Muzike

Eurovision 2017

Ukraina hapi dyert e ambientit ku do të mbahet Festivali europian i Këngës. Punimet po zhvillohen me ritme tepër të shpejta në “International Exhibition Centre” në Kiev, sipas zëvendëskryeministrit Vyacheslav Kyrylenko, i cili nuk ngurroi të theksonte se urdhri për të ndaluar pjesëmarrjen e përfaqësueses ruse në konkurs mbetej i pandryshuar.

“Po përgatitemi për Eurovizionin me shpejtësinë maksimale. Presim pjesëmarrës nga të 43 vendet, përfshirë Federaten Ruse. Por përfaqësuesja e Rusisë, ashtu si çdokush tjetër, nuk duhet të jetë në konflikt me ligjin ukrainas. Pozicioni ynë lidhur me çështjen mbetet i pandryshuar”, tha Vyacheslav Kyrylenko, zv.kryeministër.

Ukraina ka refuzuar të tërhiqet nga vendimi për të mos lejuar hyrjen në vend të këngëtares ruse, Yulia Samoylova, pavarësisht kërcënimeve të organizatorëve për të përjashtuar Kievin nga konkurse të ardhshme.

Marrëdhëniet mes Ukrainës dhe Rusisë janë përkeqësuar ndjeshëm që prej aneksimit të Krimesë në vitin 2014 dhe shpërthimit të dhunës në rajonin Donbass. Armiqësia e tyre u shtri edhe në Festivalin europian të Këngës, pasi përfaqësuesja ukrainase Jamala fitoi edicionin e vitit të kaluar të Eurovizion me një këngë për deportimet masive të tartarëve etnikë nga gadishulli i Krimesë.

Pasi fitoi të drejtën e organizimit të festivalit të këtij viti, Ukraina ndaloi hyrjen e këngëtares ruse në territorin e saj, me pretendimin se ajo kishte vizituar Krimenë pa lejen e Ukrainës. Festivali europian i Këngës zhvillohet në datat 9, 11 dhe 13 maj, ndërsa Shqipëria përfaqësohet nga këngëtarja Linda Halimi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button