Rajoni

Protestat në Serbi – thyerja e frikës

Protestat e studentëve “kundër diktaturës” në Serbi janë futur në javën e katërt. Ka dhe një protestë tjetër që po zgjat prej një viti. Po cilat janë rezultatet? Asnjëra prej këtyre protestave nuk ka rezultuar me plotësimin e kushteve të paraqitura. Por një vit prej fillimit të protestave kundër shembjes së dyqaneve dhe qendrave tregtare në rrugën Hercegovaçka dhe katër javë nga fillimi i protestave kundër “manipulimit të zgjedhjeve”,  mentaliteti në Serbi ka ndryshuar. Suksesi më i madh, siç thonë bashkëbiseduesit e DW, është që njerëzit nuk kanë më frikë, sepse frika e kishte kapluar të gjithë shoqërinë.

„E kemi zbuluar një mashtrim megaloman, që ka për qëllim shpenzimin e parave të buxhetit”, thotë për DW, Radomir Lazoviq nga iniciativa „Nuk e japim Beogradin”. „Shumë gjëra kanë dalww në sipërfaqe pas rrënimeve të fundit. Tani shihet se i tërë mekanizmi i shtetit është përfshirë në mbulimin e manipulimeve dhe krimeve, për të ruajtur pushtetin”, thotë Lazoviq. Suksesi indirekt matet pikërisht me ndërgjegjësimin e njerëzve, thotë Maja Vasiq, e cila ka marrë pjesë aktive në demonstratat e viteve 1996/97. Ndërsa ata të cilët kanë protestuar në vitin ’68 thonë se energjia e rrugëve ishte akumuluar gjatë protestave që kanë zgjatur një vit – kur njerëzit kishin filluar të besojnë se gjërat mund të ndryshojnë. “Pushteti po ndihet gjithnjë e më i pasigurt. Ata e kanë kuptuar se edhe nëse flet 100 herë një gënjeshtër, nuk do të thotë se ajo do të bëhet e vërtetë. Asnjë nga rrenat e tyre nuk është pranuar”, thotë profesorja në pension Srbijanka Turajliq.

Mungesat e demokracisë

Por numri i njerëzve në protesta nuk paraqet mllefin real në shoqëri, mendon Aleksandar Popov, nga Qendra për Rajone. Edhe ai megjithatë beson se laku rreth pushtetit të Aleksandar Vuçiqit po shtrëngohet. Përkundër hetimeve të parreshtura të policisë sekrete kundër organizatorëve, në popull shihet rritja e pakënaqësisë dhe lirimi nga frika.

„Në vitet 90-të kemi pasur në pushtet një njeri, i cili e ka urrejtur popullin e vet, që ka sunduar me dhunë dhe nuk është interesuar fare për mendimin e të tjerëve. Tani kemi një situatë krejt tjetër, sepse lideri i tanishëm dëshiron që populli ta dojë ndaj kritikat i merr shumë personalisht”, thotë Popov. Por mendimi i Vuçiqit mund të ndryshojë nëse krijohet masa kritike në rrugë, sikur në kohën e Millosheviqit. Vuçiqi konsiderohet tani si një faktor stabiliteti në rajon. Por nëse gjatë protestave cënohet dhe rrënohet autoriteti i tij si “paqëbërës”, me siguri që mund të pritet edhe përdorimi prej pushtetit i masave të tjera.

Bashkësia ndërkombëtare edhe më tej e mbështet Vuçiqin. “Mendoj se bashkësia ndërkombëtare ka luajtur një rol shumë negativ, sepse Rusia dhe Gjermania janë futur drejtpërdrejt në fushatën zgjedhore, pasi e kanë pritur Vuçiqin në prag të zgjedhjeve. Nuk e di nëse ato e dinë se çfarë po ndodh në Serbi, por do të ishte mirë që në rastin e Serbisë të sillen si sillen në vendin e tyre”, thotë Lazoviq.

Konflikti virtual

Masa kritike kundër pushtetit ekziston aktualisht vetëm në botën virtuale – në internet. Në studimet e fundit thuhet se internetin e përdorin mbi 90 % e të rinjve. Ndërkohë që ky numër po rritet. Protestat kanë filluar në rrjetet sociale dhe ato ndërkohë kanë përfshirë edhe rrugët. Por ndërkohë edhe kundërshtarët e protestave kanë hapur profile të rrejshme dhe po përpiqen të manipulojnë me demonstruesit. Një shembull i propagandës manipuluese është edhe twitter-i “Studentska elita”, ku përmendet shtyllat dhe varja e njerëzve në pushtet. Ndërsa në profilin e manilpuluar në Facebook “Protiv diktature” thuhet se “protestat e kanë humbur kuptimin” dhe “nuk kanë energjinë e duhur”. Protestat kanë problem edhe me orientimin. Disa thonë se në rrugë duhet të dalin sa më shumë njerëz, të tjerët se protestat duhet të shtrihen në gjithë Serbinë, të tretët se njerëzit duhet të bashkohen dhe të katërtit se në protesta duhet të përfshihet edhe opozita. Por deri tani politikanët nuk kanë qenë të mirëseardhur në protesta. „Demonstruesit kanë vetëm një dëshirë: pozita të largohet e opozita të mbledhë mend. Duket se njerëzit shpresojnë ardhjen në pushtet të personave me biografi të pastër”, pohon Maja Vasiq.

Popovi mendon se një faktor vendimtar mund të jetë përfshirja në protesta e punëtorëve. „Ata po vuajnë më shumë ndërkohë që po heshtin. Kanë frikë në mos e humbin edhe atë vend pune që kanë”, thotë Popov. Të gjithë bashkëbiseduesit e DW janë megjithatë të një mendimi: rruga është pjesë e pandashme e strategjisë për ndryshime, sepse aktualisht nuk ka kush t’i mbrojë interesat e qytetarëve. Rrjetet duhet të ndërlidhen mes vete, sikur edhe protestat e njerëzve në mbarë Evropën. “Duhet të krijojnë një lëvizje për demokratizim dhe shoqëri të hapur”, pohon Lazoviq.

Hapi i parë në këtë drejtim do të jetë protesta e parashikuar për nesër, ku do të jenë përfaqësuesit e rrjeteve të ndryshme, sindikatave dhe studentëve nga mbarë Serbia.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button