Libri

Me poezitë e Thimjo Nathanailit

Këto janë vargjet e para të poezisë “Lisi” me autor Thimjo Nathanaili. Një poezi e ndjerë e cila ndërthur bukur një ndjesi njerëzore, me çastet e natyrshme të natyrës, duke e parë Lisin si një pjesë tonën.

Lisi i moçëm që personifikon jetën e pafundme, nuk mban gjë tjetër veç shtresat shpesh të trishtuara të një realiteti që na rrethon. Megjithatë, poeti kërkon të shohë bukur. Ai e përdor poezinë si një formë për të depërtuar tek drita që ndodhet gjithmonë diku, përmes së cilës mund të gjesh gëzimin e jetës. “Sonata e lisit”, nr 1 dhe, nr 2, dy vëllime poetike na ftojnë në një botë të jashtëzakonshme ndjenjash, shprehur me një gjuhë të kujdesshme, e plot stil, nga një poet, i cili dhe pse vjen vonë në botën e letrave, di të befasojë e të qëndrojë aty.

Poetit i pëlqen t’i quajë dy librat si një të vetëm, një këngë në vargje që rrjedh e buron nga muza dhe filozofia e tij për trininë e shenjtë tokësore: Natyra-Njeriu-Dashuria. E kjo ndjehet lehtë teksa kalon nga një poezi në tjetrën. Shpëtim Çuçka përkthyes dhe njohës i mirë i librit, nuk mund të rrinte pa shkruar disa rreshta pas leximit të poezive të mikut të tij Nathanaili.

“Mendoj që vjershat e tua janë pjesë e letërsisë që arrin të komunikojë me lexuesin…ato arrijnë që të hapin dyert e zemrave të njerëzve. Kjo është një arritje e madhe në art. Njeriu që arrin të hyjë tek të tjerët, që gjen vend te vatra e të tjerëve është NJERI. Dhe, kjo është arritje shumë e madhe në jetë. Më e madhja! Pas këtij çasti, pas kaptimit të këtij pragu, hapet rruga e pafund e përsosmërisë. E përsosmërisë të shprehjes, e përsosmërisë së komunikimit me të tjerët, me të panjohurit…”, shkruan Çuçka.

Thimjo Nathanaili u lind më 29 dhjetor 1950 në Tiranë. Shkollën e mesme e kreu pranë gjimnazit “Petro Nini Luarasi” me rezultate shumë të mira, ku dallohet veçanërisht në lëndën e letërsisë. Si për ironi të fatit caktohet për të vazhduar shkollën e lartë për oficer, por e refuzon. Punon si punëtor për një vit. Studimet e larta i fillon pranë Fakultetit Gjeologji Miniera, dega Gjeofizikë. Më vitin 1974 diplomohet si inxhinjer gjeofizikë.

Rreth 20 vjet punon në malet e Shqipërisë, në kërkim të mineraleve të bakrit dhe aluminit, larg pasionit rinor letërsisë, por pranë e mes natyrës e njeriut shqiptar. Pas vitit 1990 punon si specialist për 12 vjet në Drejtorinë e Taksave Bashkia Tiranë.

Më vitin 2013 pas largimit nga detyra shtetërore,me kohën e lirë në dispozicion, rikthehet e takon “dashurinë e vjetër“ letërsinë. Poezitë e para publikohen në përmbledhjen me titull “Sontata e Lisit, nr1” në janar 2015.

Më pas boton “Sonata e Listit nr 2”. Tashmë ai është duke përfunduar “Sonatën e Lisit nr 3”. Kjo metaforë  për të depërtuar brenda shpirtit njerëzor, përmes një peme dhe gjendje kaq të ndjerë të natyrës, e bën atë një poet që do lexohet gjithmonë.

Rasti i Thimjo Nathanailit, këtij poeti befasues tregon se koha për tu rikthyer tek gjërat që duam më shumë është gjithnjë aty, dhe asnjëherë nuk është vonë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button