Opinion

Koha për të qënë burrë shteti !

ARBEN MANAJ

Edi Rama ka bërë shumë për të kapërcyer krizën e rëndë institucionale dhe politike në vend, aq sa ka edhe fajet e veta për këtë krizë, potencialisht po aq eksplozive dhe e dëmshme, sa ajo e egzaktesisht të para 20 vjetëve.

Opozita është duke bërë një betejë politike dhe jo vetëm, me kalin e kanabisit dhe drogës, për të cilin qeveria e koalicionit, është mëkatare; pa harruar se si PS-ja ashtu edhe LSI, njëra ka pasur ministër e tjetra zv-ministër në Ministrinë e Brendshme.

As Rama e as Meta nuk mund të bëjnë miopin minimalisht, ç’ka mund të thuhet edhe për opozitën, e cila do duhet ta dinte se çfarë po ndodhte, dhe të kishte qenë po aq vokale dhe rezistente, sa ç’është këto ditë. 

Thënë kjo, opozita për arsyet e veta që lidhen me frikën e madhe ndaj vettingut, për mendimin tim, dhe inspirimin absolut të Berishës, i cili është mendja malinje e çdo aksioni politik në partinë e tij dhe që lëviz te gjitha fijet në “Teatrin e Kukullave” të PD-së, në funksion të eliminimit të kësaj frike, po e përdorin me të drejtën e Zotit, kriminalizimin e politikës dhe paratë nga droga, si arsye për një proces elektoral të korruptuar në tentativë. 

Në parim, ka të drejtë, dhe jam i sigurt se edhe Rama po të ishte në vendin e Bashës, e Basha e Berisha po të ishin në vendin e Ramës, do bënte, me po me të njëjtën të drejtë të Zotit, të njëjtën betejë, padyshim. 

Faktikisht, Berisha krijoi në Shqipëri, kryeqytetin evropian të mariuhanës, ndërsa Rilindja e qeveria e koalicionit, Republikën Popullore të Lazaratit. 

Ndërkohë që për këtë gjendje, faktori ndërkombëtar në Tiranë hesht dhe duket se është shqiptarizuar. 

Janë shqiptarizuar aq shumë, sa janë gati që vendi të shkojë në zgjedhje edhe pa opozitën, pavarësisht nga preteksti, dhe kjo u duket pakuptueshmërisht e ligjshme, edhe pse kanë bërë shumë përpjekje për të arritur kompromisin, dhe për ta zbuluar jetën inteligjente në planetin shqiptar. 

Pavarësisht kësaj, matanë Atlantikut, administrata Trump, duket se nuk e ka hapur ende faqen Shqipëri në Departamentin e Shtetit, ndërkohë në Bruksel e kanë hallin më shumë tek shuma e lekëve që do i marrin Britanisë për Brexit dhe kanë sfidat e tyre të mbijetesës, duke u’a lënë mëkëmbësve të tyre të shqiptarizuar në Tiranë menaxhimin e dështuar të krizës.  

Jemi këtu ku jemi, dhe Shqipëria është në një udhëkryq, ku një rrugë të çon tek skenari maqedonas, dhe tjetri tek praktika perëndimore dhe aballkanike e kapërcimit të sfidës demokratike të radhës. 

Thashë, kryeministri Rama ka bërë shumë dhe ka lëshuar jo pak, i detyruar, në seancat e ndërmjetësuara për të lëshuar pushtet, por dukshëm, nuk ka bërë sa duhet për të shmangur rënien e shtetit. 

Edhe unë kam qënë në fillimet e krizës i mendimit se tërheqja e Ramës, eventualisht, do shihej si dobësi dhe mosrespektim i vullnetit të popullit, për të çuar deri në fund mandatin.

Por jemi në situatën, ku risqet janë më të mëdha për vendin, demokracinë dhe popullin, dhe të ardhmen e tij afatgjatë, sesa egoja personale dhe politike e Kryeministrit të ditës. 

Ky është momenti që ai të tregojë ai është burrë shteti, aq më tepër, që siç edhe ai beson, dhe jo vetëm ai, me këtë opozitë dhe ato punë që ka bërë, me të mirat dhe të këqijat bashkë, i fiton sërish zgjedhjet. 

E nëse ai e beson një fakt të tillë, afro 50 ditë apo edhe 150, më pak kryeministërllëk, deri në zgjedhje, me një qeveri teknike, pa të, në krye të saj, dhe me vetting të miratuar që orën e parë të rifutjes së opozitës në Parlament dhe në zgjedhje, një “sakrificë” e tillë, do e ngrejë më lartë profilin e tij politik si udhëheqës i klasit perëndimor, dhe do ia shtojë votat dhe pikët në sytë e shqiptarëve. 

Eshtë koha e artë që Rama të bëhet burrë shteti, jo si ai lloj burri shteti, alla Arvizu. Eshtë momenti unikal, që me një lëvizje të tillë, Rama të defaktorizojë argumentet  e opozitës dhe të shpëtojë vendin nga shumë të panjohura të rrezikshme. 

Varianti i hyrjes në zgjedhje pa opozitën siç është deri më sot, është jorentabël politikisht  dhe jorealist praktikisht. 

Sado i zoti të jesh, për t’i mbushur mendjen një perëndimori për kërkesat allogjike të opozitës për këtë qeveri teknike, në kushtet e një kanabizimi të tillë rekord të Shqipërisë, për faj edhe të Ramës e Rilindjes, një palë zgjedhje me gjasa të mëdha dhune dhe trazirash dhe pa pjesëmarrjen e opozitës, askush nuk t’i merrte për zgjedhje normale dhe demokratike, siç i bën Perëndimi. 

Kjo nuk është evropiane si praktike dhe që në këtë moment e ke humbur argumentin. 

Imagjino pastaj, një media ndërkombëtare, që do na bëjë copë sërish, po aq keq, sa në 97-ën, pas një periudhe relativisht të gjatë “harrese”, pa imagjinuar mëpastaj se ku shkon ideja e zgjerimit të BE-se me një vënd kandidat si Shqipëria, në stad parademokratik, pa aftesi vetmenxhuese krizash, e mbi të gjitha e dhunshme.  

Fatkeqësisht, Shqipëria e 2017-ës jeton “kohën e kolerës” dhe demokracisë iracionale, e po vuan  dekadat e korrupsionit endemik dhe afrimin e kohës se shpagimit dhe ndëshkueshmërisë. 

Andaj, nëse Rama beson se i fiton zgjedhjet, ka një arsye më shumë, që t’i hapë rrugën kërkesës së opozitës, për “kokën” e tij politike, në tepsi, e cila nuk është njëjtë me atë të Ali Pashës, pasi sërish do jetë kryeministër kurdo që të bëhen zgjedhjet. 

Madje pa Metën si rival për kryeministër, zgjedhje të cilat do duhet të përfshijnë edhe thuajse gjysmën e shqiptarëve që jetojnë jashtë, meqë qenka kaq e lehtë të bëhet votim elektronik e numërim elektronik dhe pse jo edhe votimi në distancë, duke qënë se të gjitha partitë politike e kanë në planet e tyre në letër edhe pse tinzarisht nuk e përmendin. 

Nëse Rama vërtet beson se do e kalojë lumin e thatë të Qershorit pa trazira, dhe do e menxhojë dhe evitojë dhunën në ditën e zgjedhjeve e me pas, që nuk e besoj se do mundet, e per më tepër do qeverisë pa opozitën kryesore dhe të vërtetë deri në 2022-shin, Zoti qoftë me të dhe shqiptarët!  

Në analizë të fundit, e mira e Shqiperisë evropiane, paqja sociale, dhe prosperiteti akoma më i madh i shqiptarëve të thjeshtë, është shumëfish më e madhe se përfitimet e përkohshme të një klase politike të korruptuar, që s’ndëshkohet kurrë, ku e ka burimin kriza e sotme njëlloj si në 97-ën, e cila e çoi Shqiperinë në disk dhe kolateral të jashtëzakonshëm njerëzor, mes shumë arsyesh edhe si intrasigjencë për moslëshimin e kolltukut presidencial të Berishës. 

Fatkeqësisht, jetojmë në kohë budallenjsh dhe të marrësh, si Berisha & Co, dhe urtësia popullore sugjeron që atyre u hapet rruga, në emër të një të mire më të madhe, edhe për ta. Rama ka dëshmuar se është burrë i zgjuar e administrator i zoti, por ende se është burrë shteti, e shanse të tilla vijnë shume rrallë ose aspak, në jeten e një politikani. 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button