Home / Europa / Le Pen: Franca s’ka përgjegjësi për arrestimet e hebrenjve

Le Pen: Franca s’ka përgjegjësi për arrestimet e hebrenjve

Kandidatja presidenciale e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen vuri gishtin në një plagë të vjetër në Francë, duke mohuar përgjegjësinë e shtetit francez për një episod arrestimi masiv të hebrenjve në Paris gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Le Pen, e cila udhëheq garën për zgjedhjet presidenciale që zhvillohen këtë muaj, shkaktoi një reagim të ashpër me komentet e saj për një nga episodet më të errëta të historisë franceze, kur vendi ishte i pushtuar nga nazistët.

“Franca nuk është përgjegjëse për episodin e Velodromit të Dimrit. Nëse dikush është përgjegjës, janë pikërisht ata që ishin në pushtet në atë kohë, por jo Franca. I kemi mësuar fëmijët tanë se kanë arsye të kritikojnë Francën dhe të shohim vetëm aspektet më të errëta historike. Por unë dua që të jenë sërish krenarë që janë francezë”, tha Marine le Pen, kandidate presidenciale.

Më 16 korrik 1942, policia franceze e Parisit, me urdhër të nazistëve grumbulloi 13 mijë hebrenj në “Velodromin e Dimrit”, stadiumi i garave çiklistike, dhe më pas i dërguan në Aushvic. Franca është përpjekur prej kohësh të bëjë paqe me rolin e saj nën regjimin kolaboracionist “Vishi” dhe vetëm në vitin 1995, presidenti i atëhershëm Jacques Chirac pranoi përgjegjësinë e shtetit francez për deportimin e hebrenjve në kampet naziste të shfarosjes.

Në vitin 2012, presidenti François Hollande e cilësoi masakrën e vitit 1942 si një akt të kryer në Francë, nga Franca. Reagimi ndaj fjalëve të Le Penit ishte mjaft i ashpër, sidomos nga grupet e hebrenjve, por edhe nga kandidatët e tjerë presidencialë, mes të cilëve Emmanuel Macron, i cili tha se njerëzit e harrojnë që Marine Le Pen është vajza e Jean-Marie Le Pen dhe që asnjë prej tyre nuk ka ndryshuar.

Leave a Reply

%d bloggers like this: