Bota

BE-SHBA kërkojnë lirimin e protestuesve në Rusi

Bashkimi Europian kërkoi lirimin e shpejtë të qindra njerëzve, që u arrestuan gjatë protestave të ndryshme në Rusi të dielën.

Një zëdhënës i BE-së tha se veprimet e policisë ruse nuk lejuan ushtrimin e të drejtave bazë të lirisë së shprehjes, bashkimit dhe grumbullimit paqësor, të cilat janë të drejta themelore në Kushtetutën ruse.

Në një komunikatë për shtyp të bllokut iu bëhet thirrje autoriteteve ruse që të respektojnë angazhimet ndërkombëtare që kanë marrë dhe të lirojnë pa vonesa demonstruesit paqësorë që janë ndaluar.

Në të njëjtin kuadër, Departamenti amerikan i Shtetit tha se protestuesit duhet të jenë në gjendje që të ushtrojnë të drejtat e tyre, pa pasur frikë për raprezalje.

Protestuesit e shumtë që dolën në rrugët e dhjetëra qyteteve ruse kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Dmitry Medvedev për shkak të akuzave për korrupsion.

Mes atyre që u arrestuan ishte edhe udhëheqësi kryesor i opozitës ruse, Alexei Navalny, i cili doli në gjyq të hënën. Mjaft sfidues, nga gjykata ai dërgoi një mesazh në “Twitter”, ku shkruante se do të vijë koha kur pushtetarët të dalin në gjyq, por në një gjyq të drejtë.

Autoritetet ruse, ndërkohë, as që kanë reaguar ndaj thirrjeve të Perëndimit, ndërsa protestat nuk u pasqyruan aspak në mediet shtetërore.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button