Ekonomia

Turizmi shëndetësor, 180 të huaj erdhën në Shqipëri në tre muajt e parë të vitit

Shqipëria po bëhet një vend tërheqës edhe për turizmin shëndetësor, ku vendin kryesor e zë ai i rregullimit të dhëmbëve dhe më pak shërbimet estetike. Sipas të dhënave të INSTAT, në tre muajt e parë të këtij viti, kanë ardhur në Shqipëri 180 shtetas të huaj pikërisht për këtë qëllim, me rritje 22% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Vetëm në mars, numri i tyre u dyfishua.

Ndërsa vitin e kaluar, në Shqipëri erdhën gjithsej për turizëm shëndetësor 663 të huaj.

Vitet e fundit, vendet e rajonit (Serbia, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia) përfshirë Shqipërinë, janë vënë në një garë të ethshme për këtë lloj turizmi.

Sipas studimeve, personat e gatshëm për të udhëtuar për shërbimet dentare apo trajtimet estetike kanë si kriter parësor për vendimin e tyre cilësinë e lartë të shërbimit, koston e ulët dhe pajisje me teknologji të përparuara.

Drejtuesit e klinikave më të mëdha të stomatologjisë në kryeqytet tregojnë se pacientët e tyre kanë mbetur të kënaqur me raportin cilësi-çmim dhe kanë sjellë edhe të afërmit për trajtime. Po të bëjmë një krahasim edhe me vendet e rajonit të Ballkanit, çmimet e shërbimeve në Shqipëri janë dukshëm më të ulëta.

Numri i lartë i italianëve që vijnë në Shqipëri për qëllime dentare ka “alarmuar” dhe konkurrentët italianë, të cilët përmes shoqatës së tyre, i janë drejtuar disa herë shtetit për t’i propozuar një plan mesash. Ilfattoquotidinato.it, në një shkrim të para pak kohëve, e quan Shqipërinë “atdheun e turizmit dentar me kosto të ulët”.

Një destinacion tjetër është dhe ai i turizmit estetik dhe ndërhyrjeve plastike. Por, ai mbetet ende i pazhvilluar dhe i pakontrolluar dhe mediat e huaja kanë dhënë shpesh alarmin për rrezikun e tij. Mediat italiane dhe spanjolle e kanë quajtur Shqipërinë si xhungla e ndërhyrjeve estetike, ku pasojat më së shumti shkaktohen nga përdorimi i tepruar i filler (substancë mbushëse për lëkurën), një pjesë e të cilave janë të ndaluara në vendet e Bashkimit Europian, si Italia apo edhe Franca. Mjekët japin alarmin se po shtohen qendra të tilla, pa kontrollin e duhur.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button