Politika

Kukan: Zgjedhjet pa opozitën, shkatërruese për Shqipërinë

Eurodeputeti Eduard Kukan u ka bërë thirrje forcave politike në Shqipëri që të arrijnë një marrëveshje politike për të organizuar zgjedhje të besueshme, të lira e të ndershme në vend. Gjatë një interviste dhënë Arta Tozajt të RTSH, zoti Kukan tha se mbajtja e zgjedhjeve pa pjesëmarrjen e të gjitha partive politike, me abstenime, apo bojkote të partive opozitare, nuk është në të mirën e askujt në Shqipëri. “Do të jetë shumë keq për vendin, pavarësisht se kush i fiton ato zgjedhje, që të mbahen këto lloj zgjedhjesh, sepse do të ishte shumë shkatërruese për gjithë jetën politike në Shqipëri” tha ai.

RTSH: Zoti Kukan, afati zyrtar i regjistrimit të subjekteve politike për të marrë pjesë në zgjedhjet e radhës parlamentare përfundoi, por mbetet mundësia e shtyrjes së këtij afati për t’u dhënë kohë shtesë subjekteve që duan të regjistrohen. A jeni ende në kontakt me përfaqësuesit e opozitës shqipëtare dhe cili është mesazhi juaj ndaj tyre?

Eduard Kukan: E di se afati zyrtar ka përfunduar dhe me sa kuptoj ka ende mundësi për t’u regjistruar deri më 29 Prill. Ne u themi partnerëve tanë në Shqipëri se e vetmja mënyrë për të dalë politikisht tani në vend, është pjesëmarrja në zgjedhje, është marrëveshja politike e të gjithë aktorëve të rëndësishëm që ulen për t’u marrë vesh se si të organizojnë zgjedhje të besueshme, të lira e të ndershme. Kjo është ajo çfarë u themi dhe mbetet mesazhi im sot gjithashtu.

RTSH: Zyrtarisht, a i mbështet PPE deklaratat dhe veprimet e PD?

Eduard Kukan: Unë vetëm mund të përsëris se prej ca kohësh jepen mesazhet e njëjta, pavarësisht se kush i dërgon ato, përfshirë edhe përfaqësuesit politik në nivelin më të lartë, se nuk është rrugë bojkoti, apo moslejimi i mbajtjes së zgjedhjeve. Ne gjithmonë u themi se është e domosdoshme që ju të merrni pjesë dhe të dëshmoni se ju jeni të fortë politikisht në zgjedhje, në varësi të njerëzve që do të votojnë për ju. Kjo është ajo çfarë u themi, mbase nuk ka një qëndrim zyrtar të PPEsë, por këto mesazhe që japim janë të qëndrueshme dhe sistematike.

RTSH: A do i quani këto zgjedhje legjitime, nëse nuk do të ketë asnjë parti opozitare të regjistruar edhe në përfundim të afatit shtesë?

Eduard Kukan: Për të qenë shumë të qartë, mbajtja e zgjedhjeve pa pjesëmarrjen e të gjitha partive politike, me abstenime, apo bojkote të partive opozitare, nuk është në të mirën e askujt në Shqipëri, as për partitë qeverisëse, apo le të themi për fituesit e zgjedhjeve, as për ata që bojkotojnë zgjedhjet. Mendoj se ne kemi rregulla të qarta për vëzhgimin e zgjedhjeve dhe për këtë arsye, OSBE po dërgon vëzhguesit e saj dhe kjo do jetë e qartë. Por, e përsëris se do të jetë shumë keq për vendin, pavarësisht se kush i fiton ato zgjedhje, që të mbahen këto lloj zgjedhjesh, sepse do të ishte shumë shkatërruese për gjithë jetën politike në Shqipëri.

RTSH: Si e vlerësoni qasjen e dy partive në pushtet? A keni ndonjë mesazh për ta, apo këshillë se si ata mund të trajtojnë kërkesat e opozitës?

Eduard Kukan: Në këto rrethana, është shumë e vështirë të japësh receta se si të zgjidhet situata, pasi të gjithë e dimë se është shumë serioze, tepër e komplikuar. E vetmja pjesë këshillës sime me përulje do të ishte që të vijojnë të tentojnë për të zgjidhur gjërat politikisht, duke u takuar e duke biseduar, në kuptim të krijimit të kushteve për zgjedhje të lira e të ndershme dhe kjo është e vetmja gjë që mund të them në këtë kuaër.

RTSH: Kur flasim për dialog, të dy palët pajtohen se janë të gatshëm, por dialogu nuk zhvillohet. Si dilet nga kjo?

Eduard Kukan: Dialogu, mendoj se është e vetmja mënyrë për të trajtuar situatën aktuale dhe duhet të ketë një dialog politik kuptimplotë nga të dyja palët. Kuptimplotë do të thotë një dialog, që trajton realitetin politik në vend për të gjetur zgjidhjen që do t’i ndihmonte vendit, sepse shumë gjëra priten nga këto zgjedhje në Shqipëri, të cilat do të kenë tepër ndikim për të ardhmen e vendit sa i takon integrimit europian, por këto gjëra i kemi përsëritur kaq shumë herë..

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button