Kronika

Sigmar Gabriel, në Tiranë: Reforma, jo tendosje e përçarje

Ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel mbërrin të hënën në Tiranë, në vazhdën e një turi që e çon edhe në Serbi e Kosovë.

“Ne duam të mbështesim vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt funksionimit të shtetit juridik, stabilitetit dhe mirëqenjes”, deklaron Gabriel i cituar nga “Deutsche Welle”.

“Do t’i siguroj bashkëbiseduesit e mi, – vazhdon shefi i diplomacisë gjermane, – se rruga e anëtarësimit në BE mbetet e hapur, nëse bëjnë përparime dhe vazhdojnë të realizojnë reformat, në vend të tendosjeve dhe përçarjeve”.

Të mërkurën, shefi i diplomacisë gjermane do të qëndrojë në Serbi, ku do të takohet me kryeministrin aktual dhe presidentin e zgjedhur të vendit, Aleksandar Vuçiç, i cili përballet me protesta masive në rrugë. Mijëra tubues në Beograd dhe rreth 20 qytete të tjera kanë kërkuar largimin e tij nga pushteti, me pretendimin se ka manipuluar zgjedhjet.

Ndalesa e radhës do të jetë Kosova, ku Gabriel do të informohet mbi gjendjen dhe arsyet e tensioneve të fundit. Nëntë vite pas shpalljes së Pavarësisë, Serbia vazhdon ta konsiderojë Kosovën pjesë të saj. Ndërmjetësimi i bllokut europian ka dhënë rezultate në dialog, por shumë marrëveshje nuk janë realizuar deri në fund.

Në kuadër të KFOR-it, në Kosovë vazhdojnë të mbeten rreth 550 ushtarë gjermanë. Axhenda e kryediplomatit gjerman atje nuk është konfirmuar ende, por bëhet e ditur se do të bisedojë me përfaqësues vendorë e ndërkombëtarë.

Në një intervistë dhënë të përditshmes “Blic”, pak përpara vizitës së tij, Gabriel sqaroi se Gjermania e mbështet dialogun mes Serbisë dhe Kosovës dhe tha se është e rëndësishme për BE-në, që të dyja proceset “negociatat e aderimit” dhe “normalizimi i marrëdhënieve” të Beogradit me Prishtinën të ecin paralel me njëra-tjetrën.

Related Articles

Nje koment

  1. Z.Sigmar Gabriel.Nuk duhet humbur edhe nje minute.Te sillet Nato ne Tirane dhe Te clirohen shqipetaret.Shqipetaret jane simbol i vecante ne bote i miresise,bujarise,te vertetes dhe drejtesise.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button