Rajoni

Greqia i dorëzon konsorciumit gjerman “Fraport”aeroportet me koncesion për 40 vite

Prej mëngjesit të së martës, 14 aeroporte të Greqisë i kalojnë përfundimisht konsorciumit “Fraport”, që ka fituar për 40 vite koncesionin për operimin, menaxhimin, zhvillimin dhe mirëmbajtjen e tyre.
Tre prej 14 aeroporteve, ai i Selanikut, i Kavalës dhe i Aktiut, që i kalojnë konsorciumit gjerman, ndodhen në Greqinë kontinentale. Ndërsa 11 të tjerët ndodhen në ishujt e Korfuzit, Kretës, Kefalonisë, Kosit, Mitilinit, Mikonos, Rodosit, Samos, Santorinit, Skiatos dhe Zakintos.
Me dorëzimin e tyre, qeveria greke përfiton në bazë të marrëveshjes për privatizimet 1.23 miliardë euro. Pas ditëve të para të vlerësimit të gjendjes së këtyre aeroporteve, të cilat u kanë shërbyer gjatë vitit të kaluar mbi 25 milionë pasagjerëve, prej të cilëve 77% turistë të huaj, brenda një muaji do të fillojnë investime prej 400 milionë euro për mirëmbajtjen, përmirësimin dhe zgjerimin që do të vazhdojnë në këto 4 dekada dhe në bazë të evoluimit të trafikut të pasagjerëve mund të shkojnë deri në 10 miliardë euro.
Vetëm në Aeroportin e Selanikut do të investohen për përmirësimin e infrastrukturës 95 milionë euro, ndërsa edhe në Korfuz, Kefaloni, Kos dhe Lesbos do të ketë rritje të sipërfaqes së terminaleve, mbi 70 pika të reja “check in”, 40 pika më shumë kontrolli, si dhe rritje të vendeve të parkimit të aeroplanëve.
Siç theksojnë drejtuesit e konsorciumit, përfitimet në nivel kombëtar dhe rajonal janë të shumta dhe infrastruktura moderne e 14 aeroporteve do të jetë një garanci për mbështetjen e suksesshme të turizmit, që është edhe industria “e rëndë” e Greqisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button