Ekonomia

Falimenti i VIP-ave, Tatimet tërhiqen nga kërkesa për Eurotech Cement

EURO CEMENT

 Më 12 janar të këtij viti, Drejtoria Rajonale Tatimore Tatimpaguesit e Mëdhenj (VIP-at) paraqiti kërkesën për fillimin e procedurave në falimentit për subjektin Eurotech Cement, bazuar në ligjin nr. 8901 të vitit 2002 “Për falimentimin”.

Tatimet bënë shpalljen publike të aktit për fillimin e procedurës së falimentit dhe për zhvillimin e seancës përgatitore për këtë çështje civile, për subjektet e interesuara, apo kreditorët e shoqërisë “Eurotech Cement”.

Por, pas më pak se dy muajsh, Tatimet janë tërhequr nga kjo kërkesë. Në fillim të muajit mars, Drejtoria Rajonale e Tatimpaguesve të mëdhenj ka kërkuar në Gjykatën e Durrësit pushimin e çështjes civile për çeljen e procedurës së falimentit për Eurotech Cement.

Nga të dhënat në bilancin e vitit 2015, shoqëria Eurotech Cement rezulton në një gjendje të vështirë financiare, me humbje të larta. Të ardhurat e saj ishin 543 milionë lekë (rreth 4 milionë euro), me një rënie prej gati 20% me bazë vjetore dhe humbje prej rreth 70 milionë lekësh. Rezultati negativ në vite ka bërë që kompania të rezultojë në fund të vitit 2015 me një kapital negativ prej 307 milionë lekësh (rreth 2.2 milionë euro). Në bazë të ligjit aktual për falimentin, Tatimet kanë të drejtë të kërkojnë falimentin, kur një shoqëri rezulton me humbje në kapital (kapital negativ) për tre vite radhazi. Kompania rezulton se ka detyrime në banka në vlerën e 407 milionë lekëve (rreth 3 milionë euro).

Megjithatë, në bilancin e 2015-s, kompania nuk shpreh ndonjë shqetësim, ndonëse e pranon që ka ngadalësim të aktivitetit dhe detyrime të larta. “Shoqëria nuk përballet me ndonjë problem dhe nuk parashikon ndonjë deri në fund të vitit 2016 dhe shitjet e planifikuara janë në përputhje me pjesën e tregut në viteve të mëparshme. Nga analiza e fakteve dhe rrethanave, rreziku kryesor për kompaninë në “ardhmen e parashikueshme” është mundësia potenciale për përshpejtimin e shlyerjes së linjës së kredisë dhe detyrimeve ndaj Intercom Srl për shkak të përkeqësimit në tregun e brendshëm të ndërtimeve për banim dhe mungesën e investimeve të rëndësishme publike të cilat rezultojnë në përkeqësim të rëndësishëm të flukseve hyrëse të parasë, duke shkaktuar pakësim ose mungesë të fondeve. Më 31 dhjetor 2015, Shoqëria ka aktive neto negative me vlerë prej 306,909,674 Lekë, por ka detyrime për t’u paguar ndaj Intercom, shoqëri e kontrolluar nga grupi, në shumën 884,588,257 lekë, (shënimi 16) dhe një detyrim afatshkurtër në shumen 407,187,025 lekë garantuar nga grupi, të cilat përfaqësojnë detyrimet afatshkurtër dhe afatgjata të Shoqërisë. Gjithashtu drejtimi i Grupit ka deklaruar angazhimin e tij për vazhduar mbështetjen ndaj operacioneve të shoqërisë”, thuhet në pjesën për vlerësimet dhe gjykimet në bilancin e 2015-s.

Tregu i prodhuesve të çimentos ndodhet në mbijetesë për shkak të kërkesës së dobët të brendshme dhe shpresa e vetme mbetet eksporti. Sipas prodhuesve, që nga viti 2009, rënia llogaritet në rreth 50%. Pas vitit 2014, tregu i çimentos si në import, ashtu edhe në eksport ka njohur vetëm trend rënës.

Ligji i ri i falimentit

Në bazë të ndryshimeve të fundit të Kodit të Procedurave Tatimore, tatimeve u hiqet e drejta për të filluar procesin e falimentit të një biznesi, pasi procedura e falimentit tashmë do të rregullohet me ligjin e ri të falimentit. I miratuar në fund të vitit të kaluar, ligji pritet të hyjë në fuqi në 27 maj, pasi gjysma e parë e këtij viti ishte lënë si një periudhë tranzitore përgatitjeje.

Sipas ligjit të ri procedura e falimentimit ka si qëllim të shlyejë, në mënyrë kolektive, detyrimet e debitorit nëpërmjet likuidimit të të gjitha pasurive të tij dhe shpërndarjes së të ardhurave, ose, nëpërmjet riorganizimit ose arritjes së një marrëveshjeje tjetër të re, me synim kryesor ruajtjen e veprimtarisë së debitorit. Sipas ligjit të ri, procedura do të realizohet përmes likuidimit, riorganizimit, ristrukturimit të borxhit për konsumatorët me të ardhura të rregullta, ristrukturimit të borxhit për subjektet tregtare përmes marrëveshjeve jashtëgjyqësore, të miratuara nga gjykata e falimentimit.

Sipas juristëve, një nga rreziqet kryesore të periudhës së post–miratimit të ligjit për falimentimin është krijimi i praktikave dhe standardeve të ndryshme procedurale nga gjykata kompetente për të njëjtën periudhë kohore për shoqëri të ndryshme debitore. Ata thonë se aktualisht, ka një numër të madh shoqërish që janë në procedura falimentimi pranë gjykatave shqiptare. Me miratimin e ligjit të ri, procedura e falimentimit për shoqëritë që janë në proces (për shembull shoqëritë që kanë kërkuar hapjen e procedurës në shtator 2015 – nëntor 2016) do të vijojë sipas ligjit të shfuqizuar, ndërsa për shoqëritë, të cilat kërkesën e depozitojnë me hyrjen në fuqi të ligjit të ri, procedurat do të zbatohen sipas ligjit të ri. Neni 210 i ligjit të ri parashikon: “‘Procedurat në vazhdim’ – Ky ligj nuk ka fuqi prapavepruese dhe rregullon vetëm procedurat e nisura pas hyrjes së tij në fuqi.”. Është një zgjidhje e ofruar në kuadër të parimit të sigurisë juridike (mosndryshimit të rregullave të lojës kur loja ka filluar) por që në realitet, do të sjellë aplikimin e dy ligjeve në të njëjtën kohë. Më konkretisht, një gjyqtar që duhet të udhëheqë një procedurë falimentimi të nisur para hyrjes në fuqi të ligjit të ri, duhet të zbatojë procedurat e ligjit të shfuqizuar. Po ky gjyqtar, nëse duhet të udhëheqë një procedurë falimentimi të hapur pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri, duhet të zbatojë ligjin e ri.

EURO CEMENT

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button