Home / Kronika / Në gjykatë tre ish zyrtarët e drejtorisë Tatimore të Shkodrës

Në gjykatë tre ish zyrtarët e drejtorisë Tatimore të Shkodrës

Prokuroria e Shkodrës ka dërguar për gjykim tre ish zyrtarët e drejtorisë rajonale të Tatimeve, duke mbyllur hetimet për ta në akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Ata akuzohen se gjatë procesit të rimbursimit të tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH) për katër kompani private, i kanë shkaktuar shteti një dëm financiar prej rreth 200 mijë eurosh.
Në akuzë janë Hysen Hysaj, ish drejtori rajonal i Tatimeve, Agron Ramadani, ish drejtor i vlerësimit tatimor dhe Vahide Idrizi, ish inspektore e tatimeve.
Rimbursimi i TVSH-së për këto kompani është realizuar në kundërshtim me ligjin, pasi ato kanë përfituar edhe pse kishin në total një detyrim financiar rreth 300 mijë euro ndaj administratës doganore dhe tatimore.
Prokuroria e Shkodrës nisi hetimin në vitin 2016, në vijim të një konflikti të brendshëm administrativ ndërmjet të pandehurit Hysen Hysaj, drejtor rajonal i Tatimeve dhe Agron Ramadani, drejtor i Vlerësimit në atë institucion.
Ndërmjet dy zyrtarëve të lartë kishte mosmarrëveshje lidhur me rimbursimin e një subjekti privat, në vlerën rreth 11 milionë lekë të reja. Drejtori i vlerësimit, Ramadani, nuk pranonte të rimbursonte kompaninë, pasi ishte në kundërshtim me rregullat tatimore. Por drejtori rajonal, Hysaj, këmbëngulte për realizimin e procedurës. Për këtë konflikt brenda institucionit, drejtori i vlerësimit, Ramadani, njofton edhe Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, duke i vënë në dijeni gjithashtu se administratori i subjektit ishte i afërm i drejtorit rajonal të Tatimeve Shkodër dhe për këtë arsye Drejtoria e Vlerësimit duhet të realizonte procedurat për rimbursimin e TVSH-së në favor të subjektit.
Diskutimi mbi këtë çështje u zhvillua edhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, me urdhër të drejtoreshës së asaj kohe, Briseida Shehaj. Gjatë hetimit, ish-drejtori i Vlerësimit Tatimor, Ramadani, ka pretenduar se, për këtë çështje, është telefonuar edhe nga Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, nga telefoni i një zyrtari tjetër në DPT, ku i ka kërkuar që të miratojë procedurën sipas kërkesës së Drejtorit Rajonal.
Prokuroria e Shkodrës ka pyetur në cilësinë e deklaruesit edhe ish-drejtoreshën e Përgjithshme. Gjithësesi, gjatë hetimit, nuk u arrit të provohej pretendimi i të pandehurit Ramadani se ka pasur ndërhyrje nga drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve.
Në vijim, ai nuk ka pranuar të nënshkruajë procedurën dhe, për këtë arsye, nga ana e drejtorit Rajonal ndaj tij është urdhëruar nisja e procedimit disiplinor, ndërkohë që kompania private ka përfituar rimbursimin në vlerën rreth 11 milionë lekë të reja.
Gjatë hetimit të kësaj çështjeje, Prokuroria e Shkodrës identifikoi edhe të paktën 3 raste të tjera, në të cilat Drejtoria Rajonale e Shkodrës ka rimbursuar TVSH-në në kundërshtim me ligjin.
Në këto tre raste,  nga hetimet e Prokurorisë, rezultoi se veprimet antiligjore janë realizuar nga drejtori Rajonal Tatimor, Hysen Hysaj, në bashkëpunim me drejtorin e Vlerësimit, Agron Ramadani. Dy drejtuesit kryesorë tatimore,  rezulton se kanë pasur mirëkuptim me njëri-tjetrin për rastet e 3 kompanive të tjera, në plotësimin e praktikave për rimbursim, në kundërshtim me ligjin. Në veprimet e tyre, ata kanë përfshirë edhe inspektoren tatimore Vahide Idrizi.
Në fazën e parë të hetimeve paraprake, Prokuroria e Shkodrës urdhëroi ndalimin e drejtorit rajonal (në detyrë në atë kohë), Hysen Hysaj. Më tej, hetimi ndaj tij u zhvillua me masën e sigurimit “detyrim për paraqitje”, vendosur nga Gjykata Shkodër.

Leave a Reply

Your email address will not be published.