 25 mars Bashkimi Evropian shënon 60 vjet nga nënshkrimi i Traktateve të Romës, hapi i parë drejt një Evrope të bashkuar. Që prej lindjes së Komuniteteve Evropiane në vitin 1957, qytetarët e Shteteve Anëtare kanë gëzuar gjashtë dekada paqeje, mirëqenieje dhe sigurie të panjohura më parë. Kontrasti me gjysmën e parë të shekullit të 20-të nuk ka si bëhet më i madh. Dy luftëra katastrofike  në Evropë në periudhën midis vitit 1914 dhe 1945 lanë miliona të vdekur dhe një kontinent të shkatërruar, të përçarë dhe të rraskapitur. Për vendet që kishin qenë në luftë për një kohë të gjatë, integrimi evropian ka qenë projekti më i suksesshëm i paqes në histori.

Nga një marrëveshje ekonomike mes gjashtë vendeve, Bashkimi Evropian është bërë një fuqi jetike për ruajtjen dhe forcimin e rendit global. BE-ja është investitori kryesor në pjesën më të madhe të globit. Ne investojmë më shumë në bashkëpunimin për zhvillim dhe ndihmën humanitare se gjithë pjesa tjetër e botës së bashku. Bashkimi Evropian është dhe do të vazhdojë të jetë një fuqi e fortë, bashkëpunuese dhe e besueshme. Partnerët tanë në botë dhe këtu në Shqipëri e dinë se çfarë përfaqësojmë ne.

Në 60 vjet projekti evropian jo vetëm që ka sjellë prosperitet dhe paqe në kontinent, por ka ndryshuar edhe jetën e përditshme të evropianëve. Traktati i Romës krijoi një treg të përbashkët ku njerëzit, mallrat, shërbimet dhe kapitali mund të lëviznin lirisht. Ai i ka përmirësuar kushtet e jetesës dhe punës së qytetarëve dhe ka reduktuar diferencat ekonomike mes rajoneve.  Evropianët kanë krijuar lidhje  jetëgjata me njëri-tjetrin dhe mund të udhëtojnë, të studiojnë dhe të punojnë përtej kufijve kombëtarë. 6.5 milionë evropianë punojnë aktualisht në një tjetër shtet anëtar të BE-së. 1.7 milionë evropianë kalojnë çdo ditë kufirin për të punuar në një tjetër shtet anëtar. Programi Erasmus, që kremton gjithashtu përvjetorin e tij të 30-të këtë vit, ka sjellë përfitime për më shumë se 9 milionë evropianë të rinj.

Shëndeti dhe mjedisi i qytetarëve evropianë është përmirësuar gjithashtu masivisht. Sot qytetet  evropiane kanë nivelet më të ulëta të ndotjes në botë, kryesisht falë ndalimit të hershëm të ndotësve si plumbi në benzinë. Falë legjislacionit të BE-së përdorimi i qeseve plastike është reduktuar në mënyrë dramatike, me një ndikim të drejtpërdrejtë dhe afatgjatë mbi ndotjen e deteve tona. 96% e plazheve evropiane tani janë mjaftueshëm të pastër për të notuar.

Është shpesh shumë e thjeshtë që këto arritje të merren si të mirëqena nga brenda BE-së. Por këtu në Shqipëri, ku kaq shumë njerëz aspirojnë dhe meritojnë të njëjtat të drejta, mbrojtje dhe mundësi, ashtu si dhe qytetarët e tjerë të këtij kontinenti, suksesi dhe ambicia e projektit evropian duken të jashtëzakonshme.

Historia e Bashkimit Evropian është gjithashtu historia e marrëdhënieve të tij  me vende partnere dhe sidomos me fqinjët e tij evropianë. Me përparimin e Bashkimit Evropian vendet e Ballkanit Perëndimor po e ndryshonin  në mënyrë radikale historinë e tyre. BE-ja e ka ndihmuar tranzicionin e tyre që nga dita e parë dhe vazhdimisht ka afirmuar mbështetjen e vet të qartë për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.

Në Shqipëri progresi ka qenë i jashtëzakonshëm. Lidhjet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian kurrë nuk kanë qenë më të forta dhe vendi nuk ka qenë kurrë kaq afër bashkimit me familjen e BE-së. Siç u tha kohët e fundit Përfaqësuesja e Lartë /Zëvendës Presidentja Federica Mogherini studentëve të Universitetit të Tiranës: “Bashkimi Evropian nuk do të jetë i plotë derisa gjithë Ballkani Perëndimor t’i bashkohet komunitetit.” Udhëheqësit e BE-së e kanë konfirmuar këtë njëzëri në fillim të këtij muaji. Dera për në BE është e hapur.  Nëntorin e kaluar Komisioni Evropian rekomandoi hapjen e negociatave të anëtarësimit, duke pasur parasysh progresin në përmbushjen e pesë përparësive kyçe dhe në varësi të arritjes së rezultateve të prekshme dhe të besueshme në zbatimin e reformës së drejtësisë e, veçanërisht, vetingut. Tani është koha që udhëheqja shqiptare të marrë përgjegjësitë e veta për zbatimin e reformave të orientuara drejt BE-së.

Në Shqipëri dhe kudo në botë, ndërhyrja evropiane përpiqet për të drejtat e njeriut, zhvillim të qëndrueshëm, shoqëri përfshirëse dhe luftë kundër gjithë pabarazive. Ne përpiqemi për rregulla më të mira globale. Rregulla që i mbrojnë njerëzit nga abuzimi. Rregulla që zgjerojnë të drejtat dhe ngrenë standardet. Çfarëdo ngjarjesh që të sjellë e ardhmja, një gjë është e sigurt: BE-ja do të vazhdojë ta vendosë paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, bashkëpunimin për zhvillim, të drejtat e njeriut dhe reagimin ndaj krizave humanitare në zemër të politikave të veta të zgjerimit, politikave të jashtme dhe atyre të sigurisë.

* Kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri

One comment

  1. Romana.shqipetaret dhe brezat qe do vine ne kombin shqipetar nuk do ta harrojne ndihmen e SHBA dhe te BE per kete vend te shume vuajtur.Shqipetaret nuk jane hajdute dhe kriminele.Shqipetaret jane simbol i vertete dhe i vecante ne bote i miresise,bujarise,te vertetes,dhe drejtesise.Plehrat shqipetare ne Tirane Prishtine Shkup jane fatekeqesia e kombit,e ballkanit,e Europes,dhe e botes

Leave a Reply to rinia Cancel reply

Your email address will not be published.