Home / roze / Aktorët e “Kumbarit”, ende një familje e madhe

Aktorët e “Kumbarit”, ende një familje e madhe

Pas të gjithë këtyre viteve vazhdojnë të mbeten një familje. Kasti i aktorëve të “Kumbarit” (The Godfather/ Il Padrino) u mblodh në Festivalin e Tribekës për një natë historike, siç e quajti moderatori Taylor Hackford.

Al Pacino, sot 77-vjeçar, kujtoi se me sa frikë e kishte pranuar rolin e Michael Corleones dhe si pati menduar se, ndoshta më shumë do t’i përshtatej personazhi i Sonit.

“Kur Francis më tha ‘po mendoj të të përdor si Michael Corleone’, unë thosha me vete: ky s’është mirë nga trutë. Pastaj ndenja e reflektova për një moment, por prapë nuk më dukej ai roli më i mirë për mua. Sonin, po, atë mund ta interpretoja”, tha Al Pacino, aktor.

Aktorët e filmit ikonë kujtuan në 45-vjetorin e tij, sesa e paharruar ka qenë për ta eksperienca në atë sheshxhirim.

“Ia kemi kaluar shumë mirë në kohën kur xhironim ‘Kumbarin’. Brandos i pëlqente në mënyrë të veçantë Jimmy Caan, sepse Jimmy është shumë zbavitës kur tregonte ndonjë barsoletë, Brandos i duheshin 3 sekonda që ta kapte thelbin e pastaj qeshte”, tha Robert Duvall, aktor.

“Ndihesha i nderuar që Francis më kërkoi të luaja atë rol. I thashë menjëherë: është fantastike”, tha Robert De Niro, aktor.

Të 3 aktorët, bashkë me regjisorin Coppola, Diane Keaton, James Caan, Talia Shire dhe Robert Duvall, e panë edhe njëherë “Kumbarin” dhe pjesën e dytë të tij, në shoqërinë e një publiku 6.000 personash, gjë që shënoi edhe mbylljen e festivalit.

Coppola kujtoi sesi studioja hollivudiane “Paramount” donte një film të lirë, i cili të xhirohej shpejt, dhe se për shkak të mosmarrëveshjeve, edhe vet regjisori i madh kishte qenë disa herë në prag të pezullimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.