Home / Bota / Kërcënimi me armë bërthamore

Kërcënimi me armë bërthamore

Vetëm në një konferencë për shtyp koreano-veriore në OKB mund të dëgjosh një diplomat duke uruar që gazetarët të kenë patur një fundjavë të këndshme e duke paralajmëruar mundësinë e shpërthimit të një lufte bërthamore.

Disa orë pas vizitës së zëvendëspresidentit amerikan, Mike Pence në zonën e çmilitarizuar mes dy Koreve dhe deklaratës së tij se durimit strategjik të Uashingtonit i ka ardhur fundi, ndihmësambasadori i Penianit në Kombet e Bashkuara, Kim In Ryong mbajti një konferencë për shtyp të mbushur me kërcënime, skenare konflikti e retorika të ndezura ndaj SHBA-së.

“Nëse Shtetet e Bashkuara do të guxojnë të zgjedhin veprimet ushtarake, Koreja e Veriut është e gatshme të reagojë me çdo mënyrë lufte që dëshiron Amerika. Situata e rëndë e krijuar rishtazi dëshmon edhe një herë se vendi ynë kishte plotësisht të drejtë të shtonte kapacitetet e veta luftarake, ashtu siç ka të drejtë të mbështetet tek forca nukleare si boshti i mbrojtjes së tij në rastin e një sulmi nga jashtë”, tha Kim In Ryong, zv/ambasador i Koresë së Veriut në OKB.

Sipas zëvendësambasadorit, Shtetet e Bashkuara po shqetësojnë paqen e stabilitetin global, ndërsa këmbëngulin në logjikën e ngjashme me atë të një gangsteri se pushtimi i një shteti sovran është i drejtë e proporcional dhe se kontribuon në mbrojtjen e rendit ndërkombetar. Këtë, vazhdoi ai, Uashingtoni po përpiqet ta aplikoje edhe mbi Korenë e Veriut.

Rusia gjithashtu i paralajmëroi amerikanët të mos e teprojnë me reagime ndaj Penianit. Shpresoj se nuk do të kemi hapa të njëanshëm si në rastin e Sirisë, deklaroi ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov.

Nëse Amerika dëshiron të ushtrojë dhunë me kokë të vet, kjo është “një rrugë shumë e rrezikshme”, vazhdon ai. Moska megjithatë e dënoi edhe programin bërthamor të Veriut komunist, ndërsa për frenim bën thirrje edhe Kina.

Leave a Reply

Your email address will not be published.