Sociale

Nis rikonstruksioni i konvikteve në Qytetin Studenti Nr.2

Ministri i Energjetikës dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Susanne Schütz përuruan sot fillimin e punimeve për rindërtimin, sipas parimit të efiçiencës energjetike të godinave të Qytetit Studenti nr. 2, në kuadër të projektit për rehabilitimin e konvikteve ku Bashkia e Tiranës është përfituese direkte. Projekti synon përmirësimin e kushteve të jetesës për rreth 600 studentë, nëpërmjet rinovimit të ndërtesave me një sistem më të mirë ngrohjeje dhe insulimi, si dhe rinovimit të strukturës së brendshme të ndërtesave për të rritur cilësinë e jetesës si dhe mundësitë e ngrohjes për studentët. Kështu, studentët e shkollës së inxhinierisë dhe fakulteteve të tjera që jetojnë në Qytetin Studenti Nr.2, pranë “21 Dhjetorit”, do të kenë shumë shpejt mjedise tërësisht të rikonstruktura dhe me standarde që garantojnë ngrohje me efiçencë energjetike.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj falenderoi qeverinë gjermane për kontributin e dhënë dhe theksoi se ky investim do të ofrojë për të gjithë studentët, kryesisht ata të inxhinierisë, por edhe të fakulteteve të tjera që jetojnë në këto konvikte, kushte më të mira e me standarde. “Bashkojmë energjitë që të kemi kushte më të mira në konvikte për 600 studentë të Tiranës. Është fatkeqësi të mendosh se kemi sot disa burgje që janë të standardeve evropiane, ndërkohë që kemi disa hapësira në qytetin e studentëve ku, në fakt, konviktet i ngjajnë më shumë burgjeve të vjetra. Më vjen mirë që për 600 prindër, që i kanë çuar fëmijët e tyre të shkollohen në Tiranë, duke e parë Tiranën si vendin e mundësive, edhe konvikti që është në fakt shtëpia e tyre e dytë, të jetë sot në kushte të mira”, tha Veliaj.

Ai u shpreh se përmes këtij projekti bëhet e mundur përdorimi më efiçent i energjisë elektrike, duke ulur ndjeshëm kostot që duhet të paguajë Bashkia për ngrohje. “Deri para një vit e gjysmë, Bashkia e Tiranës hynte tek debitorët kryesorë të energjisë dhe besoj se për publikun nuk shkon kur ai e paguan energjinë elektrike, kurse vetë Bashkia ishte debitore. Kjo do të thotë se ashtu si publiku, edhe pushteti vendor është emancipuar; pra, jo vetëm duhet ta paguajë energjinë, por të gjejë mënyra alternative se si ta reduktojë faturën. Unë besoj se ky projekt i kënaq të gjitha këto interesa; edhe interesin për të pasur çmime të përballueshme në minimum për studentët që vijnë nga rrethet në Tiranë, por sigurisht edhe për të ulur faturën e energjisë Bashkisë së Tiranës me 20%, para të cilat mund të shkojnë për investime të tjera në të ardhmen”, shtoi Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës tha se Plani i Përgjithshëm Vendor parashikon që të gjitha ndërtimet e reja që do bëhen në Tiranë të jenë të pajisura me sistemin e efiçencës së energjisë. “Është një plan urbanistik, i cili ka vendosur për herë të parë edhe çështjen e efiçencës energjetike në të gjitha lejet e reja që do të jepen në Tiranë. Kjo do të thotë se nga tahmaja e viteve ’90, ku njerëzit ndërtonin pa limit, pa menduar si do ngrohemi, pa menduar se si do funksiononte lagështira, por vetëm për të siguruar nevojën bazë të hapësirës, besoj që sot, jo vetëm investitorët, por edhe çdo qytetar që bën një rregullim të shtëpisë, e ka si kusht që për të marrë leje do t’i duhet të bëjë të gjitha këto rregullime për të pasur ndërtesa me efiçencë energjetike”, u shpreh Veliaj. Më tej, ai theksoi se Bashkia e Tiranës ka parashikuar që edhe 20 shkollat e reja që ka nisur të ndërtojë, të jenë të pajisura edhe me sistemin e efiçencës së energjisë, duke ofruar ambiente më të ngrohta dhe që kërkojnë më pak shpenzime për energjinë elektrike.

Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damin Gjiknuri vlerësoi se ky është një investim që ofron jo vetëm mundësi dhe kushte më të mira për studentët, por edhe që bën të mundur që brenda një kohe shumë të shkurtër, me anë të kursimit të energjisë, të shlyejë veten e vet. “Rikonstruksion sipas parimit të efiçiencës energjitike, që do të thotë kursim deri në 20% të faturës së energjisë dhe një investim, i cili e lan veten në 8 vjet, por mbi të gjitha, kushte mjaft të mira për studentët. Këtë model që po ndërtojmë duam ta shtrijmë në të gjitha godinat publike të Shqipërisë. Pra, parimi i efiçiencës së energjisë të jetë një parim udhëheqës për rikonstruksionin apo edhe ndërtimet në të ardhmen, në mënyrë që të kursejmë energji. Këtu po aplikojmë për herë të parë disa teknologji të reja të energjisë së rinovueshme, që do të shërbejnë për ngrohjen dhe për shërbimet e tjera të kësaj godine”, u shpreh ministri Gjiknuri.

Ambasadorja gjermane, Susanne Schütz theksoi se Qeveria Federale ka vënë në dispozicion 15,5 milionë euro për të gjithë projektin; nga të cilët 9 milionë euro do të përdoren për rikonstrukionin energjitik të katër konvikteve, duke përmirësuar ndjeshëm izolimin termik dhe duke rinovuar impiantet e ngrohjes. “Gjermania dhe Shqipëria investojnë kësisoj shumëfish në të ardhmen e këtij vendi: Ne përmirësojmë kushtet e jetesës dhe para së gjithash kushtet e mësimit të studentëve. Njëkohësisht ne angazhohemi në favor të mbrojtjes së mjedisit dhe klimës, duke penguar humbjet në ngrohje përmes dritareve të pa izoluara mirë, çka bën që impiantet e vjetra të ngrohjes të konsumojnë më shumë lëndë djegëse fosile se sa e kanë të nevojshme”, deklaroi ambasadorja Schütz.

Projekti parashikon termoizolimin dhe sistemin kapot për sipërfaqet e jashtme dhe vendosjen e dyerve dhe dritareve të cilësisë më të lartë, duke synuar garantimin një ngrohje me më pak kosto përmes reduktimit në maksimum të shpërdorimit të energjisë. Kompleksi i Qytetit Studenti Nr. 2 që po rikosntruksohet përbëhet nga katër ndërtesa 6 katëshe. Ndërhyrja do të ruajë strukturën ekzistuese dhe do të riorganizojë ndarjen në dhoma. Gjithashtu, në çdo kat janë shtuar një kuzhinë, një hapësirë ngrënie dhe llozhë e përbashkët. Për herë të parë, do të instalohet një ashensor, si dhe do të vendosen dy shkallë të jashtme duke siguruar dalje emergjente.

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button