Home / Bota / SHBA, Trump kërkon rishikim të vizave. Preken punëtorët e kualifikuar

SHBA, Trump kërkon rishikim të vizave. Preken punëtorët e kualifikuar

Donald Trump urdhëroi agjencitë federale të rishikojnë programin e vizave të përdorur për dërgimin e punëtorëve të huaj të kualifikuar në Shtetet e Bashkuara.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë po përpiqet ta çojë deri në fund zotimin e tij se Amerika do të vijë në plan të parë, ndaj dhe firmosi urdhrin ekzekutiv që parashikon rishikimin e vizave të tipit “H-1B’, mjaft popullore në industrinë e teknologjisë.

Dokumenti njihet nga Shtëpia e Bardhë si vendimi “bli mall amerikan, punëso një amerikan”. Trumpi kërkon ndër të tjera ndryshime në ligjin e prokurimeve publike, me qëllimin të shtohet niveli i blerjes së produkteve amerikane në kontratat federale, duke ndihmuar sidomos prodhuesit vendas të çelikut.

Presidenti, më herët dha një intervistë për “NBC” mbi planet e tij për të investuar një trilion dollarë në rrugët, urat dhe aeroportet e Amerikës.

“Mendoj se shumë shpejt do të paraqitet si pjesë e një projektligji. Njerëzit e duan, unë e dua. Shpejt do të kemi një plan një trilion dollarësh, i cili do të rregullojë infrastrukturën tonë e shumë gjëra të tjera”, tha Trump.

Trump mbrojti gjithashtu përpjekjen e sponsorizuar nga republikanët për të shfuqizuar, dhe pjesërisht zëvendësuar, “Aktin e Kujdesit të Përballueshëm”, të njohur si “Obamacare”. Ai u zotua për një fitore të madhe, pavarësisht disfatës që pësoi në muajin mars, kur Dhoma e Përfaqësuesve nuk e arriti dot numrin e nevojshëm të votave për aprovimin e reformës së kujdesit shëndetësor.

Leave a Reply

%d bloggers like this: