Opinion

Meta jo më i miri, më i përshtatshmi për detyrën e vet

Nga Ylli POLOVINA

Në fund të fundit është mirë që me këtë zgjedhje aspak të përsosur të mos ndihemi as të nëpërkëmbur dhe as të turpëruar. Po ashtu as edhe popull i rëndomtë. U një zgjedhje e domosdoshme. Mund t’i thuash edhe e zgjuar.

Falë lirisë të të menduarit dhe sidomos shpengimit për të folur e shkruar çfarë secili dëshiron, ngjarja e ringritjes së Ilir Metës deri tek numri një i Shtetit, këto ditë ka fituar statusin e kryendodhisë. Përveç servilëve të çdo stine pushteti dhe jargavitjeve të tyre nëpër faqe gazetash apo plazma ekranesh, pjesa tjetër, shumica, ka menduar se në atë poltron të lartë do të vendosej një person tjetër, një nga ata jo të paktë që zotërojnë figurë më pak të qortueshme se e një politikani karriere, të cilin ndeshja mes llojit, nëpër vitet dhe shpesh edhe dekada, e nëpërgojon dhe e njollos me të vërteta që i beson pa i provuar dot dhe me gënjeshtra mjaft gjuhëlëshuara.

Për shumë edhe të tjera arsye Ilir Meta nuk qe kandidatura më e mirë për kryetar Shteti, siç nuk ishte më i përsosuri Sali Berisha për të udhëhequr rrëzimin e diktaturës dhe më pas administruar shoqërinë e hapur postkomuniste. Nuk qe as Fatos Nano më i zoti i socialistëve të rinj dhe të vjetër, të paktën për ta çuar deri në fund misionin e tij. Nuk janë të tillë sot në mjediset e tyre partiake apo qeverisëse as Edi Rama (energji e madhe pushtetkërkuese pa identitet të caktuar politik) dhe as Lulzim Basha (një “pëllumb° me krahë të brishtë që ka iluzionin se mund të bëjë skifterin). Kështu ka qenë përherë edhe kur bënte histori shqiptarësh Ahmet Zogu apo Enver Hoxha. (Me aq sa mund të më besojë lexuesi, e siguroj, për shkak se e kam pasur subjekt të tre librave, as Skënderbeu nuk ishte bashkëkohësi më i mirë i gjysmës së dytë të viteve njëmijë e katërqind. Qe pa dyshim më i përshtatshmi për qendresë të paepur antiosmane).

Shkuam kaq larg në argumentet tanë jo për t’i bërë të njëllojtë në histori Gjergj Kastriotin e papërsëritshëm dhe prej gjashtë shekujsh me famë ndërkombëtare, me Ilir Metën, por për të pohuar se koha nuk ka aq sqimë sa mendojmë ne, ajo nuk zgjedh më të mirin, por më të zotin për ta mishëruar në një përiudhë të caktuar. Shqiptarët e motit 2017 mundimin e tyre më të madh nuk e kanë t’u vënë gjokset një sakrifice të madhe, siç do të qe një pushtim i huaj, por, po të jenë të mirorganizuar, një pune pothuaj të rehatshme: të ngrihen ngadalë-ngadalë në standartet e niveleve filluese të Bashkimit Evropian.

I dalë në krye të Shtetit tepër i ri dhe pasi, për një habi të madhe, me një parti të tretë të ketë realizuar edhe zotërimin e postit kryeministror dhe të atij kryeparlamentar, Meta është një protagonist politik që ia del deri në fund objektivave dhe ambicieve të tij, tek herë pas here dallon jo pak lakmi. Thuhet se për marrjen e postit të  Presidentit bëri pazar, një term ky që përpiqet të dëbojë edhe konceptin e marrëveshjes, por fakt është se në të tre këto lartësi ai nuk erdhi se nxorri tanket në rrugë apo i marshoi drejt Tiranës a Vlorës, as duke mitraluar selinë dhe zyrën kryeministrore, as duke shkaktuar të vrarë mes demonstruesve.

U bë numri një kur njëshi i paskomunizmit, bashkë me barrën e gabimeve të tij, ishte Sali Berisha, një luan lufte me çdo gjë që i del përpara. Partia metiane me fuqi parlamentare sa pothuaj një e treta e secilës prej dy të mëdhave, i dha tonin ritmit kardiak të politikës shqiptare jo që prej një viti, por përtej një dekade. Blutë dhe Rozët bashkë me shefat e tyre, fare lehtë e neutralizonin këtë autoblindë që u doli në brinjë. Do të mjaftonte që prej çastit kur nuk fitonin dot shumicën absolute për të qeverisur vetëm, të mos i luteshin asaj LSI-je, por në kushtet e justifikuara për të plotësuar kushtet e Brukselit, për të paktën vetëm dy vite, të bënin një aleancë. Në një rast të tillë rolet do të ndërroheshin dhe pika e ekuilibrimit po ashtu. Veç ata me një zell të pakuptimtë e thelluan kacafytjen dhe kështu u krijua emergjenca dhe nevoja për partinë e politikanin që baraspeshon. Ilir Metës rrugën për në Presidencë nuk ia çeli vetëm Edi Rama, por edhe Barisha-Basha.

Ndërkohë që tani po bëhen thirrje (të qëmotshme) për “revolucione demokratike” dhe “mosbindje civile”, apo marshime drejt Kavajës, urgjenca e një roli dialogues të Ilir Metës rritet edhe më shumë. Ai është një politikan i fortë, që profilin e tij e ka ngritur vetë. Gjithçka e ka “rrëmbyer” pa vënë kurrë në kanosje stabilitetin e vendit. Pranë defekteve të Ilir Metës kjo cilësi e fundit e tij, për ta përmbajtur lakminë për pushtet atje ku nis moslejimi i trazimit të rendit publik të vendit, do të mjaftonte për ta konsideruar marrëveshjen politike të shumicës dhe zgjedhjen e tij si President, një veprim të nevojshëm dhe po aq të arsyeshëm.

Ilir Meta, ky bashkëkombës jo më i miri i mundësive shqiptare për President, do të rezultojë shumë i përshtatshëm për detyrën e vet, sepse e ka dhunti dialogimin dhe posti i ri bashkë me shansin për t’u bërë emër gjurmëlënës në historinë tonë, do t’ia japë nxitjen dhe mbështetjen ligjore dhe të atij të opinionit publik, për t’i vënë një kufi kujt prej ndeshësve, Rama apo Basha-Berisha, u shkon teprimi për të shkelur mbi njëri-tjetrin dhe sidomos mbi interesat e qetësisë së brendshme të Shqipërisë dhe të gjithë shqiptarëve.

Në fund të fundit është mirë që me këtë zgjedhje aspak të përsosur të mos ndihemi as të nëpërkëmbur dhe as të turpëruar. Po ashtu as edhe popull i rëndomtë. U një zgjedhje e domosdoshme. Mund t’i thuash edhe e zgjuar.

Related Articles

Nje koment

  1. Ylli Pollovine.Ti nuk je shqipetar.Kryehajduti president i hajduterise por jo i shqipetareve.Turp

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button