Home / Kosova / Sigurohen 40 nënshkrimet për thirrjen e seancës për rrëzimin e Qeverisë Mustafa

Sigurohen 40 nënshkrimet për thirrjen e seancës për rrëzimin e Qeverisë Mustafa

Qeveria e Isa Mustafës duket se do të rrëzohet gjatë javës së ardhshme, përmes një mocioni në Kuvendin e Kosovës. Burime të Gazetës Express thonë se tashmë janë siguruar nënshkrimet e 40 deputetëve për mocionin e votëbesimit ndaj Qeverisë. Nënshkrimet sot i dërgohen Kryesisë së Kuvendit.

Burime të Gazetës Express, në kushte anonimiteti, kanë treguar se tashmë janë plotësuar kushtet teknike për ngritjen e votëbesimit ndaj Qeverisë së Isa Mustafës.

Për ngritjen e votëbesimit, proceduralisht, kërkohen nënshkrimet e 40 deputetëve.

“Këto nënshkrime janë siguruar tashmë”, ka thënë për Express një prej njerëzve të përfshirë në procesin e sigurimit të votave për rrëzimin e Qeverisë Mustafa.

Ai ka saktësuar se nënshkrimet, në masë të madhe, vijnë nga partitë opozitare, por ka shtuar se ka edhe deputetë të koalicionit aktual qeverisës, PDK-LDK.

“Sigurisht edhe deputetë të koalicionit qeveritar e kanë nënshkruar mocionin”.

Burime të Gazetës Express thonë se gjatë ditës së sotshme nënshkrimet do të shkojnë në Kryesinë e Kuvendit, e cila brenda dy-tri ditësh duhet ta caktojë seancën ku Qeveria e Isa Mustafës do të votëbesohet.

“Ne besojmë se brenda pak ditësh gjithçka do të përfundojë dhe vendi do të shkojë në zgjedhje”, ka treguar burimi i Gazetës Express.

Sipas gjitha gjasave, zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen në fund të muajit qershor.

Leave a Reply

%d bloggers like this: