Home / Intervista / Qeveri teknike? Fleckenstein “këshillon” Bashën: Kthehu në Parlament

Qeveri teknike? Fleckenstein “këshillon” Bashën: Kthehu në Parlament

Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Evropian Knut Fleckenstein, pohon se nëse procesi i implementimit të reformës në drejtësi dështon, atëherë Bashkimi Evropian nuk do të jetë në gjendje që të fillojë bisedimet për çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE.

Eurodeputeti i bën thirrje palëve politike që të bashkëpunojnë ngushtësisht me OSBE/ODIHR, për të siguruar më 18 qershor zgjedhje demokratike.

I pyetur lidhur me protestën e opozitës, Fleckenstein i bën apel deputetëve që t’i rikthehen punës në Kuvend, pasi janë zgjedhur me votë për të përfaqësuar qytetarët brenda institucioneve shtetërore.

Në intervistën dhënë për gazetën “TemA”, eurodeputeti shprehet skeptik mbi ndryshimet pozitive që mund të vijnë nëse kryeministri vendos të dorëhiqet.

Ai argumenton se nuk mund ta kuptojë se sa do të kontribuojë ky vendim i shefit të qeverisë në përmirësimin e situatës politike, ekonomike apo sociale të Shqipërisë.

Z.Fleckenstein, cili është mendimi juaj lidhur me protestën e opozitës, pasi protestuesit tashmë prej më shumë se një muaj kanë ngritur çadrën përpara Kryeministrisë…?

Unë i respektoj mendimet personale të atyre qytetarëve të cilët marrin pjesë në protesta paqësore me qëllim përkrahjen e bindjeve të tyre politike.

Jam shumë i lumtur që shikoj se Shqipëria është bërë një vend ku kjo është e mundur.

Liria e shprehjes është një nga të drejtat më të rëndësishme në demokracitë e Evropës dhe ne duhet të bëjmë më të mirën tonë për të respektuar dhe mbrojtur këtë të drejtë themelore të qytetarëve tanë.

E vetmja gjë për të cilën nuk jam dakord është bojkotimi i Parlamentit.

Deputetët janë zgjedhur për të përfaqësuar qytetarët brenda institucioneve shtetërore. Ata duhet që të kthehen në vendin e tyre të punës.

A mendoni se kryeministri Edi Rama duhet të dorëhiqet, në mënyrë që të formohet një qeveri teknike për të përmbushur kërkesat e opozitës?

Gjatë vizitës sime të fundit në Tiranë, kam dëgjuar thirrjen e opozitës për një qeveri teknike. Nuk e kuptoj se sa ky propozim do të kontribuojë në përmirësimin e situatës politike, ekonomike dhe sociale të Shqipërisë.

Një dorëheqje e mundshme e Edi Ramës, e ndihmon apo e pengon procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian?

Unë sapo erdha nga një vizitë në Mqedoni, i cili është një shtet me qeveri të përkohshme.

Ky vend fqinj i Shqipërisë është në një krizë të thellë politike që tashmë e ka dëmtuar rëndë ekonominë e vendit, reputacionin ndërkombëtar dhe perspektivën e saj për integrimin evropian. Fatmirësisht, Shqipëria është në një situatë shumë ndryshe.

Verën e kaluar, Parlamenti i Shqipërisë vendosi me mbështetjen e gjithë parlamentarëve të qeverisë dhe të opozitës për të zbatuar një reformë gjyqësore gjithëpërfshirëse. Ky ishte një moment shumë i rëndësishëm.

Zbatimi i reformës së gjyqësorit do ta çojë Shqipërinë përpara procesit për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Ata që përpiqen ta bllokojnë ose pengojnë këtë reformë efektive dhe të besueshme, bllokojnë nisjen e negociatave për futjen e Shqipërisë në BE.

Cili është mendimi juaj, a ka qeveria aktuale kapacitet për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme?

Qeveria, Parlamenti, administrata zgjedhore, media, të gjitha partitë politike dhe të gjithë votuesit duhet të japin kontributin e tyre që të sigurojnë zgjedhje të lira e të ndershme në Shqipëri.

Qeveria dhe Parlamenti janë përgjegjëse për ligjin zgjedhor dhe reformimin e tij.

Administrata zgjedhore duhet të sigurojë një përgatitje dhe organizim profesional.

Media duhet të japë një zë për të gjitha palët dhe shqetësimet, duke respektuar dispozitat e ligjeve përkatëse. Palët duhet të emërojnë kandidatë pa dosje penale dhe duhet të heqin dorë nga përpjekja për të blerë vota.

Votuesit duhet të bëjnë një zgjedhje të vetëdijshme dhe t’ia japin votën atyre kandidatëve që ata i konsiderojnë më kompetentë, me integritet dhe kush mbron idetë e tyre politike.

Çfarë rreziku mund t’i vijë Shqipërisë nëse reforma në drejtësi nuk do të jetë implementuar deri në zgjedhjet e ardhshme?

Nëse procesi i verifikimit është i bllokuar dhe zbatimi i reformës në drejtësi nuk fillon, Bashkimi Evropian nuk do të jetë në gjendje që të fillojë bisedimet për pranimin e Shqipërisë si anëtare.

Para ditësh, jeni takuar me kryeministrin Edi Rama, liderin e opozitës Lulzim Basha dhe kryetarin e Parlamentit Ilir Meta. Pse nuk pati asnjë marrëveshje? Çfarë e pengon dialogun mes palëve?

Qëllimi i vizitës sime të fundit në Tiranë më 21 dhe 22 shkurt nuk ishte për të negociuar një marrëveshje midis partive politike shqiptare. Kjo u takon liderëve politikë.

Unë erdha të diskutoja raportin tim të fundit për Parlamentin Evropian rreth përgatitjeve të Shqipërisë lidhur me anëtarësimin në BE. Kisha për qëllim të mblidhja informacione në lidhje me fillim e procesit Vetting-ut dhe progresit të reformës në drejtësi.

Ka vend për ndërhyrjen e ndërkombëtarëve për zgjidhjen e krizës, në një skenar të ngjashëm me atë të vitit 2009 kur opozita e asaj kohe ankohej në lidhje me mënyrën se si u mbajtën zgjedhjet?

Kjo është detyrë e udhëheqësve politikë shqiptarë të cilët duhet të merren me sfidat politike në Shqipëri. Ndërmjetësimi ndërkombëtar ka kuptim vetëm kur kërkohet nga të gjitha palët e përfshira.

Çfarë sugjerimesh apo këshillash mund t’i jepni mazhorancës dhe opozitës? A keni ndonjë mesazh për ta?

Unë i bëj thirrje opozitës që të rinisë punën e saj në Parlament.

I bej apel qeverisë, Parlamentit, mazhorancës dhe opozitës, të bashkëpunojnë ngushtësisht me OSBE-në dhe ODIHR, në mënyrë që të sigurojnë zgjedhje demokratike.

Ato duhet të jenë të denja për një anëtar të ardhshëm të Bashkimit Evropian.

TEMA

One comment

  1. Fleckenstein.Te sillet NATO urgjentisht ne Tirane dhe te shpetohet populli shqipetar.Sali berisha lulezim basha duan te vrasin popullin shqipetar per ti shpetuar drejtesise.

Leave a Reply to shqip Cancel reply

Your email address will not be published.