Kosova

Mungesa e edukimit fetar dhe e informacioneve për Sirinë radikalizoi kosovarët

Qendra Kërkimore për Politika të Sigurisë (SPRC) ka identifikuar faktorët që ndikojnë në radikalizëm dhe përhapje të ideologjisë së ekstremizmit të dhunshëm. Në këtë raport rekomandohet që Qeveria e Kosovës të vendos në prioritet buxhetor zbatimin e Strategjisë për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që Shpie në Terrorizëm 2015-2020 dhe Planin e Veprimit.

Në raportin e publikuar sot “Faktorët ndikues në radikalizim dhe ekstremizëm të dhunshëm: mësimet nga Peja, Mitrovica, Gjilani, Ferizaj dhe Kaçaniku”, Burim Ramadani nga SPRC dhe Xhabir Hamiti, profesor i studimeve islame, kanë prezantuar gjetjet dhe rekomandimet e Raportit Hulumtues, pas aktiviteteve disamujore në komunat Pejë, Mitrovicë, Gjilan, Ferizaj dhe Kaçanik.

Në grupimin e parë “Aspekti individual”, hyjnë këta faktorë: ndjenja e pakënaqësisë individuale,  margjinalizimit dhe padrejtësisë; mungesa e edukimit të përgjithshëm dhe edukimit fetar; mungesa e informacioneve për zhvillimet në Siri; targetimi i adoleshentëve, sidomos në shkolla; ndjenja e izolimit i të rinjve; kapaciteti dhe integriteti i ulët profesional të individëve, institucioneve; dëshira për status dhe/apo avanturë; tendenca individuale për ndryshim shoqëror apo moral; mosha transitore të jetës; ndikimi nga të tjerët.

Në grupimin e dytë “Indoktrinimi dhe propaganda”, hyjnë këta faktorë: arsyet ideologjike; instrumentalizimi i fesë për qëllime ekstremiste; përhapja a doktrinës së interpretimit rigjid, joalternativ të fesë (indoktrinimi); prijësit radikalë/interpretuesit radikal dhe veçanërisht ardhja e ligjëruesve fetarë nga jashtë Kosovës dhe pa koordinim me BIK-un; ndikimi i individëve – kryesisht tek rastet që nuk kanë traditë fetare familjare; propaganda (sidomos ajo online) dhe rrjetet sociale; shpërndarja e literaturës joadekuate; pamjet nga Siria: masakrat dhe dhuna në Siri si dhe kundër-efektet e komunikimit publik, si keqinformimi për luftën në Siri, paragjykimi, etiketimet.

Ndërkaq në grupimin e tretë, gjegjësisht në aspektet socio-ekonomike dhe operimi i organizatave të ndryshme”, hyjnë këta faktorë: Operimi i shoqatave dhe fondacioneve të huaja me motive ideologjike financimet jokrejtësisht të kontrolluara; mbështetja materiale dhe logjistike për grupe dhe individë.

Në grupimin e katërt, rrjedhimisht në vështirësitë në të kuptuarit e përgjithshëm të fenomenit, hyjnë këta faktorë: tendencat e hershme për heshtje të fenomenit; reagimi i vonshëm dhe shfaqjet e mosbesimit (dilemave) ndaj reagimit institucional; narracioni shpesh joadekuat në përballje me ideologjinë e tillë.

Ky hulumtim përfshin edhe rekomandimet e përgjithshme dhe rekomandimet specifike për institucionet.

Në kuadër të rekomandimeve të përgjithshme hyjnë: Programet e parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit duhet të jenë të bazuara mbi nevojat dhe specifikat lokale, maksimalisht duhet të përfshihen akterët lokalë në disenjimin e Iniciativave Lokale dhe Planeve të Veprimit për adresimin e kësaj dukurie.

“Secili rast, lokalitet, komunë apo rajon ka specifikat e veta të dallueshme dhe kësisoj duhet të jetë edhe qasja programore”.

Në rekomandimet specifike për Qeverinë e Kosovës thuhet se Qeveria duhet të organizojë politikat dhe mekanizmat e komunikimit të drejtpërdrejtë me qytetarët dhe me komunitetet; të vendos në prioritet buxhetor zbatimin e Strategjisë për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që Shpie në Terrorizëm 2015-2020 dhe Planit të Veprimit; të bashkërendojë aktivitetet e ndryshme nga akterë në nivele qendrore dhe lokale në ngritjen e vetëdijesimit dhe ngritjen e kapaciteteve tematike mbi ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizmin; të bashkëpunojnë me organizatat e shoqërisë civile që shtrihen në komuna veç e veç, duke i dhënë përparësi njohurive të tyre të ndërlidhura me aktivitetet në komunitet.

Për Parlamentin e Kosovës thuhet se duhet të mbështes Qeverinë e Kosovës në ofrimin e kapaciteteve buxhetore për institucionet dhe mekanizmat qendrorë e lokalë në zbatim të Strategjisë; të ndërtojë rolin e vet aktiv në komunikim me komunat, komunitetet dhe qytetarët.

SPRC po ashtu ka dalë me rekomandimet për Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK).

SPRC thekson se BIK duhet të përpilojë dhe fillojë zbatimin e një programi gjithëpërfshirës për t’u përballur me propagandat që kanë qëllim indoktrinimin e të rinjve e që bazohen në interpretime strikte, jo-alternative, të besimit fetar; të mbikëqyrë në formë të saktë zbatimin e planprogramit të ligjëratave nëpër xhamitë e Kosovës; të rris angazhimin dhe komunikimin me komunitetet dhe qytetarët në avancimin e promovimit të vlerave kombëtare dhe traditës fetare në Kosovë;

Ndërkaq, komunat duhet të fuqizojnë rolin e Forumeve të Sigurisë në Bashkësi dhe gjithë përfshirjen e qytetarëve në zgjidhjen e problemeve; të hartojnë plane veprimi në fushën e parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizimit; të ngrisin kapacitetet e brendshme tematike dhe institucionale për trajtimin më efikas të kësaj dukurie; të rrisin bashkëpunimin dhe bashkërendimin me akterë tjerë institucionalë dhe të organizatave jo qeveritare, përfshirë këtu Policinë, bashkësitë fetare, mediat, komunitetin etj.

SPRC ka dalë me rekomandimet edhe për shoqërinë civile dhe mediat, ku thuhet se aktiviteti në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit të shtrihet në komunitete dhe tek qytetarët; të fokusohen në lokalitete, të bashkëpunojnë me komunitetin dhe qytetarin; të ngrisin kapacitetet për njohjet teorike të ideologjisë së ekstremizmit të dhunshëm dhe të angazhohen në programe avokuese.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button