Home / Bota / Trump takon Abbas: Ne do t’ia dalim mbanë

Trump takon Abbas: Ne do t’ia dalim mbanë

Donald Trump është angazhuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ndihmojnë Izraelin dhe Palestinën që të arrijnë tek paqja, duke i thënë liderit palestinez Mahmoud Abbas, që ishte në Shtëpinë e Bardhë, se “ne do t’ia dalim mbanë”.

Trump foli pasi priti Abbasin në një takim që kishte si qëllim rifillimin e bisedimeve që kanë dështuar në mënyrë të përsëritur të zgjidhin konfliktin që zgjat prej dekadash. “Unë gjithnjë kam dëgjuar se marrëveshja më e vështirë për tu arritur është ajo mes Izraelit dhe Palestinës”, tha Trump.

“Le të shohim nëse mund të provojmë se kjo është e gabuar. Ne do t’ia dalim mbanë”, këmbënguli ai. Ndërsa Presidenti i Autoritetit Palestinez mbështeti deklaratat e Trumpit, duke thënë: “Ne besojmë se mund të jemi partnerë të vërtetë dhe të arrijmë një marrëveshje historike paqeje nën udhëheqjen dhe kujdesin tuaj”.

Afro dy muaj e gjysmë pasi priti kryeministrin izraelit Benjamin Natanjahu, presidenti Trump shtrëngoi duart edhe me Mahmoud Abbas në oborrin e Shtëpisë së Bardhë, para se ta ftonte atë në zyrën ovale për bisedimet e tyre. Përpjekja e hershme për të arritur paqen, që ka joshur presidentët amerikanë që nga vitet 1970, pati gjithsesi një start të vështirë në fillimet e administratës Trump. Ky i fundit hoqi dorë nga mbështetja e një shteti palestinez dhe premtoi se do ta zhvendoste ambasadën amerikane në Jeruzalem, duke shkelur kështu dy nga shtyllat e politikës amerikane që kanë dominuar për dekada të tëra.

Në të njëjtën kohë, Trump i ka kërkuar Izraelit të presë pak për ndërtimin e kolonive të reja në Bregun Perëndimor, një shqetësim i hershëm ky për palestinezët dhe pjesën më të madhe të botës.

Leave a Reply

%d bloggers like this: