Bota

Protesta kundër Erdoganit, opozita konsteston rezultatin e referendumit

Partia kryesore e opozitës në Turqi kërkon rinumërim të votave, pas rezultatit të ngushtë të referendumit të së dielës, që i jep presidentit Recep Tayyip Erdogan fuqinë ta zgjerojë ndjeshëm pushtetin e tij.

Partia Popullore Republikane (CHP), ka ngritur pretendimin se procesi zgjedhor pati parregullsi të mëdha. Përpjekja e Erdoganit për presidencë ekzekutive arriti të triumfojë me vetëm pak më shumë se 51% të votave.

“Turqia mori një vendim historik mbi një diskutim 200-vjeçar të lidhur me sistemin e saj kushtetues. Ky vendim nuk është diçka e zakonshme. Kjo është dita kur është hedhur një hap shumë i rëndësishëm në raport me Kushtetutën”, tha Erdogan.

Fitorja e tij u prit në të gjithë Turqinë, sa me festime, aq edhe me protesta. “CHP”-ja refuzon ta pranojë triumfin e “Po”-së dhe kërkon rinumërimin e 60% të votave, duke kritikuar sidomos vendimin për t’i konsideruar të vlefshme fletëvotimet e pavulosura, përderisa nuk provohej dot e kundërta.

Tre qytetet më të mëdha të vendit, Stambolli, Ankaraja dhe Izmiri u thanë “Jo” ndryshimeve kushtetuese.

“Më duket sikur duhet t’i themi lamtumirë sistemit të republikës. Besoj se votat tona janë vjedhur. Për mua personalisht, vendimi i Bordit Zgjedhor për të numëruar votat e pavulosura është një skandal i madh”, tha Ebru Tavukcu, banor i Stambollit.

Mbështetësit e opozitës dolën menjëherë nëpër rrugët e Stambollit, duke përplasur tenxhere e tiganë, një formë tradicionale proteste kjo, ndërsa demonstrata të tilla të zhurmshme pati edhe në zona të tjera. Analistët mendojnë se rezultati i referendumit do ta përçajë edhe më shumë vendin.

“Vet fakti që rezultati ishte kaq i ngushtë flet që tani për një komb tejet të përçarë. Dhe polarizimi, me shumë gjasë do të vazhdojë. Do të vijnë ditë të vështira, si në rrafshin politik, ashtu dhe në atë social”, tha Serkan Demirtas, gazeta “Hurriyet”.

Fitorja e votës “Po” do të sjellë 18 ndryshime në Kushtetutën e vendit, duke e shndërruar sistemin e qeverisjes nga parlamentar në presidencial. Ato hyjnë në fuqi pas zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të vitit 2019.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button