Home / Politika / Komisionet e vettingut, LSI konfirmon propozimet

Komisionet e vettingut, LSI konfirmon propozimet

Nënkryetari i LSI, Luan Rama, në një konferencë për shtyp të mbajtur paraditen e së martës, ka konfirmuar propozimet e kësaj partie për anëtarët e komisioneve të vettingut, që pritet të votohen pasdite në parlament.

“Për komisionin e parë, që përbëhet nga 12 anëtarë, 6 nga shumica dhe 6 nga pakica, LSI ka propozuar deputetët Luan Rama dhe Silva Caka. Ndërsa për komisionin 6-anëtarësh, 3 nga pozita dhe 3 nga opozita, kemi propozuar deputetin Vangjel Tavo”, ka deklaruar Rama.

Rama u ka bërë thirrje të gjithë aktorëve politikë që të përfshihen në këtë proces, duke iu drejtuar në veçanti opozitës, “nga bojkoti i të cilës nuk është bërë e mundur të funksionojnë institucionet e vettingut”.

“Ndaj dua të ritheksoj rëndësinë e madhe që merr dialogu politik për kapërcimin e kësaj situate, për të realizuar reformën zgjedhore dhe atë në drejtësi, që janë të bllokuara”, ka thënë Rama.

Duke iu përgjigjur interesit të mediave për situatën politike në vend, nënkryetari i LSI ka vlerësuar se duhet të dialogohet për të kapërcyer krizën dhe për garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Leave a Reply

%d bloggers like this: