Bota

Sulmi kimik në Siri, Assad: Gjithçka e fabrikuar

Presidenti sirian, Bashar al-Assad ka hedhur poshtë raportet dhe akuzat se ishin forcat e tij besnike që kanë kryer sulmin me armë kimike në Siri, duke i quajtur ato si “100 për qind të fabrikuara”.

Në një intervistë ekskluzive për agjencinë e lajmeve “AFP”, ai tha se “nuk ka pasur asnjë urdhër që të kryhej një sulm i tillë”. Më shumë se 80 persona humbën jetën në qytetin e kontrolluar nga rebelët, Khan Sheikhoun, më 4 prill, ndërsa qindra të tjerë vuajtën pasojat dhe simptomat e shkaktuara nga përdorimi i agjentëve nervorë.

Dëshmitarët thanë se kishin parë avionë luftarakë të sulmonin qytetin, por Rusia, aleatja më e madhe e Assadit, tha se prej tyre u godit një depo e rebelëve ku fshiheshin armë e municione kimike.

Pamjet shokuese të viktimave, shumë prej të cilëve fëmijë, tregonin sesi kishin vështirësi në frymëmarrje, apo edhe momentet e tmerrshme të daljes së shkumbës nga goja. Disa prej të prekurve nga këto simptoma u dërguan nëpër spitalet përtej kufirit, në Turqi.

Assad tha për “AFP”-në se qeveria siriane ka dorëzuar arsenalin e saj kimik në vitin 2013, duke shtuar se “edhe nëse do t’i kishin ende ato, nuk do t’i përdornin kurrë”.

Që prej vitit 2013 ka pasur akuza të vazhdueshme se lëndë kimike si klorina apo amoniaku janë përdorur ndaj civilëve, si nga forcat qeveritare siriane, ashtu edhe nga grupet e rebelëve.

Turqia dhe Britania e Madhe thanë se testimet e para tregojnë se gazi sarin ose një substancë e ngjashme me sarinën është përdorur në Khan Sheikhoun, gjë që përbën edhe herën e parë që prej 2013-s që përdoret një armë kimike e ndaluar në një shkallë të tillë.

Assad akuzoi Perëndimin se po krijon shfaqje në Khan Sheikhoun, në mënyrë që të gjente justifikime për sulmet me raketa ndaj bazës ajrore të Shayratit, që ndodhi vetëm pak ditë pas sulmit kimik.

“Pamë fazën e parë, një lojë të mbajtur në rrjetet sociale dhe televizione, të shoqëruar më pas nga propaganda, e në fazën e dytë pamë edhe sulmin ushtarak”, tha ai. Sipas Assadit, Khan Sheikhoun, në veriperëndim të Idlibit, nuk ka ndonjë vlerë strategjike dhe aktualisht nuk është pjesë e frontit të betejës.

Megjithatë, aleatët perëndimorë këmbëngulin se ekzistojnë prova se ishte qeveria siriane pas asaj që ndodhi në Khan Sheikhoun.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button