Home / Opinion / Gjermania nuk do të jetë më e njëjta?

Gjermania nuk do të jetë më e njëjta?

“Nëse jeni të shqetësuar për karrierën e kancelares gjermane, Angela Merkel, uluni në tryezën e punës të Volfgang Shojbles, ministri aktual i Financave. Prej aty, e ardhmja politike personale është shumë, shumë më e pasigurtë, se sa nga zyra e ndriçuar që zë kancelarja”, shkruan sot Danilo Taino, në një analizë të gjatë për “Corriere Economia”. Që nga dritarja e madhe me pamja nga Rajshtagu, Frau Merkelu të paktën e ka të qartë se ç’duhet të bëjë: të çojë deri në fund mandatin e tretë në krye të qeverisë, dhe të luftojë për të siguruar një mandat të katërt, në zgjedhjet e 24 shtatorit. Nëse fiton, mirë për të. Nëse do i duhet t’ia lërë vendin sfidantit socialdemokrat, Martin Shulc, do të dalë nga skena. Megjithatë, për momentin, zonja e politikës gjermane duket se po rritet në sondazhe. Dhe fati i saj, është shumë i rëndësishëm për gjithë Bashkimin Europian.

Në analizën e Corriere, shkruhet se në rast të një fitoreje të mundshme të Shulcit, fati i Shojbles nuk do të ishte aspak i sigurtë. Pasi, edhe nëse Shulc do të qeveriste një koalicion të madh si i sotmi, por me role të përmbysura, ku shumicën pra e kanë të majtët, ai zor se do të mbante si Ministër të Financave, frymëzuesin e ortodoksisë ekonomike dhe financiare. Bëhet fjalë për karriken më të rëndësishme pas asaj të kancelarit të Gjermanisë. Prej asaj tryeze merren vendimet më të rëndësishme politike, financiare e sociale, dhe ndikimi prej saj është më i fortë, se kudo tjetër në Europë.

Dhe në rast se Shojble do të largohej, apo ndërronte post, për Europën do të ishte tronditëse, pasi do të humbte “gardianin” numër një të stabilitetit të Euros. Por, edhe në rast se fiton Merkeli, sërish Shojble nuk e ka vendin të sigurtë. Gjasat janë që të nevojitet sërish një Grande Koalition, dhe socialdemokratët, ndonëse në pakicë, do të kërkonin postin e Ministrit të Financave.

Po a do të sjellin zgjedhjet gjermane, ndryshime të mëdha në ekonominë europiane, e mbi të gjitha në monedhën e përbashkët? A do të ketë ndryshim radikal të politikës gjermane në çështjet ndërkombëtare? A do t’i japë pra, Berlini, një dritë jeshile një Pakti Stabiliteti të ndryshëm, ashtu si edhe Eurobonove apo një unioni bankar? Gjasat janë që jo. Edhe nëse fiton Merkeli, por pa ministrin e sotëm të Financave, në marëveshjen e koalicionit, gjithë këto hipoteza me shumë gjasa do të përjashtohen. Madje edhe sikur në vendin e Shojbles të shkonte vetë Shulci. Një qeveri e tillë, më shumë do të rriste elasticitetin kundrejt Parisit, nëse në Francë do të fitonte Macroni. Shkurt, edhe pa Ministrin e Madh, Shojble, Europa do të ishte një tjetër. Por Gjermania do i ngjante gjithmonë Gjermanisë

Leave a Reply

%d bloggers like this: