Opinion

Lërini të na “destabilizojnë” !

Nga Ylli POLOVINA

Pasi kryeministri dhe njëkohësisht kryetari i “rozëve” të shtunën e 6 majit, me tërheqjen elektorale të kandidatit për kryetar bashkie të Kavajës, qe çliruar nga përgjegjësia e ndonjë përplasje destabilizuese në këtë qytet, rivali i tij “blu” shpalli fitoren e parë politike të periudhës së Çadrës.

Pastaj menjëherë formulimin e mëparshëm “Marshimi drejt Kavajës”, kujtimkeq për shkak të të njëjtit emërtim “Marshimi për në Romë”, i musolinianëve në 1922, e rifreskoi me thirrjen “Në 13 maj marshimi mbi Tiranën”. Do të duheshin jo pak orë që ta korigjonte këtë bumerang dhe të saktësonte se marshimi i të shtunës së ardhme do të ishte i radhës.

Tone zbutëse, madje edhe elegancë komunikimi, kreu këto çaste edhe një deklaratë e FRD, rinisë “blu”. Në vijim shtypi njoftonte se dialogu mes dy “të fortëve” shqiptarë. nëpërmjet të dërguarve specialë, nuk qe ndërprerë. Për ta dëshmuar këtë atmosferë ndërtuese që nga Gjirokastra Edi Rama bëri të ditur se ishte mirë të bisedohej me njerzillëk.

Por tashmë jo kryetari, por udhëheqësi historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tepër i joshur si përherë pas revolucioneve, për 13 majin shpalli se manifestuesit mund të dilnin jashtë kontrollit. Ky tip i revolucionit të së shtunës (leninistët kishin “Të shtunat komuniste”), kur organizatori nuk merr përsipër vetëpërmbajtjen e të vetëve për të realizuar objektivat politikë dhe jo të cënojnë rendin publik, nuk duhet nisur deri në momentin kur të jetë i zoti të plotësojë standartet e veprimit paqësor të manifestuesve në rrugë, siç edhe e ka shpallur dhe është në përputhje me rregullat demokratike. Demokracia e përjashton dhunën.

Sigurisht kjo shpallje e një proteste numerikisht shumë të madhe të partisë në pamundësi për t’u kontrolluar prej saj në kufinjtë e ruajtjes së qendrueshmërisë së vendit, kryhet për të ushtruar frikësim tek Edi Rama, i cili, duhet thënë, sugjestionohet tepër prej kësaj taktike të vjetër të Sali Berishës.

Skema e këtij të fundit, mbi dy dekadëshe, është t’u mbushë mendjen ndërkombëtarëve dhe sidomos shteteve mike që e kanë kyçe në strategjinë e tyre rajonale stabilitetin e Shqipërisë, se është ai dhe vetëm ai që e ka në duar këtë çelës. Jo vetëm kur është në pushtet, por edhe në opozitë. Në qeverisje ai e administron mjaft mirë qendrueshmërinë e vendit, madje kur ndenji në selinë e Kryeministrisë në 21 janar 2005 u tregua, siç ambasadori i SHBA në Tiranë e komplimentoi “burrë shteti”.

Të mos kishin vrarë zelltarët e tij politikë me uniforma të Gardës së Republikës, protesta pa vetëkontroll i një pjese radikalësh të Partisë Socialiste do ta dëmtonte shumë rendin publik dhe bashkë me të edhe prestigjin e të ardhmen politike të Edi Ramës.

Përveç merakosjes së madhe të kancelerive perëndimore mos Shqipëria bie në kaos dhe shqetësimit të ambasadorëve të tyre në Tiranë se mos për paaftësi ruajtjeve të stabilitetit u fluturon karrigia, dinakërinë e frikësimit Berisha po e rikonsumon edhe këto çaste delikate, kur në fakt çdo rrethanë, përfshi edhe mosfalimentimin e Çadrës, favorizon marrëveshjen dhe jo refuzimin e saj. Për udhëheqësin e Partisë Demokratike kjo mund t’i duket si taktikë presioni ndeshjeje fizike për të lehtësuar bisedimet dhe përfituar rezultate, por në opinionin publik ka efekt të kundërt, konstatohet ndjenjë frike mos gjendja e sigurisë së individit dhe e pronës së tij të vënë me djersë, shthuret.

Presidenti Ruzvelt, një nga ngadhënjimtarët e mëdhenj të luftës mbi fashizmin, në 6 janar 1941 në Kongresin Amerikan mbajti një fjalim që mbeti në histori. Ai foli për “katër liritë esenciale”. Mbresëlënëse dhe ide novatore qe e katërta. Pas lirisë së të shprehurit, të adhurim-besimit të Zotit dhe të garantimit të mjeteve të jetesës për çdo individ, nxori në pah “lirinë për të mos u frikësuar”.

Deklarata e Sali Berishës për mundësi të daljes jashtë kontrollit të protestës së ardhme të 13 majit, ndërsa nga Lulzim Basha për shqiptarët vijnë sinjale konstruktivë, provoi edhe njëherë tjetër se me tërheqjen e parakohshme nga zgjedhjet e Kavajës, Edi Rama bëri një gabim i komplesuar prej frikësimit politik. Lëshimi dashamirë që kishte bërë pati shërbyer jo për vetëfrenim, por për revansh të taktikës së shantazhimit me prishjen e rendit dhe të qendrueshmërisë së vendit.

Kujtesa e historisë tonë të pas vitit nëntëdhjetë e ka të gdhendur në plazmën e saj pushtimin në 1998 të godinës së Kryeministrisë dhe mitralimin e zyrës së Fatos Nanos, në 21 janar vrasjen e disa manifestuesve të opozitës “rozë” dhe po ashtu një rrethanë tjetër që nuk duhet ta harrojmë nëpër poteren e viteve: në fillim të trazirave për shkak të falimentimit të firmave huamarrëse hajdute, pati urdhër gojor të Berishës për shpërndarjen e armëve besnikët e tij dhe mbështetës të partisë. A

tëherë PD shkëlqeu me sjelljen e anëtarëve të saj, të cilët jo vetëm e refuzuan masivisht këtë armatosje ndjellakeqe, por edhe kur hekura të tillë u ranë në dorë, nuk i përdorën kurrë ndaj bashkëkombësve të së majtës. As këta, në turbullirën e pranverës 1997, kundër “bluve”. Ai mot me shumë të vrarë për çdo lloj arsye nuk pati asnjë të goditur me plumba për arsye bindjesh politike.

Sali Berisha nuk duhej ta bënte atë deklaratë për “dalje nga kontrolli” të manifestuesve blu, sepse asgjë e tillë nuk do të ndodhë. Ndonjë kokëkrisur apo i nxitur dhe i vënë, nuk është PD. “Bluté” kanë kapacitete të mëdha veprimi shoqëror progresiv dhe paqësor, aftësi të spikatura qeverisjeje. Por që çdo gjë të jetë në vendin e saj dhe në dialektikën e vet Edi Rama, kushdo që t’i jetë lutur, nuk duhej ta pengonte zhvillimin e natyrshëm të ngjarjeve gjer në mëngjesin e të dielës, kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të dallonte faktin ligjshkelës dhe do të konfirmonte publikisht përdhunimin e heshtjes zgjedhore. Pastaj pa u vonuar asnjë minutë dhe pa kundërvepruar me mjete rendvënëse, por vetëm me dialog, Kryeministri të bënte të ditur se në kushte të tilla e tërhiqte kandidatin. Kjo dinamikë do të qe zgjidhur pa kaluar e shumta ora nëntë e mëngjesit, patjetër pa asnjë zënkë fjalësh dhe jo më me “diegie të bashkisë”, siç sajoi kryetari i qeverisë për të na lënë edhe ai shijen e hidhur se e paska në dorë stabilitetin e Shqipërisë.

Atë çelës shekull pas shekulli dhe gjeneratë pas gjenerate e ka populli, një virtut i tij për t’u nderuar. Prandaj që logjika ekstremiste për ta trëmbur rivalin politik brenda vendit apo Ushingtonin e Brukselin përtej kufinjve tanë me zotësira për ta rënuar qendrueshmërinë e brendshme, të marrë fund njëherë e mirë, një rrugë është më e efektshme: lerini të na “destabilizojnë” dhe do të shihni çfarë “druje” do t’u japin njerëzit.

Një kujtesë: Më 9 maj është Dita e Evropës. Ne festë mund të dalim të gjithë bashkë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button