Home / Arte / Libri / Novela e dashurive të pamundura

Novela e dashurive të pamundura

Alda Bardhyli

“Ah, Migen e dashur, më trego, kur fillove të më dashurosh? – Kur ju pashë në rrugë, atëherë kur ju më vështruat. Që natën e parë ju dashurova, po kurrë nuk e mendova se ju do të më donit. Ky gjest e tronditi Esherstin pamasë; ai e ngriti vajzën në këmbë, e përqafoi fort dhe nga tronditja nuk mundi të fliste. Ajo pëshpëriti: Përse nuk më lejoni? – Jo, unë duhet t’ju puth këmbët juve! Ajo buzëqeshi aq ëmbël, sa ai s’i përmbajti dot lotët … fytyra e saj e zbehtë, e rrëzuar nga drita e hënës, gati ishte ngjitur me fytyrën e tij. Buzët e saj ngjyrë trëndafili, gjysmë të hapura, dukeshin po aq të njoma, të gjalla dhe të bukura sa edhe lulet e mollës …” Historia e Migen Devid, një fshatareje të thjeshtë nga një fermë e largët angleze, me Frenk Esherstin, vazhdon të emocionojë çdo lexues, pavarësisht kohës kur John Galsworthy e ka shkruar. Vetëm 17 vjeçe, Migen bie në dashuri me studentin që qëndron disa ditë në fermën e prindërve të saj. Në pak ditë zemra e vajzës së re pulson për djaloshin me flokët e verdhë me balluket mbi ballë, i cili ka të njëjtat ndjenja për të. Në kopshtet ku gjallon pranvera, ajo dëgjon fjalët më të bukura të dashurisë prej tij. Eshersti i thotë se do ta marrë me vete në Londër, do t’i blejë fustane të reja dhe do të jetë gruaja e tij.

Në ëndërrimet e saj, Migen ëndërroi arratisjen nga fshati, dhe jetën e lumtur pranë Esherstit … Por në fund, Esherstit i duhet të zgjedhë dikë tjetër për grua dhe ta lërë Migenin ashtu me fustanin e saj të thjeshtë prej basme teksa sheh qelqet e dyqaneve londineze ku ka mbërritur për ta kërkuar atë. Fundi tragjik i Migen është realiteti i kohës kur Galsworthy shkroi veprën. Vdekja e saj është një tregim për dashuritë e pamundura, për dy kulturat e ndryshme që s’mund të jenë asnjëherë bashkë. Një anglez i sërës së lartë të epokës viktoriane, nuk mund të martohej asnjëherë me një vajzë ferme, dhe nëse e donte atë. Kjo është zgjedhja që bëri Eshersti te një nga novelat më të bukura të shkruar nga John Galsworthy, “Lulet e mollës”. I konsideruar si një nga novelat më të mira të dashurisë, ky libër është përkthyer në shqip nga Nasho Jorgaqi. Njohës i mirë i lirikës, Jorgaqi ka mundur të depërtojë në stilin e Galsworthy për ta sjellë letërsinë e tij plot dritë në shqip. “Vdekja tragjike e Migenit është një nga faqet më të dhembshme të novelës. Në fatin e Migenit është dashuria që akuzon dhe në këtë akuzë s’ka si të mos bashkohemi edhe ne lexuesit”, thotë Jorgaqi. “Lulet e mollës” bëhet kryevepër jo vetëm nga mendimet fisnike që e përshkruajnë, por edhe nga ndjenjat e holla njerëzore. Dridhjet e holla të zemrës, magjia e natyrës, ritmi, nota poetike e tregimit, të gjitha këto e ngrenë novelën në lartësitë e veprave më lirike të letërsisë moderne europiane. Kjo novelë u ekranizua në vitin 1988 nga regjisori Piers Haggard dhe me skenar të Penelope Mortimer me titullin në anglisht “Summer Story”.

I lindur më 1867-n, John Galsworthy është një nga autorët më të njohur anglez, fitues i çmimit “Nobel” më 1932. Një prej librave të tij të njohur dhe në shqip është “Saga e Forsajtëve”, përkthyer nga Vedat Kokona. Këtë libër Galsworthy ia dedikon gruas së tij dhe historisë që shoqëroi njohjen e tyre, Ada Pearson. John e dashuroi Adën që kur e pa në sallën e madhe në një festë të familjes Galsworthy. Gruaja e kushëririt të tij vezullonte nga larg me vështrimin e saj. Në fillim ai u përpoq të mos e vinte re atë çfarë shkaktonte prania e asaj gruaje për të, deri sa një ditë vendosi t’i dorëzohej. “Ana do të ndryshonte gjithçka në jetën time. Falë saj unë u bëra shkrimtar. Askush nuk kishte këmbëngulur aq shumë që unë të shkruaja, sa ajo. Pa kundërshtinë që ngjalli dashuria jonë, ndoshta nuk do të ishte shkruar ‘Saga e Forsajtëve’”, shprehej John.

Libri u botua në vitin 1922, dhe bëri një kthesë në jetën e Galsworthy-t. Gjithçka çfarë përshkruhet në vëllimet e Forsajtëve është historia e vërtetë e shkrimtarit dhe familjes së tij, në përpjekjet për të shpëtuar prej zemrës së një gruaje.Irena që ai përshkruan në libër është gruaja e tij, Ada. Ja çfarë shkruan ai në një moment në libër: “Irena kthehet. Perdet ishin ulur se qe ngrysur, një zjarr i mirë kërcunjsh borige qe ndezur në vatër dhe në dritën e tij Somsi pa Irenën të ulur në këndin e saj të zakonshëm, atje në kanape. Mbylli derën ngadalë dhe iu afrua. Ajo nuk lëvizi nga vendi dhe bëri sikur s’e pa. – Domethënë u ktheve? – tha ai. – Pse rri kështu në errësirë? Pastaj i vështroi fytyrën që ishte aq e bardhë dhe si e ngrirë sa dukej sikur gjaku nuk lëvrinte më në rrembat e saj; i vështroi edhe sytë që dukeshin aq të mëdhenj, si sytë e zgurdulluar e të lebetitur të kukuvajkës…”

Ada dhe John u lidhën me dashuri më 6 shtator 1896 dhe do të kalonin një kalvar peripecish për të qenë bashkë. Familja e tyre e kundërshtoi këtë martesë dhe vetëm kur i ati i John ndërroi jetë, ata mund të martoheshin. Por jeta e tyre nuk qe e qetë, dhe në ditarin e lënë pas nga Ada, shihet ftohtësia që shpesh realiteti përçonte tek ata. Në romanët e Galsworthy, kjo ngjarje do të ndikonte në mënyrën sesi ai e pa epokën viktoriane, dhe raporteve që ajo kishte me familjen.

Ai gjykoi rregullat, dhe këtë e bëri përmes fatit që u vuri personazheve të tij, ashtu si Migen te “Lulet e mollës”. Galsworthy ka qenë një shkrimtar i kërkuar nga femrat për vetë stilin e tij lirik. Biografja e tij, Catherine Dupre, shkruan për një histori me një 19-vjeçare kur ai ishte 44, që e deshi vetëm duke lexuar librat e tij. Dhe pse studioi drejtësi gjatë gjithë jetës, ai u mor me letërsi. Trashëgimia letrare e Galsworthy-t është shumë e pasur dhe e larmishme. Ai është autor romanësh, novelash, dramash, veprash poetike të përkthyera në mbi 40 gjuhë. Por ajo që e bën Galsworthy një autor të dashur për lexuesin, janë novelat e tij. Ai mbahet mend si themelues i novelës së sotme realiste angleze. Të njohura prej tij janë përmbledhjet me tregime “Komentimi” (1908) dhe “Pesë tregimet” (1910), por një prej novelave të tij më të lexuara është “Lulet e mollës”.John Galsworthy vdiq vetëm 60 ditë pasi mori çmimin “Nobel”, më 1932-shin.

Leave a Reply

%d bloggers like this: