Bota

Pence, në Korenë e Jugut. Viziton kufirin me Veriun komunist

“Epokës së durimit strategjik me Penianin i ka ardhur fundi”, deklaroi zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence, gjatë ndalesës së tij në zonën e çmilitarizuar mes dy Koreve.

Vizita e numrit dy të Shtëpisë së Bardhë në Korenë e Jugut vjen në kohën e përshkallëzimit të tensioneve në gadishullin korean, me retorika të nxehura si nga ana e Shteteve të Bashkuara, ashtu dhe nga Veriu komunist.

“Është nder i madh për mua, që t’u sjell ushtarëve koreano-jugorë urimet e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. I lavdërojmë për vigjilencën e treguar këtu, përgjatë këtij kufiri historik të lirisë, dhe i përcjellim vendosmërinë e popullit amerikan për të qëndruar në krah të atij të Koresë së Jugut në muajt dhe vitet në vazhdim, e për të garantuar qëndrueshmërinë e objektivit të një gadishulli korean pa armë bërthamore”, tha Mike Pence, zv.president i Shteteve të Bashkuara.

Zëvendëspresidenti i SHBA-ve mbërriti në Seul pak orë pas testit të dështuar raketor të Penianit. Të hënën, Amerika dhe Koreja e Jugut nisën një stërvitje të përbashkët ushtarake të forcave të tyre ajrore, për të garantuar – sipas raporteve në media, – gatishmërinë e të dyja palëve ndaj çdo kërcënimi të Koresë së izoluar të Veriut.

Pence, babai i të cilit ka shërbyer në luftën koreane, u shpreh se Shtetet e Bashkuara kërkojnë që siguria në gadishull të arrihet me mjete paqësore dhe negociata, por shtoi se në tryezë janë të hedhura të gjitha opsionet e mundshme.

Koreja e Veriut e zhvilloi testin të dielën, si sfidë ndaj paralajmërimeve të shtuara amerikane se do të ketë pasoja serioze kundrejt provokimeve të tilla, përfshirë këtu edhe përgjigjen ushtarake.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button