Kronika

Liria e medias, Shqipëria përmirësohet me 6 vende

Shqipëria ka pësuar një përmirësim prej 6 vendesh në raportin vjetor të gjendjes së medies në mbarë botën, të publikuar nga organizata “Reporterët pa kufij” për vitin 2017. Vendi ynë renditej në vendin e 82-të një vit më parë, ndërsa sivjet e sheh veten në vendin e 76.

Një përmirësim ka pësuar edhe Kosova sa i përket lirisë së shtypit, teksa ka marrë vendin e vjetshëm të Shqipërisë në renditjen botërore, duke u ngjitur me 8 vende nga një vit më parë. Edhe Maqedonia është përmirësuar me 7 vende nga vjet, por gjithsesi renditet shumë poshtë, në vendin e 111.

Sa i përket vendeve të Europës Juglindore, Kroacia është vendi me përkeqësimin më të madh, duke humbur 11 vende nga raporti i vjetshëm, duke u renditur sivjet në vendin e 74-t. Organizata “Reporterët pa kufij” kritikon faktin që qeveria kroate hoqi nga puna vitin e kaluar drejtorin e Përgjithshëm të televizionit publik “HRT”, duke e zëvendësuar atë me një proqeveritar.

Pavarësisht përmirësimeve, në grafikën globale të lirisë së shtypit, vendet e Ballkanit janë të ngjyrosura me portokalli, duke treguar kështu se këto vende kanë probleme të ndjeshme me lirinë e shtypit, ndërsa vendet që kanë një gjendje të kënaqshme të lirisë së shtypit janë të ngjyrosura me të verdhë, kurse vendet që kryesojnë renditjen janë të zbardhura.

Në përgjithësi, retorika armiqësore kundër medias e politikanëve udhëheqës, ligjet më të ashpra, por edhe influenca e politikës edhe në vendet demokratike, kanë sjellë përkeqësimin e gjendjes së mediave në të gjithë botën.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button