Politika

Rrugëtimi i Ilir Metës. Ish-studenti i dhjetorit ’90 vjen në krye të shtetit

Ilir Meta nuk është rastësor në politikë. 48-vjeçari, Presidenti më i ri i Shqipërisë, ishte vetëm 21 vjeç në vjeshtën e vitit 1990, kur u bë pjesë e lëvizjes studentore që çoi në ndryshimin e regjimit komunist. Ilir Meta ishte në takimin që studentët bënë me ish-udhëheqësin e fundit të regjimit, Ramiz Alia, aty ku u pranua për herë të parë pluralizmi.
Një pjesë e madhe e grupit të studentëve dhe pedagogëve të këtij takimi u bënë pjesë e Partisë Demokratike të sapokrijuar, ndërsa studenti Ilir Meta zgjodhi tjetër drejtim. Ai, së bashku me mikun e tij Pandeli Majko u bë një nga themeluesit e Forumit Rinor Eurosocialist (FRESSH), e më pas deri në vitin 2001, kryetar i tij.
Në zgjedhjet e vitit 1992, ai u bë deputet në vendlindjen e tij, për Partinë Socialiste. Kjo është koha kur Meta nis betejën e fortë si pjesë e së majtës socialiste, që vinte nga një trashëgimi komuniste e Partisë së Punës. Deputeti i ri Ilir Meta ishte pjesë e grupit të të rinjve që nuk kishin një të kaluar komuniste, por edhe një tjetër beteje, me pushtetin pothuajse absulut që sapo kishte krijuar e djathta e re shqiptare pas fitores së zgjedhjeve.
Kjo është periudha më e vështire e socialistëve, kryetari i të cilëve ishte në burg, ndërsa anëtarët e saj dhunoheshin nga policia kur dilnin në shesh dhe protesat i organizonin brenda oborrit të selisë së tyre. Deputet në të gjitha legjislaturat, Meta ka mbajtur detyra të rëndësishme në Partinë Socialiste, deri edhe nënkryetar i saj. Pas zgjedhjeve të vitit 1997 mori detyra në qeverinë e re të sapokrijuar, me kryeministër Fatos Nanon, dhe në vjeshtën e vitit 1998, pas grushtit të shtetit, bashkë me ish-“freshistin” dhe ish-studentin e dhjetorit, Pandeli Majko, morën drejtimin e qeverisë shqiptare.
Një vit më vonë, Meta do të bëhej kryeministër për herë të parë, duke e çuar Partinë Socialiste në zgjedhjet e vitit 2001, të cilat i fituan. Meta u rimandatua sërish kryeministër, por në një klimë aspak miqësore me Fatos Nanon, me përplasjen e famshme të dimrit të atij viti, përplasje që kulmoi në Komitetin e Përgjithshëm Drejtues.
Pas disa muajsh debatesh, në shkurt të vitit 2002 Meta dha dorëheqjen, për t’ia rikthyer qeverinë Pandeli Majkos. Rikthehet sërish si zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme deri në momentin kur përplasjet, sërish me kryetarin e Partisë Socialiste, e shtynë drejt ikjes nga kjo parti dhe krijimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Shumëkush mendoi se ky ishte fundi, sepse asnjë parti e re s’kishte pasur sukses deri në atë kohë, por LSI-ja e Ilir Metës nisi një rrugëtim për t’u kthyer një ndër 3 partitë kryesore.
Partia e re u provua në zgjedhjet e vitit 2005, pas të cilave, ish-rivali i tij Fatos Nano doli nga skena politike. Në krye të socialistëve do të vinte Edi Rama, me të cilin Meta kishte pasur një bashkëpunim të mirë gjatë kohës që ishte kryeministër.
Në zgjedhjet e vitit 2007, LSI-ja mbështeti kryebashkiakun në zgjedhjet për Tiranën, por marrëdhënia e ngushtë mes dy politikanëve u vu në diskutim pranverën e vitit 2008. Ndryshimet kushtetuese të arritura me një marrëveshje mes Berishës dhe Ramës u komentuan si fundi për partitë e vogla. Por Ilir Meta nuk u dorëzua, duke nisur një betejë në mes të sallës së Kuvendit.
Ajo që mund të ishte një lëvizje ligjore për t’i dhënë fund vartësisë së të mëdhenjve nga partitë e vogla, rezultoi e kundërta. Në zgjedhjet e vitit 2009, mandatet e fituara nga LSI-ja u kthyhen vendimtare për krijimin e mazhorancës së re. Ishte koha kur lëvizja e Metës për koalicion me Berishën zemëroi shumë të majtët, por edhe Partinë Socialiste, e cila nisi betejën kundër dyshes Berisha-Meta. Pas akuzave për zëvendëskryeministrin e qeverisë “Berisha” ndodhi edhe protesta e madhe e 21 Janarit.
Meta e fitoi betejën ligjore për akuzat ndaj tij, ndërsa vazhdonte një klimë armiqësore me partinë më të madhe në opozitë të asaj kohe, socialistët. Armiqësia u kthye në miqësi dhe në prillin e vitit 2013, pak para zgjedhjeve, Meta nënshkruan një nga marrëveshjet më të rëndësishme, atë me socialistët.
LSI-ja del nga qeveria e Berishës, por nuk e rrëzon qeverinë dhe në zgjedhjet e qershorit 2013, dy partitë dhe koalicioni i tyre arrijnë një rekord votash, duke rrëzuar nga pushteti PD-në. Meta zgjidhet kryetar i Kuvendit për të vijuar 4 vite bashkëpunim me Ramën, jo gjithmonë me të njëjtën dashuri e qetësi. Kreu i LSI-së u bë aktor kryesor në zhvillimet politike deri në këtë moment, kur u bë i vetmi emër për kandidat për President të Republikës.

Related Articles

Nje koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button