Ekonomia

Banka e Shqipërisë, Ministria e Financave dhe AMF-ja nënshkruan memorandumin për të ulur përdorimin e euros

Banka e Shqipërisë,  Ministria e Financave dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare nënshkruan memorandumin e përbashkët për të ulur përdorimin e euros.

Vendimi u mor në mbledhjen e radhës të Grupit Këshillimor të Stabilitetit Financiar (GKSF).  Në këtë mbledhje morën pjesë Ministri i Financave, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Kryetari i Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave dhe përfaqësues të tjerë të këtyre institucioneve.

Sipas programit, në fillim të mbledhjes përfaqësuesit e Bankës së Shqipërisë paraqitën një vlerësim mbi ecurinë financiare dhe rreziqet për veprimtarinë e sektorit bankar mbështetur në të dhënat më të plota të tremujorit të katërt të vitit 2016.

Të pranishmit vlerësuan se veprimtaria e sektorit bankar u përshpejtua në vitin 2016, veçanërisht në drejtim të zgjerimit të investimeve në tituj, në produkte bankare dhe në kredi në lekë, duke u mbështetur kryesisht nga rritja e mirë e depozitave dhe e kapitalit.

Në terma vjetorë, raporti i kredive me probleme ishte i pandryshueshëm, por gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit ai u përmirësua. Rreziku i likuiditetit vlerësohet i ulët, ndërsa ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve të tregut është i pranishëm dhe duhet vlerësuar rregullisht. Situata e likuiditetit dhe e kapitalizimit të sektorit bankar vlerësohet e mirë dhe performanca financiare e tij mbeti pozitive, ndonëse në nivele më të ulëta se një vit më parë. Treguesit e provës së rezistencës, G K S F 1 tregojnë që qëndrueshmëria e sektorit bankar në kushte normale është e plotë dhe rezistenca e tij ndaj goditjeve të supozuara është e mirë.

Në vijim të diskutimeve të nisura në dy mbledhjet e mëparshme lidhur me nevojën për të forcuar përdorimin e monedhës vendase në ekonominë shqiptare dhe në sistemin financiar, të pranishmit ritheksuan rëndësinë e këtij procesi për përmirësimin e efektivitetit të politikës monetare dhe uljen e rreziqeve për stabilitetin financiar dhe politikën fiskale. Kompleksiteti i këtij procesi kërkon vendosjen e objektivave realistë dhe afatgjatë, si edhe bashkërendimin në përcaktimin e masave të nevojshme për plotësimin e këtyre objektivave në sistemin financiar dhe në ekonomi. Për të konfirmuar angazhimin institucional në këtë proces sipas fushave të veprimit, në këtë mbledhje drejtuesit më të lartë të Ministrisë së Financave, Bankës së Shqipërisë dhe Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare nënshkruan një Memorandum Bashkëpunimi. Krahas angazhimit, ky dokument përcakton drejtimet e përgjithshme të veprimit dhe treguesit minimalë që do të monitorohen rregullisht nga secili institucion për të vlerësuar ecurinë e procesit.

Përmbajtja e memorandumit

 

Neni 1

Arsyet për realizimin e Memorandumit të Bashkëpunimit Mbështetur, pa u kufizuar, në rolin që kanë si anëtarë të Grupit Këshillimor të Stabilitetit Financiar, Ministria e Financave (MF) si përfaqësuese e Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, Banka e Shqipërisë (BSh) dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), të cilat në vijim të këtij dokumenti do të quhen ‘palët’,: – duke vlerësuar se shkalla e përdorimit të monedhave të huaja (euroizim) në sistemin financiar dhe në ekonominë shqiptare është e konsiderueshme; – duke njohur natyrën e faktorëve që kanë përcaktuar këtë dukuri dhe të sfidave që e shoqërojnë trajtimin e saj; – duke vlerësuar se kjo dukuri përfaqëson një burim potencial rreziku për stabilitetin financiar të vendit, një pengesë për efektivitetin e plotë të politikës monetare dhe të asaj fiskale, dhe si rezultat edhe për rritjen e qëndrueshme ekonomike të vendit në afat më të gjatë; – duke arsyetuar që arritja e stabilitetit makroekonomik, e qëndrueshmërisë së financave publike dhe e kredibilitetit të politikës monetare në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, si parakushte tashmë të plotësuara, mundësojnë aktualisht adresimin e dukurisë së euroizimit në një mënyrë më të qëndrueshme; – dhe duke vlerësuar që komunikimi, bashkëpunimi e koordinimi ndërinstitucional, si edhe fleksibiliteti për të reaguar ndaj zhvillimeve të kësaj dukurie përgjatë kohës, janë elemente të nevojshëm për të arritur efektivitetin e masave të mundshme në zbutjen e rreziqeve të euroizimit, bien dakord të nënshkruajnë këtë Memorandum Bashkëpunimi (në vijim ‘Memorandumi’) nëpërmjet të cilit përcaktohet strategjia që do të ndiqet me qëllim forcimin e besueshmërisë në monedhën kombëtare dhe nxitjen e përdorimit të saj në sistemin financiar dhe në ekonominë shqiptare (në vijim ‘strategjia’).

 

 

Neni 2

Objektivat, veprimet dhe monitorimi 1. Objektivi i strategjisë është që të krijojë kushtet dhe stimujt e nevojshëm për të ndikuar gradualisht por në mënyrë të qëndrueshme në zvogëlimin e shkallës së përdorimit të monedhave të huaja dhe si rezultat, në fuqizimin e shkallës së përdorimit të monedhës kombëtare, në sistemin financiar dhe në ekonominë e vendit, në përputhje me qëllimin për forcimin e efektivitetit të politikës monetare dhe ruajtjen e stabilitetit financiar. 2. Veprimet që lidhen me zbatimin e strategjisë, mund të klasifikohen në grupet e mëposhtme, të cilat janë njësoj të vlefshme për nga rëndësia dhe që do të ndiqen paralelisht: a) grupi i parë përfshin veprime të politikës fiskale dhe përmirësime të tjera ligjore, të cilat synojnë ruajtjen e qëndrueshmërisë fiskale, uljen e informalitetit në ekonomi, zhvillimin e 3/7 tregut financiar, përmirësimin e kërkesave ligjore dhe forcimin e zbatueshmërisë së tyre për përdorimin e lekut në transaksionet mes agjentëve ekonomikë; b) grupi i dytë përfshin veprimet e politikës monetare dhe ato mbikëqyrëse mbi bankat dhe institucionet e tjera financiare, me qëllim ruajtjen e qëndrueshmërisë së mjedisit makroekonomik, zhvillimin e tregut financiar dhe të sistemeve të pagesave, si edhe rritjen e shkallës së përdorimit të lekut në sistemin financiar; c) grupi i tretë përfshin veprime të tjera të cilat nuk përfshihen në dy grupet e mëparshme, që vlerësohen të nevojshme në kuadër të zbatimit të strategjisë dhe ku palët mund ndikojnë në zbatimin e tyre. 3. Për të vlerësuar efektin e masave dhe progresin në arritjen e objektivit, palët do të monitorojnë dhe analizojnë rregullisht zhvillimet financiare, monetare dhe ekonomike e ligjore, mbështetur në elementet e përcaktuar në Aneksin e Memorandumit.

 

Neni 3

Përdorimi i lekut si njësi monetare që shpreh vlerat financiare Në veprimtarinë e tyre, palët do të kujdesen që të përkthejnë dhe komunikojnë në monedhën kombëtare, të gjitha vlerat që shoqërojnë marrëdhëniet dhe raportet financiare, në rastet kur kjo nuk kufizohet specifikisht nga kërkesat ligjore, kontraktuale apo standarde të tjera dhe kur nuk cënohet perceptimi mbi vlerën apo natyrën e veprimtarisë.

 

Neni 4: Veprimet e palëve 1. Në aspektin fiskal dhe ligjor, MF angazhohet: a) të vijojë të ndjekë një politikë fiskale që synon ruajtjen dhe përmirësimin e qëndrueshmërisë së borxhit publik, të rrisë preferencën për huamarrje në monedhën kombëtare nga institucionet publike kur emetojnë tituj borxhi, të krijojë një strukturë sa më të plotë maturimi të titujve të borxhit në monedhën kombëtare për zhvillimin e mëtejshëm të tregut financiar; b) të ofrojë ekspertizën dhe bashkëpunimin, për të zhvilluar më tej tregun primar dhe sekondar të titujve të borxhit në lek; c) të përdorë instrumente të politikës fiskale dhe të përmirësojë kuadrin përkatës ligjor apo zbatueshmërinë e tij, me qëllim që të nxisë formalizimin e mëtejshëm të ekonomisë dhe të rrisë preferencën e agjentëve ekonomikë për përdorimin e lekut në transaksionet financiare dhe ato të kursimit; d) më vete ose duke kërkuar bashkëpunimin e agjencive të tjera të qeverisë, të ndërmarrë ose të mbështesë çdo veprim tjetër ligjor ose operacional, që mbështet zgjerimin e shkallës së përdorimit të lekut në ekonomi në shlyerjen e detyrimeve financiare. 4/7 2. Në aspektin monetar dhe mbikëqyrës, BSh angazhohet: a) të ruajë kuadrin aktual të politikës monetare mbështetur mbi shënjestrimin e inflacionit dhe kursin e lirë të këmbimit, si kusht i nevojshëm për ruajtjen e qëndrueshmërisë makroekonomike dhe ruajtjen e besueshmërisë së publikut dhe të tregjeve tek monedha kombëtare; b) të modernizojë më tej sistemet e pagesave dhe të përshtasë kuadrin rregullativ, operacional dhe mbikëqyrës të veprimtarisë bankare, me qëllim që të pakësojë ekspozimin në valutë të sektorit bankar dhe në këtë mënyrë të zvogëlojë rreziqet për stabilitetin financiar dhe të parandalojë çdo pengesë për efektivitetin e transmetimit të politikës monetare; c) të forcojë kërkesat rregullative në funksion të përmirësimit të transparencës në produktet dhe shërbimet bankare e financiare, me qëllim që agjentët ekonomikë që ndërveprojnë me sektorin bankar të jenë në një pozicion më të mirë për të vlerësuar drejt rreziqet që shoqërojnë ekspozimin e tyre ndaj valutës, më vete apo të kombinuar me rreziqe të tjera; d) të kontribuojë në zhvillimin e produkteve dhe të instrumenteve financiare, që mbështesin përdorimin e lekut nga bankat dhe nga klientët e tyre, duke përfshirë në transaksionet e huadhënies/huamarrjes, si edhe që përmirësojnë mbrojtjen e tyre ndaj rreziqeve financiare; e) të analizojë rregullisht prirjet dhe rreziqet që burojnë nga ekspozimi në valute i bankave dhe i klientëve të tyre, dhe të vlerësojë në mënyrë të ngjashme ndikimin e masave të marra për zbutjen e këtyre rreziqeve ose nevojën për ndërmarrjen e masave të tjera. 3. Si rregullator i tregut për institucionet financiare jobankare, AMF angazhohet: a) të përmirësojë kuadrin rregullativ dhe mbikëqyrës, me qëllim zbutjen e rreziqeve të likuiditetit dhe të aftësisë paguese që burojnë nga veprimtaria në valutë e institucioneve që mbikëqyr; b) të ndërmarrë veprimet sipas pikës 2, shkronjave ‘c’, ‘d’ dhe ‘e’ për tregjet dhe institucionet që mbikëqyr. 4. Në përmbushjen e angazhimeve të tyre sipas këtij Memorandumi, palët do të synojnë që: a) të informojnë rregullisht njëra-tjetrën; b) të veprojnë vetëm mbi bazën e një analize kosto-përfitim kur përfitimet vlerësohen se tejkalojnë çdo efekt të pritshëm anësor nga masat e parashikuara; c) të arsyetojnë qëndrimet e tyre nëse nuk do të përmbushin angazhimet sipas këtij Memorandumi; d) të ndërmarrin ose të mbështesin veprime që synojnë edukimin e publikut dhe informimin e tij, më vete ose në bashkëpunim me institucionet financiare që mbikëqyrin. 5/7 5. Në kuadër të këtij Memorandumi: a) palët do të identifikojnë dhe mbështesin strukturat e tyre të brendshme që do të ndjekin realizimin e angazhimeve të tyre në kuadër të këtij Memorandumi; b) Sekretariati i Grupit Këshillimor të Stabilitetit Financiar do të shërbejë si instrument për të lehtësuar komunikimin mes palëve.

 

Neni 5

Komunikimi me publikun 1. Secila nga palët, do të publikojë në faqen përkatëse të internetit analizën e kryer sipas përcaktimit në nenin 2, pika 3 të këtij Memorandumi, në muajt janar dhe korrik të çdo viti, duke filluar nga viti 2018. 2. Palët do të vlerësojnë në vijimësi, nevojën dhe mundësinë për të zëvendësuar analizat e veçanta të kryera sipas pikës 1, me një raport të përbashkët.

 

Neni 6:

Të tjera 1. Ky Memorandum: a) printohet dhe nënshkruhet në tre njësi, nga një për secilën palë; b) publikohet nga secila palë, në faqen e vet të internetit; c) mund të ndryshojë me kërkesën e secilës palë dhe pas konsultimit paraprak me palët e tjera. 2. Aneksi është pjesë e Memorandumit.

6/7 Aneks: Treguesit që përfshihen për vlerësimin e zhvillimeve dhe ndikimin e masave në kuadër të këtij Memorandumi Në kuadër të objektit dhe qëllimit të këtij Memorandumi, MF përfshin në analizën që publikon, në mënyrë të përmbledhur, të paktën: a) një përmbledhje të treguesve të borxhit publik, të ardhurave, shpenzimeve, financimit të deficitit, dhe përbërjes së tyre sipas monedhave; b) një informacion mbi aktet ligjore ose nënligjore, procedurat ose operacionet e MF, që kanë ndryshuar ose pritet të ndryshojnë dhe që pritet të ndikojnë pozitivisht në shkallen e përdorimit të lekut nga agjentët ekonomikë. c) një informacion mbi peshën dhe strukturën e huamarrjes në lek; d) një informacion mbi masat kundër informalitetit në ekonomi dhe ndikimin e tyre. BSh përfshin në analizën që publikon, në mënyrë të përmbledhur, të paktën: e) një informacion mbi ecurinë (në vlerë dhe peshë) e treguesve të kredisë në lek, të kredisë në valutë, të kredisë në valutë ku huamarrësi është i pambrojtur nga kursi i këmbimit; të përbërjes sipas monedhave të aktiveve likuide të sektorit bankar; të ecurisë së depozitave në lek dhe në valutë; të raporteve të kredisë ndaj depozitave në lek dhe në valutë; të huamarrjes në valutë nga jorezidentët; f) një informacion mbi ndryshimet që ka realizuar (ose që pritet të realizojë) në kuadrin e operacioneve të saj, të sistemeve të pagesave ose në rregulloret e mbikëqyrjes, që japin mbështetje për transaksionet në lek; g) një informacion mbi ecurinë e kursit të këmbimit të lekut. AMF përfshin në analizën që publikon, në mënyrë të përmbledhur, të paktën: h) një informacion mbi peshën e aktivitetit në lek dhe valutë të grup-institucioneve që mbikëqyr; i) një përmbledhje të ecurisë së treguesve kryesorë të bilancit të institucioneve të mbikëqyrura, ku përfshihet përbërja sipas monedhës e aktiveve likuide dhe e detyrimeve; j) një informacion mbi ndryshimet që ka realizuar (ose që pritet të realizojë) në kuadrin e operacioneve të saj ose në rregulloret e mbikëqyrjes, që japin mbështetje për transaksionet në lek nga institucionet e mbikëqyrura ose nga klientët e tyre.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button