Politika

Bushati-Magyar: Hungaria atashon një diplomate pranë Ministrisë së Jashtme

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati priti të hënën Ministrin e Shtetit për Diplomacinë Ekonomike të Hungarisë, Levente Magyar, i cili ndodhet për një vizitë pune në Tiranë, në kuadër të takimit mes bizneseve hungareze dhe atyre shqiptare.

Gjatë takimit, ministrat diskutuan mbi bashkëpunimin dypalësh dhe intensifikimin e mëtejshëm, ndërsa theksuan se marrëdhëniet shumë të mira politike reflektohen edhe në bashkëpunimin ekonomik, tregues i të cilit është trendi pozitiv i shkëmbimeve tregtare, si edhe prania në rritje e investimeve hungareze në tregun shqiptar.

Gjithashtu, vendosja e linjës ajrore Tiranë-Budapest, e cila filloi fluturimet më 5 prill, do t’i shërbejë forcimit të kontakteve mes njerëzve dhe bizneseve, duke rritur në të njëjtën kohë numrin e turistëve hungarezë në Shqipëri. Hungaria është e gatshme të ketë një zyrë të përfaqësimit të turizmit shqiptar në Budapest, e cila do të shërbejë në promovimin e brigjeve më të bukura dhe ende të paeksploruara të Europës.

Ministrat diskutuan edhe mbi mundësinë që Qeveria hungareze ofron për sipërmarrjet shqiptaro-hungareze përmes linjës së kredisë së butë Credit Line (ofruar përmes Exim Bank) për investime në fushën e energjisë, infrastrukturës, menaxhimit të ujërave e fusha të tjera me interes të përbashkët.

Në vijim, ministri Levente i prezantoi ministrit Bushati diplomaten hungareze që do të atashohet pranë Ministrisë së Jashtme shqiptare dhe do të ofrojë ekspertizë për procesin parapërgatitor për çeljen e negociatave, çka është një tjetër tregues i mbështetjes së vazhdueshme të Hungarisë në rrugëtimin europian të Shqipërisë në BE.

Duke vlerësuar progresin e bërë dhe përpjekjet e qeverisë shqiptare në përmbushjen e reformave, Levente garantoi se Hungaria do të vazhdojë të jetë një avokate e integrimit të vendit tonë në BE.

Lidhur me zhvillimet e fundit në rajon, dy ministrat theksuan nevojën e një roli më proaktiv të BE-së në Ballkanin Perëndimore dhe riafirmimin e perspektivës së tyre europiane. Më tej, Ministri Bushati vlerësoi si tepër të rëndësishëm rolin e Hungarisë në mbështetjen që i ka dhënë vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit në BE.

Ministri Levente, i cili është edhe bashkëkryetar i Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar të Bashkëpunimit Ekonomik, gjendet në Shqipëri për të marrë pjesë në konferencën “Shqipëri-Hungari: Sjellim së bashku profesionistët e biznesit dhe ujit”, në të cilën marrin pjesë sipërmarrje hungareze dhe shqiptare.

Gjatë kësaj konference, që u zhvillua sot në Tiranë, u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit “Për Ndihmën Reciproke në Fushën e Mbrojtjes së Konsumatorit dhe Mbikëqyrjes së Tregut”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button