Ekonomia

Call Center, turp për qeverinë që nuk i mori seriozisht!

1 Prilli në Shqipëri është më shumë i njohur me humor, pasi përkon me Ditën e Gënjeshtrave, por këtë vit, ai do të kujtohet për një element më shumë hidhërues. Në këtë datë hynë në fuqi ndryshimet në ligjin e buxhetit të qeverisë italiane, të miratuara që në dhjetor, të cilat janë ndër më shtrëngueset në Bashkimin Europian dhe që synojnë të frenojnë largimin e sipërmarrjeve të qendrave telefonike (call center) nga Italia. Objektivi primar duket të ketë qenë Shqipëria, e cila vitet e fundit po tërhiqte masivisht sipërmarrjet e këtij lloji, për shkak të dy avantazheve kryesore, atë të kostos së lirë të fuqisë punëtore dhe të një rinie energjike që ka njohuri të mira për gjuhën italiane. Shqipëria dukej aq interesante në këtë segment, sa aktorët e tregut pohojnë se, nëse nuk do të kishin pengesa, të gjithë do të zhvendoseshin në vendin e shqiponjave. Kjo duket se e ka trembur qeverinë e përtej detit, që nxitoi të mbante ato pak kompani që kishin mbetur dhe të merrte masa për t’ua vështirësuar punën atyre që ishin zhvendosur tashmë.

Ka dy lloj biznesesh të lidhur me këtë fushë. Së pari janë operatorët direkt call center (që punësojnë të rinjtë me njohuri italiane) dhe që zhvendosin fizikisht aktivitetin dhe, së dyti, janë sipërmarrjet e tjera, që operojnë në Itali, por u japin punë operatorëve call center (p.sh., kompanitë e telekomunikacioneve, televizionet, ato të internetit etj.). Te këto të dytat duket se e ka përqendruar vëmendjen qeveria e shtetit fqinjë. Mediat italiane njoftojnë se qeveria, krahas masave shtrënguese, ka punuar për të marrë angazhime nga 15 subjekte të mëdha italiane, që të vetërregullohen në mënyrë që të minimizojnë lëvizjet edhe brenda BE-së, që të shmanget që të kalojnë nga Shqipëria në Rumani. Dhe duket se po ia arrijnë qëllimit, TIM (Telecom Italia Mobile), Fastweb (internet) dhe Sky (shërbime televizive) nuk po rinovojnë më kontratat në Shqipëri, duke rrezikuar të lënë pa punë shumë operatorë call center, që kanë ngritur aktivitetin në vendin tonë. Si reagim, operatorët shqiptarë po përpiqen të diversifikohen, duke gjetur klientë të tjerë (për bursat p.sh.), ose duke u diversifikuar. Por në Shqipëri, ata janë vetëm, ndryshe nga Italia, ku kanë mbështetjen e qeverisë.

Ndërsa qeveria italiane po mendon seriozisht për të ruajtur 80 mijë vendet e punës që kanë mbetur nga ky sektor në Italinë me 61 milionë banorë, ajo shqiptare nuk e ka vënë ujin në zjarr për 25 mijë të rinjtë shqiptarë, që jetojnë në vendin me më pak se 3 milionë banorë, e që po boshatiset përditë e më shumë, pikërisht për shkak të këtyre pasigurive.

Që në dhjetor, kur u bë për herë të parë publik plani i qeverisë italiane, asnjë reagim nuk erdhi nga pala shqiptare. Përkundrazi kjo çështje u trajtua pa seriozitetin e nevojshëm, madje u tha se ky është një alarm i kotë dhe i panevojshëm, sepse asgjë nuk do të ndodhë. Nuk ka reagim as tani, që kontraktorët e mëdhenj italianë po i braktisin call center-at në Shqipëri dhe kur mediat njoftuan se u mbyllën 30 call center-at e para.
Nuk ka aspak seriozitet as në trajtimin e çështjes së punësimit, që sot është më i paqëndrueshëm se asnjëherë. Të dhënat e 100 punëdhënësve më të mëdhenj (shiko shkrimin në faqet e brendshme të revistës) tregojnë se vendit i mungojnë dukshëm sipërmarrjet e mëdha me mbi 400 të punësuar.

Kompanitë e preferuara, banka e telekomunikacione, vitet e fundit nuk po i shtojnë punonjësit, përkundrazi janë në fazë shkurtimi. Vetëpunësimi, që ka qenë zemra e ekonomisë në dy dekadat e fundit, dhe që zyrtarisht punëson një të tretën e gjithë privatëve, tashmë nuk po ecën më për arsye ciklike (orientimin e ekonomisë drejt qendrave të mëdha tregtare e zinxhirëve të organizuar të supermarketeve). Gazsjellësi TAP, një investim miliardash, punëson më pak se kompania më e madhe call center në vend. Zyrtarisht edhe sot, 43% e atyre që llogariten që punojnë në vend, konsiderohen automatikisht të vetëpunësuar.
Edhe humori i bizneseve për të investuar, të paktën në afatin e shkurtër, mbetet i ulët për shkak të situatës së paqartë politike, mungesës së vëmendjes ndaj sipërmarrjeve dhe shtyrjes së procesit të vetting-ut, që do t’u jepte pak frymëmarrje problemeve me gjykatat dhe çështjet e tjera administrative.

Vitet e fundit kanë qenë pikërisht operatorët call center ata që kanë amortizuar këtë ‘amok’ të ekonomisë shqiptare. Lista e 100 punëdhënësve më të mëdhenj tregon se tre nga katër kompanitë më të mëdha private në vend janë nga sektori i call center. Shtatë të tilla kanë në total 10 mijë të punësuar. Një shifër kjo që do të mjaftonte të alarmonte çdo qeveri, por ajo e jona është çuditërisht shumë e qetë, deri në kufijtë e papërgjegjshmërisë…

Nga: Monitor.al

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button