Politika

David McAllister në Tiranë: Kriza politike, çfarë pritet të ndodh sot nga negociatat e ndërkombëtarëve

Ndërkombëtarët do të tentojnë sot të zgjidhin krizën politike në të cilën vendi është përfshirë për më shumë se dy muaj.

Dy të dërguarit e Brukselit, zëvendës presidenti i Partive Popullore Evropiane ku PD bën pjesë, David McAllister dhe raportuesi për Shqipërinë, Knut Fleckenstein do të mbërrijnë mesditën e sotme në Tiranë për të negociuar dialogun mes palëve me qëllim zgjidhjen e ngërçit politik.

Ata vijnë me një dokument paraprak, të përgatitur me qëllim tejkalimin e situatës, dhe që shpresojnë të pranohet nga të gjitha palët.

Negociatorët 

Po kush janë dy negociatorët që po tentojnë të tejkalojnë këtë moment të rëndësishëm konflikti politik në Shqipëri në prag të zgjedhjeve dhe në mes të kryereformës në drejtësi.

Dy eurodeputetët gjermanë janë pjesë e Partive Popullore Europiane ku aderon dhe Partia Demokratike e Lulzim Bashës. David McAllister është zëvendës-presidenti i Partisë Popullore Europiane dhe kreu i komitetit për Politikën e Jashtme në Parlamentin Europian.

Ai është një nga njerëzit e besuar të grupimit më të madh politik të të djathtës europiane dhe i kancelares gjermane, Angela Merkel, por njëkohësisht edhe një i njohur i kryetarit demokrat Lulzim Basha.

Fleckenstein është i njohur për shqiptarët, pasi prej vitesh ai është tashmë raportuesi i posaçëm i Parlamentit Evropian për progresin integrues të Shqipërisë. Për të nuk do të jetë hera e parë që negocion një krizë politike shqiptare. Ai ishte negociator edhe për dakordësinë e palëve për miratimin e ndryshimeve kushtetuese për reformën në drejtësi.

Marrëveshja

Burime për Shqiptarja.com bëjnë me dije se dy negociatorët, McAllister dhe Fleckenstein kanë zhvilluar bisedime me përfaqësues të palëve politike në Shqipëri për të rakorduar pikat që do të diskutojnë në Tiranë.

Ata kanë hartuar një draft-marrëveshje paraprake të cilën jua kanë vënë në dispozicion palëve me qëllim njohjen paraprake dhe studimin e saj deri në momentin e takimit. Ky dokument bëhet me dije se qysh dje nga mbërritur në zyrat e Ramës, Bashës dhe Metës.

Takimet 

McAllister së bashku me Knut Fleckenstein do të qëndrojnë mbi 6 orë në Shqipëri në përpjekje për të zgjidhur krizën politike, por arritja e qëllimit parashikohet shumë e vështirë, pasi opozita ka intensifikuar aksionin. Dokumenti i hartuar prej tyre përmban disa pika, të cilat do të shqyrtohen së pari në një takim në Pallatin e Kongreseve me 2 drejtuesit e koalicionit Rama dhe Meta rreth orës 15:00.

Pas një ore, në axhendë parashikohet takimi me Lulzim Bashën. Nëse palët bien dakord 2 eurodeputetët do të organizojnë takimin e shumë pritur-trepalësh Rama-Basha-Meta për të firmosur marrëveshjen e arritur. Nëse jo, do të largohen duke lënë pas një krizë që mund të çojë dhe në zgjedhje të parakohshme. Për shkak të vizitës së McAllister e Fleckenstein, Ilir Meta anuloi vizitën e tij të parashikuar për sot në Bratislavë të Sllovakisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button