Opinion

Populizmi dhe media, një përballje që tregon shumë

Chris Patten

Përballë akuzave të ‘lajmit të rremë’ dhe mediave që po i shërbejnë pushtetit autoritar kudo në botë, gazetarët janë ngarkuar me detyrën e rëndë të raportimit të paanshëm dhe të patrembur të ngjarjeve.

Kam jetuar aq gjatë sa për të mbajtur mend gjënë më të mirë të populizmit: mungesën e popullaritetit të tij. Politikat nacionaliste, në çdo lloj forme, nuk joshnin shumë politikanë. Proteksionistët ekonomikë nuk fitonin zgjedhjet. Votuesit, qoftë edhe ata të shqetësuar rreth imigracionit, i bazonin zgjedhjet e tyre në çështjet ekonomike dhe ato të mirëqenies, të cilat media i raportonte me saktësi relative. Sot, megjithatë, duket se po kalojmë në një lloj të ndryshëm politike. Shembujt më të cituar janë votimi i Mbretërisë së Bashkuar për të dalë nga Bashkimi Europian dhe fitorja presidenciale e Donald Trump në Shtetet e Bashkuara. Si Polonia dhe Hungaria gjithashtu ofrojnë shembuj shqetësues të politikanëve që përdorin retorika nacionaliste dhe populiste për të çuar përpara synimet që kundërmojnë fillesat e autoritarizmit. Sigurisht, ka një ndryshim mes përdorimit të nacionalizmit bruto brenda regjimeve autoritare aktuale dhe brenda demokracive. Presidenti kinez Xi Jinping dhe presidenti rus Vladimir Putin e përdorin nacionalizmin për të konsoliduar mbështetjen, ashtu sikurse politikanët perëndimorë, por atyre u mungojnë kufizimet demokratike dhe mund të injorojnë sundimin e ligjit. Xi i burgos kritikët e tij. Kritikët e Putin shpesh vriten, megjithëse nëse besoni Trump, shërbimet ruse të sigurisë nuk kanë lidhje me këtë. Dhe, edhe nëse kanë, argumentoi Trump në një intervistë të fundit, nuk ka asgjë për të dënuar. “Ka shumë vrasës”, deklaroi Trump. “Mendoni se (SHBA-ja është) aq e pafajshme?”.

Nëse SHBA-ja mund të quhet ose jo “e pafajshme”, nuk mund të mohohet se presidenti amerikan, ndryshe nga homologët e tij rusë dhe kinezë, duhet të veprojnë brenda një grupi rregullash kushtetues dhe një sistemi të caktuar vlerash. Ai nuk mund ta çojë nëpër mend, jo më të organizojë, vrasje të kritikëve. Trump mund ta përbuzë sistemin, por ai nuk mund t’i shpëtojë atij.

Sigurisht, kjo nuk nënkupton se Trump nuk do të përpiqet. Kur është e mundur, Trump ka pushuar nga puna ata që nuk binin dakord me të. Përndryshe, ai përpiqet të diskreditojë ose pengojë kundërshtarët përmes sulmeve të pamëshirshme. Për shembull, ai lançoi një fushatë kritikash kundër gjykatësve dhe gjykatave që vendosën kundër urdhrit ekzekutiv që ndaloi hyrjen në SHBA të shtetasve nga shtatë vende me shumicë myslimane.

Trump ka lançuar një luftë mbi median, të cilën kryestrategu i tij Steve Bannon e ka etiketuar si “palë opozitare”. Trump quan çdo raportim jolavdërues apo kritik të administratës apo politikave të tij – qoftë edhe publikimin e një rezultati negativ të sondazhit – ‘lajm të rremë’. Ai i denoncon gazetarët si ‘formën më të ulët të ekzistencës’. Mbështetësit në tubimet e Trump kanë veshur bluza me fjalët “Litar. Pemë. Gazetar”.

Kjo qasje nuk është vetëm e Trump. Qeveria polake dhe hungareze kanë penguar lirinë e medias, duke kufizuar aksesin e medias te zyrtarët. Në sistemet autoritare dhe pothuajse autoritare, media është parë gjithnjë si kërcënim, jo si shënjestër ndaj represionit.

Por media amerikane nuk është përkulur ndaj Trump. Në fakt, shumë publikime – me përjashtim të zëdhënësit zyrtar, që është në thelb çka është bërë Fox News i Rupert Murdoch – janë bërë rojtarë të institucioneve dhe vlerave thelbësore të lirisë. Ata po i qëndrojnë besimit se në zemër të një demokracie të shëndetshme dhe funksionale duhet të jetë një bisedim publik që respekton dijen, të vërtetën, mosmarrëveshjen dhe nuancat.

Kjo nuk nënkupton që gazetarët duhet të justifikojnë përshkrimin e Bannon për ta si palë opozitare. Nënkupton që ata duhet të vazhdojnë të bëjnë punën e tyre, duke refuzuar “faktet alternative” dhe të kërkojnë të vërtetën. Ashtu sikurse shkrimtari italian Primo Levi zbuloi se eksperienca dhe dijet e tij shkencore e ndihmuan atë të përballojë jetën nën sundimin e Musolinit dhe Aushvicin, gazetarët duhet të përballen me politikanët mashtrues duke u zotuar, edhe më fuqishëm se kurrë, në punën e tyre.

Në këtë aspekt, gazetarët britanikë kanë shumë për të mësuar nga kolegët e tyre amerikanë. Që nga votimi Brexit, shtypi britanik (në përgjithësi) nuk është ngritur për të shpëtuar demokracinë tonë nga mbytja prej ndjenjave të shumicës. Përkundrazi, shumica e shtypit tonë të shkruar dhe madje një nga gazetat tona më tradicionale – që e konsideron veten një gazetë prestigjioze – ka forcuar paragjykimet populiste, pak a shumë siç ka bërë Fox News në SHBA.

Për këtë grup gazetash – qarkullimi i përbashkët i të cilëve, megjithëse në rënie të vazhdueshme, ende e tejkalon katër milionë – “vullneti i popullit” është i përkufizuar ngushtësisht brenda shumicës së vogël të votuesve që mbështetën largimin nga BE-ja. Duke harruar se çfarë deshën të thoshin ata me votën e tyre. Duke harruar se 48% të tjerë, votuan për të qëndruar. Duke ndëshkuar këdo që ngre pyetje se si duhet mbajtur ky proces shkatërrimtar.

Ndërsa mediat populiste në Britani u përqendruan te kthimi i sovranitetit parlamentar në Britani (sikur ky të ishte marrë prej tij), ato denoncuan çdo anëtar të parlamentit që ngriti pyetje rreth rrugës që vendi ka marrë tashmë. Ato madje vunë në pikëpyetje sundimin e ligjit, që iu jep atyre lirinë me të cilën shpesh abuzojnë.  Kur një nga gjykatat më të larta të Britanisë këmbënguli se qeveria duhet ta ndjekë Brexit në një mënyrë të ligjshme, gjykatësit u denoncuan si “armiq të popullit”. Trump vetë së fundmi postoi të njëjtin koment rreth medias amerikane.

Gazetarët duhet të mbajnë një medalje nderi – si vlerësim për punën e tyre të rëndë në mbrojtje të shoqërisë civile nga shkeljet më të këqija të populizmit. Përkundrazi, në Britani, ku mediat e rëndësishme po anashkalojnë disa prej vlerave thelbësore të demokracisë sonë të shëndetshme dhe të gjallë, pakogjë na ndan ne nga një e ardhme jo e begatë dhe e errët.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button