Libri

Keijiro Suga, midis një udhëtimi shqiptar

poetiShkrimtari, përkthyesi dhe profesori i njohur nga Tokio, në një lexim të poezive në Tiranë

Keijiro Suga – Fitues i çmimit më të madh japonez për letërsinë, “Yomiuri”, në vitin 2013, me esenë “Transversal Journeys” (2009). Ai është profesor i Studimeve të Përmbajtjes Dixhitale në Universitetin Meiji në Tokio. Është përkthyes i letërsisë angleze, franceze dhe spanjolle.

Nga Olimbi Velaj

Keijiori Suga është një ndër poetët më të njohur japonezë sot në vendin e tij dhe në botë. Ai ishte në Shqipëri pak ditë më parë dhe, midis udhëtimit, gjeti kohë të bënte edhe një mbrëmje leximi, mjaft mbresëlënëse, në Tiranë. I shoqëruar edhe nga miku i tij mjaft i njohur, fotoreporteri ndërkombëtar, Tomoaki Akasaka, si dhe nga dashamirësi dhe njohësi i shqiptarëve, Gaku Ito, Keijiro iu prezantua lexuesve të poezive në kryeqytet, duke ndarë me ta edhe idetë e tij për letërsinë, edukimin, ambientin dhe çështje të tjera.

Ardhja në Shqipëri dhe leximi

Njeh një shkrimtar, ai të fton në vendin e tij, atje takohesh me të tjerë shkrimtarë dhe zinxhiri i takimeve e ftesave vijon, duke e bërë më të gjerë rrethin e lexuesve. Letërsia është marrëdhënie dhe shkrimtarët janë mediume që kurrë nuk duhen lënë në periferi të komunikimit. Në botën që sa vjen e tëhuajësohet, mbrëmjet e leximeve dhe inspirimi që të japin ato, mbeten ndër të paktat fortesa të shpirtit.

Por, ndërsa është e madhe dëshira për kontaktin me letërsinë e vërtetë dhe me shkrimtarët më cilësorë të botës në ditët e sotme, po aq e vogël është shpesh mundësia reale për t’u bërë ftesa zyrtare personaliteteve të tilla. Megjithatë, Keijiro është nga ata që të mahnitin në gjithçka. Ai erdhi privatisht, sepse donte të shihte vendin e njerëzit. Kërkoi vetëm pak vëmendje nga unë si vendase, sa për t’u orientuar. Dhe gjithçka tjetër ishte një udhëtim si gjithkund.

Shtatorin e shkuar ai ishte i ftuar në një koloni shkrimtarësh në Vojvodinë. Lexuesit e vjeshtës së shkuar në qytetet ku u mbajtën takimet me poetët, me siguri e kanë ende në mendje poezinë e tij të pazakontë dhe interpretimin shumë të ndier të saj, aq më tepër në versionin japonez. Keijiro ishte shkrimtari më kurioz dhe më i veçanti në koloninë e vjetshme. Të njëjtën përshtypje bëri ai edhe te lexuesit shqiptarë të Tiranës. Në vend nuk kanë ardhur shumë poetë të përmasave të Keijiros dhe prania e tij, pavarësisht se private, përbën një ngjarje për jetën kulturore të kryeqytetit. Shumë nga pjesëmarrësit në lexim mbetën të mahnitur dhe e pohuan se nuk kishin mundur kurrë më parë të dëgjonin poezi aq cilësore dhe të bashkëbisedonin me një njeri aq të pazakontë.

Poezia e tij të prek, sidomos me thjeshtësinë ekstreme. Ai është një vërejtës i hollë i natyrës dhe një ndërlidhës midis botës e shpirtit, duke të shtangur në çdo varg. Njeriu zë po aq vend sa gjithë banorët e tjerë të tokës dhe po aq vend sa vetë natyra në vargjet e Keijiros. Ajo që të befason është ndjesia e fortë e humanitetit dhe ideja e përkatësisë si pjesë e së tërës. Duket sikur në çdo gjë, jo vetëm në poezi, Keijiro thotë se duhet të kuptojmë çfarë vendi kemi në të vërtetë në botë, se nuk duhet të mbetemi pengje të iluzionit tonë për superioritetin human. Gjatë diskutimit, mjaftoi një ilustrim i vogël për të kuptuar këtë ide të madhe. Kur në Fukushima po mbërrinte cunami, thuajse të gjitha kafshët e ndien atë shumë orë më parë sesa njerëzit ta shihnin. Por askush nuk ua vuri veshin kafshëve, askush nuk u tregua aq i vëmendshëm sa të kuptonte se pse ato silleshin çuditshëm. Kjo është një arrogancë fatale, tipike për njerëzit e sotëm, modernë. Sot, thuajse askush nuk interesohet të kuptojë botën dhe ajo lidhje e vjetër qindrashekullore midis njeriut e natyrës, duket se është thyer tmerrësisht në ditët e sotme, sidomos në atë që quhet ‘jeta e qytetit’.

Duke folur për mësimdhënien, Keijiro pohoi se ajo është një vazhdim i gjithçkaje tjetër që ai bën. Ai e sheh edukimin si një mundësi përmirësimi në të gjitha kuptimet dhe të qenët shkrimtar, duke punuar si mësimdhënës në universitet, nuk është një kundërshti, përkundrazi. Në vëmendjen e tij mbetet gjithashtu edhe komunikimi me studentët, jo thjesht leksionet. Ai mendon se edhe kjo anë e edukimit është shumë e rëndësishme. Mbase problemet e studentëve nuk mund t’i zgjidhin profesorët, por diskutimi me ta i problemeve është diçka shumë e dobishme e ndonjëherë mund të çojë edhe në zgjidhje.

Kureshtja e të ftuarve u përqendrua mjaft në zakonet dhe preferencat e shkrimtarit dhe Keijiro pohoi disa nga detajet për vete. Ai shkruan rregullisht të paktën një orë në ditë, në mëngjes, në një kafene, ku prej vitesh është klient mjaft i njohur. Dhe kamerierja nuk e pyet, por ia mbush tri herë filxhanin me kafe. Sigurisht që leximi zë një vend të rëndësishëm në ditën e tij, po aq sa muzika dhe natyra. Në poezinë dhe në letërsinë që bën, ai pohon se është ndikuar mjaft edhe nga rroku dhe këtë e shpjegon me lidhjen mjaft të madhe që ka ky zhanër sidomos me gjuhën sesa me vetë muzikën. Të gjitha përgjigjet e tij ishin mbresëlënëse dhe asnjëra s’ish stereotip. Ai është njëherësh ambientalist dhe filantrop, intelektual që ngre zërin për të drejtat e njeriut dhe mjaft aktiv ndaj gjithçkaje që ndodh në botë.

Udhëtimi

Vetëm në pak ditë, por me një axhendë të menduar mjaft mirë, Keijiro, miku i tij fotoreporter, Tomoaki, dhe dashamirësi i Shqipërisë, Gaku, arritën të shihnin Durrësin e Shkodrën me periferitë, Beratin dhe Tiranën. Muzeu Historik Kombëtar ishte i mbyllur, për shkak të rikonstruksionit, por ata panë, me sy prej vëzhguesish të hollë, gjithçka mundën.

Është e çuditshme, por në shoqërinë e të huajve, shpesh arrin të shohësh më qartë gjëra që në vendin tënd nuk është se të bëjnë çdo ditë përshtypje, gjëra që e di se nuk shkojnë, por me të cilat je mësuar dhe pavetëdijshëm ke arritur në atë pikë sa t’i pranosh si normale. Duket sikur aftësia për të parë nga jashtë mjedisin tënd bëhet më e fortë, kur je në shoqërinë e njerëzve që vijnë nga kultura të tjera, shumë më të ndryshme. Mund t’i dëgjosh përditë boritë çmendëse të makinave, por kur je me miq të huaj, kjo është shumë më evidente dhe bëhesh më e qartë për anormalitetin e kësaj zhurme. Mund të neveritesh nga njerëzit që pështyjnë përtokë, nga njerëzit që bllokojnë trotuaret dhe nuk pyesin nëse duhet të kalojnë të tjerët, mund të ndihesh keq nga mënyra se si trajtohen këtu kafshët, mund të shohësh shumë gjëra, që në përditshmëri i kalon më lehtë. Mund të shohësh herë pas here plazhet periferike të mbushura me mbeturina plastike, që i nxjerr deti në breg, por kur je me ta dhe mendon se sa mirë e ruajnë mjedisin, nuk ke mundësi të ndihesh as mirë, as indiferent.

Teksa flisnim për turizmin në Shqipëri dhe në vendet fqinje, u përpoqa të kuptoja se si ndikon pastërtia e tualeteve në cilësinë e turizmit. Dihet se sa i rëndësishëm është ky tregues në vlerësimin e turizmit, por dihet gjithashtu se sa të pastër janë japonezët në krahasim me shoqëritë e tjera, referuar edhe statistikave. Tomoaki Akasaka, fotoreporteri i njohur, tregoi se në besimin popullor japonez shtëpia ka disa shpirtra. Midis tyre, më i rëndësishmi është shpirti që rri në tualet. Duket si një roje e pastërtisë, sepse atje është uji, atje njerëzit pastrohen dhe atje kujdesen për mirëqenien e trupit. I futur në folklor, kujdesi për pastërtinë është kthyer prej shekujsh në një detyrë të padiskutueshme për secilin, pavarësisht statusit. Dhe në shtëpitë japoneze mikromjedisi më i mirëndërtuar dhe më i mirëdekoruar është banja.

Keijiro është udhëtari më i madh që kam njohur. Në harkun kohor të një viti ai mund të ketë bërë më shumë udhëtime se ç’bën një njeri i zakonshëm, kurioz, në tërë jetën e tij. Ka një interes dhe kuriozitet të pafund për gjithçka dhe teksa qëndron në një vend, lexon pa pushim për të gjatë gjithë kohës. Në shënimet e tij të udhëtimeve në Japoni dhe në Kinë, Kazanzaqis shkruante se njeriu është njeri, sidomos në udhëtim, e për këtë mik japonez kjo vlen për çdo ditë. Nuk mund të anashkalohen fotografitë e tij bërë njerëzve dhe vendeve. Kur gjatë diskutimit e pyetën se si iu duk Shqipëria, ai thjesht pohoi se nuk e sheh asgjë të shkëputur. Ky vend është një vazhdim i njerëzve dhe jetëve e mjedisit të tyre, siç është kudo, është thjesht një vijimësi. Për të nuk ekziston as ideja e mirë ose e keqe për vendet dhe njerëzit, aq më pak për qeveritë dhe imazhin. Ai bën thirrje për bojkot të Lojërave Olimpike të Tokios më 2020-n, si një mundësi për të treguar se Fukushima ka mbetur një rrezik edhe më i madh dhe se qeveritarët gënjejnë.

Keijiro Suga ishte fituesi i çmimit më të madh në Japoni për vitin 2013, për një ese mbi udhëtimet. Ishte një çmim prej dy milionë jenësh japonezë dhe që ai menjëherë e dhuroi për njerëzit e dëmtuar nga cunami në Fukushima. Keijiro, së bashku me dy poetë të tjerë, kanë ndërmarrë gjatë kohës së cunamit, një tur leximesh midis njerëzve që kishin humbur gjithçka. Ndërsa së bashku me mikun e tij Tomoaki, ata kanë prezantuar edhe foto nga kjo katastrofë, ndërsa Keijiro ka mjaft poezi të frymëzuara nga ajo përvojë e pazakontë.

Autor i mjaft librave, i njohur në shumë vende dhe i përkthyer në mjaft gjuhë, ai u prezantua në mbrëmjen e leximeve në Tiranë me një cikël prej 10 poezish, të cilat i kishte përkthyer vetë nga japonishtja në anglisht dhe që në shqip erdhën nga Belfjore Qose. Por shumë shpejt përpara lexuesit shqiptar ai do të prezantohet me një vëllim poetik. Keijiro është njohës i shkëlqyer i anglishtes, frëngjishtes, spanjishtes, portugalishtes dhe italishtes, duke qenë edhe përkthyes zyrtar i tri të parave. Brenda harkut kohor të një viti, ai premtoi të jetë i pranishëm sërish në Shqipëri, nëse do të bëhet e mundur që ta ftojmë zyrtarisht.

Vëllime poetike:

Strangeography (2013),

The Moon When the Wolves Run Together (2012)

The Rain that Falls on the Sea (2012)

The Water of the Island, The Fire of the Island (2011),

Agend’Ars (2010)

Shkrimtarë të përkthyer:

Edouard Glissant

Maryse Condé

Francisco Varela

Isabelle Allende

Jamaica Kincaid

Aimee Bender

Antoine de Saint-Exupéry

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button