Ekonomia

Hekurudha Tiranë – Durrës – Rinas, ndërtimi nis brenda vitit

Në mesin e muajit maj qeveria shqiptare do të duhet të shpallë tenderin ndërkombëtar për ndërtimin e hekurudhës Tiranë – Rinas – Durrës. Ndërsa brenda vitit 2017 duhet të nisë puna për ndërtimin e segmentit të ri Tiranë – Rinas dhe rehabilimin e aksit Tirnaë – Durrës. Sipas burimeve pranë Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim financimi është i gjithi i siguruar dhe nisja e procesit të tenderimit nuk do të vonojë, pas nënshkrimit edhe të marrëveshjes me Hekurudhën Shqiptare e cila është edhe autoriteti që do të zbatojë këtë projekt.

Ekspertët e kësaj banke thonë se nuk ka asnjë arsye përse zhvillimet në arenën politike të mund të pengojnë mbarëvajtjen e këtij projekti dhe se ata janë optimistë për zhvillimin korrekt të hapave të mëtejshëm. Sipas tyre ka gjasa që në mesin e muajit maj të shpallet tenderi ndërkombëtar i cili do t’i hapë më pas rrugë fazës së ndërtimit. Projekti parashikohet të përfundojë në fund të vitit 2020.

Në fund të muajit mars Kuvendi miratoi kredinë nga BERZH në shumën rreth 36.9 milionë euro për realizimin e projektit.

Kostoja totale e projektit është 90.5 milionë euro.

Përveç huas nga BERZH, kjo kosto do të financohet edhe nga granti prej 35.4 milionë euro i Bashkimit Europian. Vlera e TVSH-së dhe kostot lokale është parashikuar të mbulohet nga buxheti i Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës

për periudhën 2017-2019, në programin “Transporti hekurudhor”.

Realizimi i këtij projekti do të ndikojë në krijimin e infrastrukturës së nevojshme dhe lehtësimin e lëvizjes së mallrave dhe udhëtarëve, duke rritur efikasitetin e

transportit. Parashikohet që të transportohen në vit rreth 1.4 milionë pasagjerë. Kjo nisur edhe nga fakti që në zonën industriale Tiranë – Durrës realizohet edhe pjesa më e madhe e aktivitetit ekonomik. Gjithashtu do të rritet edhe shpejtësia e udhëtimit nga 40 km/orë që është sot në 100 km/orë.

Në fazën e ndërtimit priten të angazhohen rreth 1,375 punonjës direkt dhe indirekt, ndërsa gjatë fazës së operimit, numri do të arrijë në rreth 2,200. Është përllogaritur edhe vlera e kursimit nga qytetarët, që do të jenë në nivel 55 milionë euro në vit.

Por, projekte të tilla të rëndësishme që do të zbatojnë një teknologji moderne, do të kërkojnë menaxhim dhe mirëmbajtje.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button