Te ndryshme

E vërtetuar shkencërisht, letërsia stimulon trurin dhe ndryshon sjelljen

Teknologjia mund ta bëjë letërsinë të duket demode dhe ndikimin e saj tek ne minimalist, por është vetë shkenca ajo që e vërteton lidhjen e veçantë mes trurit dhe letërsisë.

Sipas një studimi amerikan, letërsia stimulon trurin dhe ndryshon sjelljet tona. Studiuesit e dinë prej kohësh se zonat “klasike” të të folurit luajnë rol të rëndësishëm në mënyrën sesi truri i interpreton fjalët e shkruara. Megjithatë, vetëm vitet e fundit është zbuluar se letërsia aktivizon disa zona të veçanta të trurit, gjë që do të shpjegonte më së miri arsyen se përse ndonjëherë tregimet na duken aq të gjalla. Për shembull, fjalët si “livando”, “kanellë” dhe “sapun” nxisin një reagim jo vetëm në zonat e trurit që përdoren për përpunimin e gjuhës, por aktivizojnë edhe ato të nuhatjes.

Një studim anglez është marrë me mënyrën se si truri i njeriut reagon ndaj metaforave. Në të kaluarën, disa shkencëtarë pohonin se kombinimet figurative (për shembull “një ditë e rëndë”), tingëllojnë aq familjare saqë mendohen si fjalë normale nga truri. Një grup tjetër studiuesish nga “Emory University”, bëri të ditur përmes faqeve të “Brain & Language” se leximi i një metafore e tipit të prekshëm shkaktonte aktivizimin e kores ndijore (përgjegjëse për prekjen) te subjektet që merrnin pjesë në studim. Kështu, nëse këto metafora “këngëtari ka një zë prej kadifeje”, ose “kishte duar të ashpra” nxisin koren ndijore, atëherë fraza të tilla si “këngëtari ka një zë të këndshëm” ose “i kishte duart e forta” nuk shkaktojnë asnjë lloj reagimi, duke e lënë indiferente atë.

Keith Oatyley, profesor i psikologjisë konjunktive në Universitetin e Torontos (dhe autor romanesh) ka hedhur hipoteza se leximi sjell një stimulim të gjallë të realitetit. “Ngjarja projektohet në mendjen e lexuesit njësoj siç projektohet një simulim kompjuterik në monitor”. Nga ana tjetër, edhe romanet e mbushur me fragmente të bukura, metafora, krahasime, që përshkruajnë në detaj personazhet dhe historitë e tyre, ofrojnë një përvojë komplekse.

Shkenca ka konfirmuar gjithashtu se leximi ndikon në aftësitë tona shoqërore. Në dy studime të kryera nga shkencëtarët europianë me ata amerikanë në bashkëpunim dhe të publikuara disa vite më parë, personat që lexojnë shumë romane janë më të aftë t’i kuptojnë të tjerët, të identifikohen me ta dhe të shohin botën nga këndvështrimi i tyre.

Librat në veçanti nxisin stimuj tepër të vlefshëm, sepse ndërveprimet shoqërore janë komplekse dhe kërkojnë të vlerësojnë një mori ndërveprimesh mes shkakut dhe pasojës. Pra, ashtu si simulimet kompjuterike mund të na ndihmojnë që të kuptojmë disa koncepte abstrakte, për shembull si të pilotojmë një avion, ose të parashikojmë se si do të jetë koha, ashtu edhe romanet e tregimet e tyre mund të na udhëzojnë që t’i kuptojmë më mirë të tjerët, e të hyjmë në botën e tyre. Pra, edhe një herë u vërtetua se leximi i veprave të mëdha të letërsisë na ndihmon që jo vetëm të zgjerojmë horizontin, por edhe të bëhemi persona më të mirë. Shkenca thjesht vërtetoi që kjo është e vërtetë më shumë se sa e imagjinonim.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button