Politika

Dështon takimi i dytë/ Rama: Ska ofertë tjetër. Basha: Zgjedhjet pas 6 muajsh

“Jemi në të njëjtin pozicion që kemi qenë dje”, tha kryeministri Edi Rama, ndërsa të njëjtën gjë konfirmoi edhe Lulzim Basha, duke thënë: “Takimi i sotëm ishte, për fat të keq, një përsëritje e takimit të djeshëm”.
Dy orë pas negociatave në presidencë, i cili filloi mbrëmë në ora 19.000, me praninë e Bujar Nishanit, Edi Rama dhe Lulzim Basha, nuk arritën as në takimin e tyre të dytë, gjetjen e një marrëveshjeje për zgjidhjen e krizës politike.
Oferta e maxhorancës mbetet po e njëjta, përfshirë edhe një ministër që do të ketë detyrën e veçantë për votimin elektronik.
“Një zv.Kryeministër, të propozuar nga PD, por jo nga radhët e PD-së, dhe së bashku me tre përfaqësues të SHBA, BE dhe OSBE-së të drejtojë një Task Forcë, për të siguruar që shteti dhe asetet shtetërore nuk keqpërdoren për fushatë elektorale. Të ketë tre zv.ministra të propozuar nga PD, por jo nga radhët e PD, që të vendosen në Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Arsimit. Kam propozuar që menjëherë të caktohet nga Partia Demokratike, kuptohet që duhet të ketë njohje mbi teknologjinë dhe me një ekip e me një buxhet , për të përgatitur një projekt të besueshëm dhe për të paraqitur konkretisht projektin, për t’i realizuar këto avancime teknologjike, që nëse çertifikohen si të besueshme, atëherë t’i zbatojmë në zgjedhjet e ardhshme vendore”, u shpreh Rama në shpjegimin e ofertës së qeverisë ndaj opozitës.
Por ajo nuk pranohet nga opozita, pasi siç tha Basha, ajo nuk është një zgjidhje e vërtetë.
“Zoti Rama erdhi në tryezë, pa asnjë ofertë, përveç mosofertës së takimit të djeshëm, i cili buron nga mungesa totale e vullnetit për të realizuar krizën e rëndë politike në vend”, tha kreu i opozitës, Basha.
Kryeministri thotë se nuk negociohet data e zgjedhjeve.“Data e zgjedhjeve është 18 qershori. Ky është pozicioni im dhe pozicioni ynë. Kohë shumë nuk ka dhe më duhet ta përsëris që një ofertë tjetër nuk e kemi dhe nuk do ta kemi”, tha Rama
Ndërsa Basha, për herë të parë që prej fillimit të këtyre bisedimeve, tregoi ofertën e opozitës.
“Kollona e parë është një qeveri teknike, me mandat për të zgjidhur dhe për të ndalur influencën e krimit dhe të drogës, në zgjedhjet e ardhshme, si dhe për ti dhënë shqiptarëve kushtet ëpr zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kollona e dytë është eksplorimi i mundësisë që,  brenda gjashtë muajve nga realizimi i marrëveshjes politike, të realizohet votimi elektronik biometrik dhe numërimi elektronik, për të cilat ka munguar tërësisht vullneti politik”, u shpreh Basha
I pyetur nëse do të heqë dorë nga kërkesa për largimin e Edi Ramës, Basha dha këtë përgjigje: “Ne kemi paraqitur dy shtylla dhe nga ky propozim nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Sigurisht, nuk kam ndërmend të zbuloj para jush pozitat tona negociatore. E kam thënë dhe e përsëris , që çfarëdo që Partia Demokratike dhe unë personalisht mund të ofrojmë, ta ofrojmë në funksion të zgjidhjes që duhet të jetë për qytetarët”. 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button