Kosova

SHBA: Miratoni kufirin

Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euro-aziatike, Hoyt Brian Yee bën thirrje për mbylljen e çështjes së kufirit Kosovë-Mali i Zi.

Këto ditë, diplomacia amerikane është fokusuar intensivisht tek Ballkani, i cili prej muajsh tashmë ka tërhequr dhe një vëmendje më të madhe të Bashkimit Europian në mesin e frikës së zgjerimit të influencës ruse në rajon. Yee zhvilloi një bisedë telefonike me kryeministrin Isa Mustafa dhe kryetarin e Parlamentit Kadri Veseli mbi zhvillimet politike në Kosovë dhe bashkëpunimin mes saj e Shteteve të Bashkuara. Të dy zyrtarët e lartë kosovarë ranë dakord që marrëveshja për shënimin e kufirit me Malin e Zi të dërgohet në Parlament javën e ardhshme nga qeveria.

Në deklaratën e lëshuar prej zyrës së kryeparlamentarit Veseli sqarohet se institucionet e Kosovës duhet të marrin vendime të mëdha, sepse, në të kundërt, ato e humbasin kuptimin. Ekzekutivi kosovar e kishte në plan dërgimin e marrëveshjes së demarkacionit në Parlament gjatë këtij muaji, por sigurimi i dy të tretës së votave të nevojshme për miratimin e saj, mbetet një sfidë e vërtetë.

Dështimi i këtij votimi, sipas vëzhguesve, mund ta çojë Kosovën në zgjedhje të parakohshme, sepse, në thelb, koalicioni aktual u krijua pikërisht për të çuar përpara çështje të një rëndësie kyçe për vendin. Por, tema e zgjedhjeve, përveç konsensusit të brendshëm, kërkon edhe bashkërendim me mekanizmat ndërkombëtare në Kosovë, që të paktën deri tani nuk kanë dhënë asnjë shenjë se mund të mbështesin zgjedhjet e parakohshme.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button