Ekonomia

Indeksi i BSH: Bie besimi i konsumatorëve, rritet ai i bizneseve

Situata e nderë politike duket se ka filluar të japë efektet dhe tek konsumatorët, të cilët nuk presin të bëjnë blerje të mëdha, ndërsa bizneset vijojnë të mbeten optimiste.

Banka e Shqipërisë raportoi se për të tretin tremujor rresht, treguesi i ndjesisë ekonomike (TNE) vijoi prirjen rritëse në tremujorin e parë të vitit 2017. Rritja e treguesit TNE reflektoi kryesisht përmirësimin e besimit të bizneseve, ndërkohë që besimi i konsumatorëve regjistroi një rënie të lehtë. Niveli aktual i TNE-së (120.4) qëndron mbi mesataren historike, duke filluar nga tremujori i tretë i vitit 2016 (grafiku 1).

Bizneset
Pas rënies së regjistruar në tremujorin e katërt të vitit 2016, treguesi i besimit në sektorin e industrisë (TBI), u rrit me 4.3 pikë përqindje gjatë tremujorit të parë të këtij viti (grafik 2). Përmirësimi i TBI-së reflektoi kryesisht zhvillimet pozitive të balancës së prodhimit industrial (+14.8 pikë përqindje). Vlerësimet e bizneseve të industrisë për kontratat porositëse u përmirësuan gjithashtu në këtë tremujor, por në një masë më të vogël se balanca e prodhimit (+6.9 pikë përqindje). Komponenti i tretë përbërës i TBI-së, balanca e gjendjes së inventarëve, dha një kontribut negativ (-8.8 pikë përqindje) në llogaritjen e treguesit të agreguar. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve të bizneseve të sektorit të industrisë rezultoi 75.0% në tremujorin e parë. Kjo normë është rreth 6.8 pikë përqindje më lart se një tremujor më parë. Ndërkohë, balanca e gjendjes financiare së bizneseve rezultoi në përmirësim.

Treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit (TBN) u rrit me 5.9 pikë përqindje në tremujorin e parë, duke iu afruar nivelit të mesatares së vet historike. Në rritjen e TBN-së ndikoi kryesisht përmirësimi i balancës së kontratave porositëse (+10.8 pikë përqindje). Në një masë më të vogël, por gjithashtu pozitivisht, ndikoi edhe përmirësimi i balancës së aktivitetit ndërtues (+1.1 pikë përqindje). Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në sektorin e ndërtimit rezultoi 61.6% në tremujorin e parë, rreth 3.4 pikë përqindje më lart se në tremujorin e katërt. Megjithatë, kjo normë mbetet rreth 2.6 pikë përqindje nën mesataren historike të serisë. Për sa i takon balancës së gjendjes financiare, ajo rezultoi me rënie gjatë tremujorit në analizë.

Tendenca përmirësuese e treguesit të besimit në sektorin e shërbimeve (TBSh) vijoi edhe gjatë tremujorit të parë (+10.1 pikë përqindje) . Rritja e vazhduar e TBSH-së, duke filluar nga tremujori i dytë i vitit 2016, e ka zhvendosur treguesin rreth 26.9 pikë përqindje mbi mesataren historike të tij.
Niveli më i lartë i treguesit të TBSh-së i atribuohet rritjes së të dy balancave formuese, ecurisë së biznesit dhe kërkesës, të cilat shënuan rritje me përkatësisht 7.6 dhe 12.7 pikë përqindje. Balanca e gjendjes financiare së bizneseve të këtij sektori rezultoi gjithashtu më e lartë gjatë tremujorit të parë, ndërkohë që balanca e lidhur me punësimin shënoi rënie. Nivele më të ulëta shënuan edhe pritjet për ecurinë e kërkesës dhe të punësimit në tremujorin e ardhshëm. Ndërkohë, norma e shfrytëzimit të kapaciteteve vlerësohet mesatarisht në 79.8%, duke qëndruar rreth 2.0 pikë përqindje mbi nivelin e shënuar në tremujorin e mëparshëm dhe 3.4 pikë përqindje mbi mesataren historike të saj.

Treguesi i besimit në sektorin e tregtisë (TBT) shënoi rritje me 2.0 pikë përqindje gjatë tremujorit të parë. TBT-ja qëndron rreth 5.8 pikë përqindje mbi mesataren e tij historike. Përmirësimi i treguesit u përcaktua nga rritja me 5.4 pikë përqindje e balancës së ecurisë së biznesit. Ndërkohë, komponenti tjetër përbërës i TBT-së, balanca e pritjeve për ecurinë e punësimit në tremujorin e ardhshëm, shënoi rënie me 1.4 pikë përqindje krahasuar me një tremujor më parë. Bizneset e përfshira në aktivitetin tregtar raportojnë një përmirësim të balancës së gjendjes financiare. Ndërkohë, gjatë tremujorit në analizë balancat e punësimit dhe pritjeve për ecurinë e biznesit në tremujorin e ardhshëm shënuan rënie. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve rezultoi 1.4 pikë përqindje më e lartë krahasuar me nivelin e shënuar në tremujorin e mëparshëm. Megjithatë, niveli i saj rreth 71.2%, mbetet 6.3 pikë përqindje nën mesataren historike.

Besimi i konsumatorëve
Treguesi i besimit konsumator (TBK) ra me 0.4 pikë përqindje në tremujorin e parë. Megjithatë, niveli i TBK-së qëndron rreth 2.1 pikë përqindje mbi mesataren historike të tij (grafik 6). Rënia e vlerës së TBKsë gjatë tremujorit në analizë u përcaktua nga rënia e balancës së blerjeve të mëdha (-4.4 pikë përqindje). Ndërkohë, balancat e tjera formuese kontribuuan në kahun rritës për vlerën e TBK-së: balanca e situatës së përgjithshme ekonomike të pritur në vend (+1.0 pikë përqindje); balanca e situatës së të ardhurave dhe shpenzimeve (+0.9 pikë përqindje); balanca e situatës financiare të pritur të familjes (+0.8 pikë përqindje).

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button